9:00/ 14 prill/ 2026
Shkup- Kryeministri Hristijan Mickoski sot do të marrë pjesë dhe do të mbajë fjalim në shënimin e 34-vjetorit të themelimit të Drejtorisë doganore të Maqedonisë. Siç kumtuan nga Drejtoria doganore, në ceremoninë që do të mbahet në Filarmoninë e Maqedonisë, është paralajmëruar një video-fjalim nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska dhe e drejtorit të Drejtorisë doganore, Boban Nikolovski.
Shkup - Shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral-major Sashko Lafçiski, komandant i Komandës së operacioneve, gjeneral i brigadës, Mirçe Gjorgoski dhe drejtori i stërvitjes kombëtare "Shkëlqimi 26", nënkoloneli Igor Arsovski, sot në Shtatmadhorinë e Armatës do të informojnë për fillimin e aktiviteteve stërvitore. Stërvitja do të mbahet nga 19 deri më 27 prill dhe do të zhvillohet në disa lokacione, duke përfshirë: poligonin e armatës "Krivollak", kazermën "Jane Sandanski" në Shtip, "Mirçe Acev" në Prilep dhe "NH Strasho Pinxhur" në Petrovec.
Shkup - Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe periudha me diell. Pasdite dhe gjatë natës në pjesët jugore dhe perëndimore do të ketë reshje lokale shiu. Do të fryjë erë mesatare, ndërsa në disa vende përgjatë lumit Vardar e fortë nga drejtimi juglindor me shpejtësi mbi 60 km/orë. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 4 deri në 10 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijnë prej 17 deri në 22 gradë. Në Shkup, paradite me diell, ndërsa pasdite me vranësira të ndryshueshme. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga drejtimi juglindor. Temperatura minimale do të bjerë në 8, ndërsa ajo maksimale do të arrijë 21 gradë.
Bruksel - Bashkimi Evropian do të ashpërsojë rregullat për importet e çelikut, me qëllim mbrojtjen e prodhuesve vendas nga rritja e konkurrencës në tregun botëror. Përfaqësuesit e shteteve anëtare dhe Parlamenti Evropian mbrëmë vonë ranë dakord për të kufizuar kuotën vjetore për importet e çelikut pa dogan në 18,3 milionë ton, që përfaqson ulje prej rreth 47 për qind krahasuar me nivelin e mëparshëm. Importet shtesë mbi kuotën e përcaktuar do t'i nënshtrohen një dogane prej 50 përqind, dyfishi i normës së mëparshme, theksohet në kumtesë. Çeliku i lirë nga Kina, India dhe Turqia po ushtron presion të fortë mbi prodhuesit evropianë, ndërsa masat e reja synojnë të mbrojnë tregun e Unionit nga furnizimi i tepërt global.
Meksiko Siti - Autoritetet në Haiti kanë arrestuar shtatë zyrtarë pas një stampedo vdekjeprurëse në të cilën u vranë 25 persona në një kështjellë historike në veri të vendit, kumtoi dje policia. Midis të arrestuarve janë pesë policë nga komuna veriore e Milotit dhe dy punonjës të Institutit kombëtar për mbrojtjen e trashëgimisë. Ata janë arrestuar dhe janë marrë në pyetje, kumtoi policia kombëtare, pa specifikuar akuzat. Incidenti ndodhi të shtunën në Citadel Laferier në Millot, një vend i trashëgimisë botërore të UNESKO-s. Arrestimet pasuan një vizitë në vendngjarje nga ana e njësisë speciale të policisë kriminale si pjesë e një hetimi.
Teheran – Presidenti iranian Masud Pezeshkian fajësoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mossuksesin në bisedimet e fundit paqësore në Islamabad, duke përmendur ato që i përshkroi si kërkesa të tepërta dhe mungesë të vullnetit politik midis zyrtarëve të lartë amerikanë. Në bisedën telefonike me presidentin francez, Emanuel Makron, Pezeshkian tha se faktorë të ndryshëm kanë penguar arritjen e një marrëveshjeje, publikoi dje televizioni shtetëror iranian në gjuhën angleze Press TV. “Pavarësisht mirëkuptimit të arritur nga ekspertët midis palëve, teprica dhe mungesa e vullnetit politik midis zyrtarëve të lartë amerikanë penguan finalizimin e marrëveshjes”, u citua Pezeshkian.
Uashington - Në sulmet ajrore amerikane ndaj një anijeje që transportonte trafikantë të dyshuar për drogë në Paqësorin lindor humbën jetën dy persona, kumtoi dje ushtria amerikane. Komanda Jugore e SHBA-së kumtoi se "dy narko-terroristë meshkuj u vranë" në një "sulm kinetik vdekjeprurës" ndaj një anijeje që SHBA-ja pretendon se "po kalonte nëpër rrugë të njohura të trafikimit të drogës në Paqësorin Lindor dhe ishte e përfshirë në operacione të trafikimit të drogës". Në muajt e fundit, presidenti amerikan, Donald Tramp, vazhdimisht ka urdhëruar sulme ndaj anijeve në Karaibe dhe Paqësorin lindor, duke përmendur përpjekjet për të frenuar trafikun ndërkufitar të drogës.
Uashington – Bisedimet ndërmjet SHBA-së dhe Iranit sollën “përparim të rëndësishëm”, edhe pse nuk është arritur marrëveshje përfundimtare, deklaroi nënpresidenti amerikan Xhej Di Vens. Vens në deklaratën për televizionin amerikan „Fox News“ tha se nuk mund të thotë se bisedimet nisën ndryshe. “Përkundrazi, kishte edhe momente pozitive. Arritëm përparim të madh”, deklaroi duke shtuar se pala iraniane ka bërë disa lëshime të caktuara, por të pamjaftueshme. Bisedimet e mbajtura gjatë fundjavës në Islamabad zgjatën rreth 21 orë, si përpjekje që të arrihet marrëveshje për ndërprerjen e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Uashington – Presidenti amerikan, Donald Tramp deklaroi se "SHBA-ja ndoshta do të kthehet në Kubë” pasi të "përballet me Iranin". Ai u tha gazetarëve se shumë qytetarë amerikanë me prejardhje kubaneze ishin “trajtuar shumë keq” dhe se shumë nga familjet e tyre ishin vrarë ose rrahur, transmetoi BTA. “Kuba është një shtet i dështuar”, tha Trampi, duke shtuar se ishulli i Karaibeve “u sundua në mënyrë të tmerrshme për shumë vite” nga revolucionari komunist Fidel Kastro. Presidenti kubanez Migel Diaz-Kanel paralajmëroi dje Uashingtonin që të mos e përshkallëzojë konfliktin midis dy vendeve në një konfrontim ushtarak.