• e enjte, 05 mars 2026
MIA Flesh

12:00 / 4 mars / 2026

Shkup - Më 4 mars shënojmë Ditën botërore të ndërgjegjësimit për papilloma virusin human (PVH) - një nga viruset më të zakonshme që transmetohen përmes rrugës seksuale dhe është shkaku kryesor për kancer të qafës së mitrës. Kjo ditë është përkujtues se bëhet fjalë për problem serioz shëndetësor, por i parandalueshëm, njoftoi sot Asociacioni i Gjinekologëve dhe Obstetërve të Maqedonisë (AGJOM). "PVH është grup prej më shumë se 200 lloje virusesh, nga të cilat rreth 40 transmetohen përmes kontaktit seksual. Vlerësohet se më shumë se 80 për qind të personave seksualisht aktivë do të vijnë në kontakt me virusin të paktën një herë në jetën e tyre. Tek shumica e njerëzve, infeksioni kalon pa simptoma dhe trupi e eliminon vetë. Megjithatë, tek disa njerëz virusi mund të vazhdojë dhe me kalimin e kohës të çojë në ndryshime parakanceroze dhe kancer", informoi AGJOM.

Shkup - Ndërtimtaria përsëri me rritje dyshifrore, publikoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski në profilin e tij në Fejsbuk, dhe shtoi se ka një dinamikë të fuqishme në ndërtimin e projekteve kapitale. "Rritje prej 14,6 për qind po shënojmë në një kohë kur po ndërtojmë projekte kapitale, autostrada, hekurudha, rrugë rajonale dhe lokale, si dhe një numër të madh projektesh komunale. Në tremujorin e katërt të vitit 2025, Sektori i Ndërtimit shënoi një rritje dyshifrore prej 14,6 për qind, gjë që vetëm sa konfirmon angazhimin dhe përkushtimin tonë të fortë për realizimin e projekteve kapitale. Jam veçanërisht i kënaqur me faktin që ndërtimi është në rritje të vazhdueshme, ndërsa në vitin 2025, në tremujorin e tretë patëm rritje prej 21 për qind, ndërsa në tremujorin e katërt shënuam rritje prej 14,6 për qind (pavarësisht periudhës së dimrit ku aktivitetet e ndërtimit janë të reduktuara për shkak të kushteve natyrore), shkroi Nikolloski.

Shkup - Gjetjet nga studimi i Iniciativës Evropiane për Mbikëqyrjen e Obezitetit të Fëmijëve (COSI) tregojnë sfida serioze që lidhen me ushqyerjen dhe peshën trupore tek fëmijët e moshës 6 deri në 9 vjeç në Maqedoninë e Veriut, informoi sot Instituti i Shëndetit Publik në Ditën Botërore të Obezitetit. Nga Instituti theksuan se 31,2 për qind e fëmijëve kanë mbipeshë, ndërsa 13,7 për qind e tyre jetojnë me obezitet - që është mbi mesataren për rajonin evropian, përkatësisht 25 për qind dhe 11 për qind. "Mbipesha dhe obeziteti janë më të zakonshme tek djemtë sesa tek vajzat. Vetëm 25 për qind e fëmijëve hanë fruta të freskëta çdo ditë - që, gjithashtu, ky është konsumi më i ulët ditor i frutave në të gjithë Evropën. Grisini të kripura konsumojnë 40 për qind e fëmijëve - më e larta midis vendeve të përfshira në studimin COSI në rajonin evropian. Më shumë se gjysma, ose 51 për qind, e fëmijëve konsumojnë rregullisht grisini të ëmbla tre ose më shumë ditë në javë, kumtuan nga ISHP-ja.

Shkup - Temperatura më e ulët në mëngjes në orën 7 është matur në Berovë - 3 gradë dhe në Hanet e Mavrovës dhe Kodrën e Diellit, - 1 gradë. Zero gradë në Manastir dhe Shkup-Petrovec, 1 në Strumicë, Tetovë dhe Kriva Pallankë, 2 në Prilep, Kumanovë, Veles, Pretor, Ohër dhe Shtip, 3 në Shkup-Zajçev Rid, Demir Kapi dhe Krushevë, 4 në Vinicë, Kavadar dhe Gjevgjeli. Në Kodrën e Diellit ka 74 centimetra borë. DPHM paralajmëroi mot me diell me vranësira të lehta deri në mesatare për mëngjesin e sotëm, ndërsa pasdite vranësirat do të shtohen dhe do të mbizotërojë mot me vranësira të ndryshueshme me periudha me diell. Drejt fundit të ditës do të ketë kushte për reshje të lehta lokale shiu në pjesët veriore dhe veriperëndimore. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare kryesisht nga drejtimi jugor. Temperatura maksimale do të jetë në intervalin 13 deri në 17 gradë.

