• e hënë, 13 prill 2026
MIA Flesh

18:00/ 10 prill/ 2026

Shkup – Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski në Uashington u takua me drejtorin e Agjencisë për Bashkëpunim të Sigurisë (ANS) të SHBA-së, Majk Miler.  “Takime të rëndësishme dhe bashkëpunim strategjik! Investimi në kapacitetet mbrojtëse mbetet prioriteti ynë kryesor, duke pasur parasysh rolin e tyre kyç në sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë së rajonit”, shkroi Misajllovski në profilin e tij në Fejsbuk. Në takim, informon Misajllovski, kanë biseduar për bashkëpunimin e deritanishëm të suksesshëm ndërmjet dy shteteve të sferën e mbrojtjes, i cili realizohet përmes programeve për mbështetje përmes të cilave SHBA-ja siguron financim, pajisje dhe mbështetje për vendet aleate. 

Shkup– Në vendkalimin kufitar “Bogorodicë” prej dje në mesditë e deri më sot në mesditë nga vendi ynë kanë dalë 6.864 qytetarë të Maqedonisë së Veriut, ndërsa kanë hyrë 1.394. Në periudhën e njëjtë është regjistruar hyrje në shtet e 4.753 shtetasve të huaj dhe dalje e 5.070, informojnë për MIA-n nga Ministria e Punëve të Jashtme, pas fillimit të sotëm të zbatimit të plotë të sistemit të ri digjital të Bashkimit Evropian, EES, për hyrje dhe dalje nga zona Shengen. 

Tetovë – Është hapur stacion zjarrfikës për komunat Tearcë dhe Jegunoc, në afërsi të fshatit Leshkë në rrugën magjistrale Tetovë – Jazhincë. Me lëshimin e tij në përdorim dukshëm do të ulet koha e nevojshme për shuarjen e zjarreve dhe ndërhyrjeve të tjera në këtë pjesë të Rajonit të Tetovës. Stacioni zjarrfikës është pjesë e e brigadës zjarrfikëse në Komunën Tetovë, ndërsa në të për momentin do të shërbejnë 8 zjarrfikës nga Tetova.  “Hapja e këtij stacioni zjarrfikës është në kuadër të projektit tonë për zgjerimin e kapaciteteve të njësisë së zjarrfikësve në Tetovë. Filluam në komunën e Zhelinës, dhe sot jemi këtu për ta promovuar këtë stacion, i cili do të mbulojë komunat e Tearcës dhe Jegunocit. Do ta vazhdojmë këtë aktivitet edhe në të ardhmen dhe presim që një stacion i tillë zjarrfikës të hapet edhe për komunat e Bogovinës dhe Bërvenicës”, deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami.

Gostivar- Zjarrfikësit në Gostivar përfitojnë një rritje të konsiderueshme të pagave, e cila në total arrin deri në 40 për qind në pagën bazë, në përputhje me marrëveshjen për harmonizimin e pagave  të nënshkruar nga zjarrfikësit dhe Kryetari i Komunës së Gostivarit,  Valbon Limani.  "Sipas marrëveshjes, rritja e pagës bazë realizohet përmes sistemit të pikëve dhe pozicioneve të punës, duke reflektuar përvojën dhe përgjegjësinë e secilit zjarrfikës. Kjo përbën një rritje të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme në të ardhurat mujore", theksohet në kumtesën nga komuna e Gositvarit.

Prishtinë - Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, priti në takim Vasfije Krasniqi Godmanin dhe Shyhrete Tahirin, të cilat, janë emëruar të deleguara të posaçme për çështjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, njoftoi Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës (ZPRK). Gjatë takimit u vlerësua guximi dhe qëndrueshmëria e tyre, si dhe roli i rëndësishëm që kanë luajtur në thyerjen e heshtjes dhe në kërkimin e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. U theksua se zëri i tyre ka ndihmuar që kjo çështje të trajtohet me dinjitet dhe seriozitet, si në vend ashtu edhe në arenën ndërkombëtare dhe se angazhimi i tyre tashmë ka edhe dimension institucional.

Bruksel– Nga fillimi i vendosjes në etapa të sistemit të ri për kontroll kufitar në Bashkimin Evropian vitin e kaluar në tetor, mbi 27.000 personave u është refuzuar hyrja në bllok, njoftoi sot Komisioni Evropian. Në mesin e personave të cilëve u është ndaluar hyrja, rreth 700 përfaqësonin kërcënim të drejtpërdrejt për sigurinë.  "Mbi 52 milionë hyrje dhe dalje janë regjistruar që nga fillimi i zbatimit. Komisioni mirëpret vendosjen e plotë të këtij sistemi të ri të hyrjeve dhe daljeve në BE(EES)", thuhet në kumtesë. Falë kontrolleve të reja të automatizuara, regjistrimi i një udhëtari zgjat mesatarisht 70 sekonda, duke e përshpejtuar ndjeshëm procedurën.

Kiev - Ushtarë ukrainas ndihmuan në refuzimin e sulmeve iraniane me dronë ndaj vendeve të Gjirit Persik gjatë konfliktit me Iranin, deklaroi presidenti Volodimir Zelenski.  “A i shkatërruam dronët iranianë ‘Shahed’? Po. A ndodhi vetëm në një vend? Jo, në disa. Dhe sipas mendimit tim, ky është një sukses”, shkroi Zelenski në platformën Iks, duke transmetuar një pjesë të një bisede me gazetarët. Ekspertë ushtarakë ukrainas u vendosën në Lindjen e Mesme në mes të luftës me Iranin, ndërsa Kievi ka ndihmuar disa vende në menaxhimin me sisteme për rrëzimin e dronëve. Rusia ka zhvilluar luftë në Ukrainë për më shumë se katër vjet, duke përdorur intensivisht dronët "Shahed" të projektuar nga Irani.

Nju Jork – Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca i bëri thirrje Serbisë që ta pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, transmetojnë mediat e Kosovës.  Ai këtë e deklaroi mbrëmë në fjalimin në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara kushtuar Kosovës. Konjufca theksoi se Kosova mbetet e gatshme për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore ndërshtetërore, po vlerësoi se pengesa kryesore për paqen dhe normalizimin edhe më tutje është Serbia.  Ai shtoi se Beogradi jo vetëm që nuk është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe për afrimin drejt Bashkimit Evropian po vazhdon ta ruajë qëndrueshmërinë rajonale si “peng” përmes, siç tha, qasjes hegjemoniste.

Bruksel – Aeroportet evropiane ka mundësi të përballen me mungesë “sistematike” të aero – karburantit nëse lundrimi përgjatë Ngushticës së Hormuzit nuk normalizohet në tri javët e ardhshme, paralajmëroi organizata “ACI Evropa” (ACI Europe), transmeton “Fajneshëll tajms”. Në letrën dërguar komisarit evropian për Transport, Apostollos Cicikostas, organizata thekson se rezervat e karburantit po ulen, përderisa aktivitetet ushtarake edhe më shumë e rëndojnë furnizimin. Nëse nuk vendoset kalim stabil përgjatë Ngushticës së Hormuzit, mungesa mund të bëhet realitet përgjatë gjithë Bashkimit Evropian. 

QËNDRONI TË LIDHUR