Shkup - Për shkak defektit të pompës së ujit në Studeniçan nga ora 13:00 sot, furnizimi me ujë do të ndërpritet për konsumatorët e këtij fshati të Shkupit. Furnizimi me ujë do të ndërpritet deri në përfundimin e riparimit të defektit, informojnë nga NP Ujësjellësi dhe Kanalizimi - Shkup. 

Shtip – Në Gjykatën Themelore Shtip sot fillon gjykimi kundër 74-vjeçarit Denis Asanov, i akuzuar për vrasje të 79-vjeçares B.N. nga Shtipi. I akuzuari Asanov nuk e pranon fajin për veprën për të cilën akuzohet. Vrasja ndodhi vitin e kaluar, ndërsa një pjesë e trupit të gruas së ndjerë ishte gjetur e varrosur në oborrin e shtëpisë së të akuzuarit. Sipas rrëfimit të cilin e kishte dhënë para Prokurorisë Themelore Publike në Shtip, motivet ishin xhelozi dhe mosmarrëveshje në dashuri. Gruaja e vrarë kërkohej disa ditë, ndërsa zhdukjen e saj e kishte denoncuar motra e saj. 

Vjenë - Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë ndërkombëtare për energji bërthamore (ANEB), Rafael Grosi mbrëmë deklaroi se nuk ka prova se Irani po zhvillon bombë bërthamore, por theksoi se refuzimi i Iranit për t'u lejuar inspektorëve qasje të plotë deri te objektet e veta është shkak për shqetësim serioz. Grosi në rrjetet sociale deklaroi se është i qartë dhe konsekuent në raportet e tij. "Isha shumë i qartë dhe konsekuent në raportet e mia për programin bërthamor të Iranit. Edhe pse nuk ka prova se Irani po zhvillon bombë bërthamore, rezervat e tij të mëdha të uraniumit të pasuruar janë pothuaj të aftësuara për armë, ndërsa refuzimi që t'u jepet qasje e plotë inspektorëve të mi është shkak për shqetësim serioz", ka shkruar ai.

Beograd - Shtetas të Maqedonisë së Veriut, së bashku me shtatas të Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi dhe Kroacisë, të cilët janë evekuuar nga Izraeli, rreth orës dy pas mesnatës, arritën në Beograd me fluturim të posaçëm nga Sharm el Sheik, të organizuar nga Qeveria serbe. Sipas informatave të fundit, nga MPJdheTJ e Maqedonisë së Veriut, nga fillimi i konfliktit e deri sot, gjithsej 473 shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë kontaktuar me përfaqësitë tona diplomatike-konsullare në Tel Aviv, Doha dhe Abu Dabi.

Ankara – Shefi i diplomacisë turke, Hakan Fidan, deklaroi mbrëmë se sulmet iraniane ndaj vendeve të Gjirit Persik, si përgjigje e sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, janë “strategji tepër e gabuar” e cila e rriti paqëndrueshmërinë në rajon. “Bombardimi pa dallime i Iranit në të gjitha këto vende është strategji shumë e gabuar”, deklaroi Fidan për transmetuesin shtetëror turk TRT Haber. Ai vlerësoi se Teherani e shfrytëzon strategjinë “nëse mbytem unë, do ta mbys edhe rajonin”. 

Uashington - Presidenti amerikan më siguroi edhe një herë se SHBA-ja ka ndërmend të ruajë praninë e saj ushtarake në Gjermani", tha kancelari gjerman Fridrih Merc në Uashington pas takimit me Donald Trampin në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se ky është një lajm i mirë dhe se nuk pret asgjë tjetër. Duke pasur parasysh qëndrimin kritik të Trampit ndaj Evropës, ka pasur spekulime në muajt e fundit se ai mund të tërheqë trupat amerikane nga Gjermania. Merc nuk sqaroi nëse Trampi ka premtuar se kontingjenti ushtarak amerikan do të mbetet në nivelin aktual.

Uashington – Rreth 9.000 qytetarë amerikanë janë larguar nga Lindja e Afërt për shkak të luftës me Iranin dhe rrezikut të hakmarrjes, njoftuan mbrëmë autoritetet amerikane. "Gjatë ditëve të fundit, më shumë se 9.000 qytetarë amerikanë janë kthyer të sigurt nga Lindja e Afërt, përfshirë më shumë se 300 prej tyre nga Izraeli", theksohet në kumtesën e Departamentit të Shtetit. Me çarter fluturime të organizuara u evakuuan nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Jordania, shtohet në kumtesën. 

Uashington – Senati amerikan do të votojë për vendimin e presidentit amerikan Donald Tramp që të fillojë konflikt me Iranin, njoftuan mediat amerikane, duke e raportuar vlerësimin se kjo është hera e parë një pjesë e Kongresit formalisht ta shqyrtojë të drejtën e aksionit ushtarak në këtë konflikt. Rezoluta për autorizimet ushtarake u jep të drejtë ligjvënësve të kërkojnë leje para vazhdimit të aksionit ushtarak. Ligj i ngjashëm shqyrtohet edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, por dy propozimet kanë mundësi të vogla të kalojnë përgjatë Kongresit republikan dhe Trampi sipas gjitha gjasave do t’i refuzonte edhe nëse miratohen, theksojnë mediat amerikane. 

Otavë – Kryeministri kanadez, Mark Karni mbrëmë deklaroi se lufta ndërmjet SHBA-së dhe Izraelit me Iranin përfaqëson “edhe një shembull për dështim të rendit ndërkombëtar”. Karni, në kumtesë, i kritikoi dy vendet për atë që nuk ishin konsultuar me aleatët. Ai theksoi se edhe pse Kanadaja e vlerëson programin bërthamor iranian “kërcënim serioz global”, vendi gjithashtu bën thirrje për “përshkallëzim të shpejtë të armiqësive” dhe është “i gatshëm të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi”. "Pavarësisht dekadave me rezoluta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, punës së palodhur të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore dhe një sërë sanksionesh dhe kornizash diplomatike, kërcënimi bërthamor iranian mbetet. Dhe tani SHBA-ja dhe Izraeli kanë vepruar pa angazhuar Kombet e Bashkuara ose pa u konsultuar me aleatët, përfshirë Kanadanë", tha Karni.

Bejrut – Të paktën katër persona janë vrarë, ndërsa gjashtë janë plagosur në një sulm izraelit mbi një ndërtesë katër katëshe në qytetin lindor libanez Baalbek, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë në nxjerrjen e familjeve nga nën rrënojat, njoftoi sot agjencia shtetërore libaneze NNA. Sulmi është pjesë e përshkallëzimit të ashpër të luftërave përgjatë kufirit libanez-izraelit, pasi Hezbollahu qëlloi dronë dhe raketa drejt Izraelit. Që atëherë, grupi që ka lidhje nga Irani vazhdoi të lëshojë raketa, ndërsa Izraeli kreu valë të sulmeve ajrore përgjatë Libanit dhe dërgoi ushtarë në jug. 

Tel Aviv - Armata izraelite mëngjesin e sotëm publikoi se kishte goditur dhjetëra objektiva në Iran, duke përfshirë qendrat e komandës në Teheran. "Pak kohë më parë, forcat ajrore Izraelite, të udhëhequra nga shërbimet e inteligjencës, përfunduan një valë tjetër sulmesh që synonin qendrat komanduese të regjimit terrorist iranian në të gjithë Teheranin", theksohet në kumteësn e armatës. "Si pjesë e këtyre sulmeve, armata qëlloi dhjetëra raketa në qendrat e komandës së Sigurisë së Brendshme", shtohet në kumtesë.

Tel Aviv – Një aeroplan luftarak F-35I i Forcave Ajrore izraelite rrëzoi pak më parë një aeroplan iranian Jak-130 të prodhimit rus mbi Teheran, kumtoi IDF. Ky është rrëzimi i parë i një aeroplani me ekuipazh nga një F-35. Gjithashtu, kjo është hera e parë pas rreth 40 viteve që Forcat Ajrore izraelite përfshihen në një përballje ajër-ajër me aeroplanë me ekuipazh.

Kolombo – Të paktën 101 persona janë zhdukur, ndërsa 78 janë lënduar pas sulmit nga nëndetësja mbi një anije iraniane përgjatë bregut të Sri Lankës, deklaruan për Rojters burime nga marina dhe Ministria e Mbrojtjes së Sri Lankës. Ministria e Punëve të Jashtme të Sri Lankës paraprakisht njoftoi se ushtria e vendit ka shpëtuar 30 persona nga një anije iraniane që po fundoset. Marina e Sri Lankës ka dërguar mision shpëtimi pas thirrjes për ndihmë nga anija iraniane, deklaroi paraprakisht zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes. Ministri i Punëve të Jashtme, Vixhita Herat nuk dha hollësi shtesë, por tha se Sri Lanka do të ndërmarrë masa adekuate. 

Teheran - Interneti në Iran është tërësisht i ndërprerë më shumë se 84 orë, sipas të dhënave të shërbimit ndërkombëtar për ndjekjen e internetit NetBlocks. "Të dhënat e rrjetit tregojnë se Irani është shkëputur nga interneti më shumë se 84 orë", kumtoi NetBlocks në "X", duke paralajmëruar se qasja në internet të hapur është shpëtim në kohëra të krizës, ndërsa ndërprerja e internetit tregon mosrespektim të së drejtës së opinionit që të mbetet i informuar dhe të angazhohet për të ardhmen e vendit të tij.

Teheran - Shefi i diplomacisë iraniane, Abas Aragçi, sot në platformën Iks akuzoi presidentin amerikan, Donald Tramp, për "tradhti ndaj diplomacisë dhe amerikanëve që e zgjodhën atë" me çka duke nisur një sulm gjatë bisedimeve mbi programin bërthamor të Iranit. “Kur negociatat komplekse bërthamore trajtohen si një transaksion me pasuri të paluajtshme dhe kur gënjeshtrat e mëdha errësojnë realitetin, pritjet jorealiste nuk mund të përmbushen kurrë”, shkroi Aragçi në Iks."Rezultati? Bombardim i tryezës së negociatave nga inati", shtoi ministri i Punëve të Jashtme të Iranit. 

Teheran - Irani nuk ka ndërmend të negociojë me SHBA-në dhe mund të vazhdojë të luftojë në të gjithë Lindjen e Afërt për aq kohë sa të jetë e nevojshme, deklaroi Mohamed Mokber, një ndihmës i lartë i ish-liderit suprem Ali Hamnei, transmetuan nga televizioni shtetëror iranian. Ai për shtëpinë mediatike kombëtare deklaroi se Irani “nuk u beson amerikanëve dhe nuk ka bazë për asnjë negociatë me ta”, duke shtuar se “ne mund ta vazhdojmë luftën për aq kohë sa të duam”, transmetoi "Tajms of Izrael". l

Teheran - Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Hamnei i vrarë, do të dërgohet në një ceremoni e cila fillon sonte në orën 22 sipas kohës lokale në hapësirat e lutjeve "Imam Homeini" në Teheran, njoftuan mediat shtetërore. Këshilli i koordinimit të zhvillimit islamik kumtoi se ceremonia do të fillojë sonte dhe do të zgjasë tre ditë, transmetoi Tasnim. Udhëheqësi i këshillit deklaroi se planet për të organizuar varrimin e Hamneit janë duke u zhvilluar. Ceremonia komemorative tre-ditore fillon sonte me mbledhjen e mbështetësve në sallën e lutjeve në Mosalinë e Madhe në Teheran, ndërsa detajet e procesionit të varrimit dhe vetë varrimit ende nuk dihen.

Teheran - Organi klerikal iranian, Kuvendi i ekspertëve, ka zgjedhur Moxhtaba Hamnei, djalin e të ndjerit Ali Hamneit, si udhëheqësin e ri suprem të Republikës Islamike, njoftoi portali Iran Interneshënëll, duke cituar "burime të informuara" tëcilat kërkuan të mbeteshin anonime. Sipas të njëjtave burime, procesi i tranzicionit të shpejtë të pushtetit dhe vetë përzgjedhja e liderit të ri u kryen nën presion të fortë. Vendimi i Kuvendit të ekspertëve, e cila duhej të mblidhej virtualisht për shkak të sulmeve të fundit ushtarake në komplekset e saj, konfirmon qëllimin e Teheranit për të ruajtur një kurs të vendosur radikal dhe për të siguruar vazhdimësinë e regjimit. Vendimi nuk është publikuar ende zyrtarisht dhe pritet të publikohet pasi të varroset Ali Hamneit, vëren portali iranian.

Madrid – Kryeministri spanjoll, Pedro Sançez, duke iu përgjigjur kërcënimit të presidentit amerikan Donald Tramp se mund ta ndërpresë tregtinë me Spanjën për shkak të qëndrimit të saj për luftën në Iran, deklaroi sot se qëndrimi i Qeverisë spanjolle është i qartë, “jo për luftën”. Sançezi shtoi se sot do t’i flasë kombit, njoftoi “Pais”.  Kryeministri spanjoll dje ishte i prerë se vendi i tij nuk do të marrë pjesë në veprime ushtarake, as se do ta mbështesë përshkallëzimin e konfliktit. 

QËNDRONI TË LIDHUR