• e enjte, 09 janar 2025
MIA Flesh

9:00/ 8 janar/ 2025

Shkup – Kryetar komune, prokuror publik, gjykatës dhe ish zëvendëskryeministër u gjetën në “listën e zezë” të Departamentit të Shtetit amerikan për shkak të “korrupsionit të lartë”. Emërimet e viteve të kaluara të politikanëve, nëse krahasohen me emrat e mëparshëm të cilët u gjetën aty nuk janë ndonjë befasi e madhe për publikun në Maqedoninë e Veriut. Përderisa emërimet e politikanëve si ish kryeministri Nikolla Gruevski, zëvendëskryeministrat Koço Angushev dhe Artan Grubi dhe kryetarët e komunave Ramiz Merko dhe Stevço Jakimovski, publiku në përgjithësi i përjetoi si diçka që pritej, “lëvizje” më e madhe dhe konfirmim për nevojën për remont të sistemit janë emërimet e atyre të cilët janë në anën e drejtësisë ose të paktën “duhet” të shihen si të tillë – ish prokurorja speciale publike Katica Janeva dhe gjykatësi i apelit Enver Bexheti.  Nëse Uashingtoni ka mundur të grumbullojë dëshmi, atëherë mundeni edhe ju, porositi ambasadorja amerikane, duke theksuar se ato janë dëshmi të cilat janë në dispozicion gjerësisht dhe se tani radhën e kanë organet e rendit dhe gjyqësisë në vend.

Shkup - Të premten deputetët kthehen në punë, ndërsa në seancën e parë plenare janë caktuar interpelancat për zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti, zëvendëskryeministrin dhe ministrin për Marrëdhënie mes Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, zëvendës ministrin e Punëve të Brendshme, Astrit iseni dhe deputeten dhe kryetaren e Komisionit të Kuvendit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti. Fillimi i seancës së 29-të, sipas informatave të ueb faqes së Kuvendit, u caktua për në ora 11. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi më 26 dhjetor tha se çdo interpelancë do të shqyrtohet posaçërisht dhe se mund të diskutohet tërë ditën, varësisht nga ajo sa deputetë janë paraqitur për fjalë. Megjithatë, në fund të ditës duhet të votohet.

Shkup - Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai në intervistë për emisionin ZOOM në TVM2, ka theksuar se qeveria e kaluar ka dhënë pëlqim për heqjen e balancuesit. Sipas tij, anëtarët e gjykatës kushtetuese të votuar nga LSDM dhe BDI e kanë votuar heqjen e balancuesit. Fetai thotë se shumë shpejtë do të kemi edhe mekanizëm ligjorë që do të zgjidhë këtë problem 22 vjeçarë me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.

Shkup - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot do të marrë pjesë në hapjen e klonit të kopshtit për fëmijë “Vera Ciriviri Trena” dhe të sallës sportive nën balon në kuadër të shkollës fillore rajonale “Goce Dellçev” në vendbanimin "Tri Çeshmi" në Komunën e Shtipit. Kloni i kopshtit për fëmijë “Vera Ciriviri Trena” është financuar nga buxheti i Komunës së Shtipit, me vlerë prej 2.500.000 denarë. Është bërë adaptimi i një hapësire të pashfrytëzuar në shkollën rajonale “Goce Dellçev”, duke siguruar kushte për edukimin dhe kujdesin e rreth 40 fëmijëve nga "Tri Çeshmi". Salla sportive në kuadër të shkollës rajonale “Goce Dellçev” është financuar një vit më parë nga teprica e bllok-donacioneve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në buxhetin e Komunës së Shtipit. Vlera e projektit tejkalon 10.000.000 denarë.

Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa ndërprerje, në kushte dimërore, nëpër rrugë kryesisht të lagështa. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti, kumtoi LAMM.  Ura mbi lumin Vardar në rrugën rajonale R1312, afër fshatit Bashino, është e mbyllur për të gjitha llojet e qarkullimit. Aksi rrugor Ohër – Resnjë, përmes Parkut kombëtar të Galiçicës, nga data 15.11.2024 është i mbyllur për qarkullim për të gjitha llojet e automjeteve. 

Shkup – Moti sot do të jetë me diell dhe relativisht i ngrohtë me vranësira të vogla deri mesatare dhe me erë të lehtë deri mesatare nga drejtimi jugor. Nëpër disa lugina do të ketë paraqitje të mjegullës ose vranësira të ulëta dhe temperaturë më e ulët e ditës.  Sinoptikët paralajmërojnë temperaturë minimale në interval prej -2 deri 4 dhe maksimale prej 6 deri 15 gradë. Në Shkup kryesisht vranët dhe qetë me paraqitje të mjegullës. Temperatura minimale do të bie deri në -1, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 6 gradë. Deri të premten moti do të jetë i qëndrueshëm me erë të lehtë, në disa vende mesatare jugore. Nëpër lugina do të ketë paraqitje të mjegullës ose vranësira të ulëta dhe temperaturat do të mbeten më të ulëta. Në vendet e tjera do të jetë relativisht ngrohtë, veçanërisht në male ku do të ketë shkrirje graduale të shtresës së borës.

Kiev - Shefi i diplomacisë ukrainase Andrij Sibiha deklaroi se është anuluar vizita e të dërguarit të posaçëm të presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Tramp për në Ukrainë dhe Rusi. Ishte planifikuar që gjenerali i pensionuar Kit Helog ta vizitojë Ukrainën. Ai gjatë kohë ishte këshilltari kryesor i Trampit për mbrojtje.  "Kam besim se takimi do të mbahet në kohën e duhur", theksoi Sibiha, pa specifikuar se kur do të realizohet vizita e Kelog në Ukrainë.

Londër - Të reshurat e mëdha të shiut shkaktuan përmbytje në disa pjesë të Anglisë, ndërsa për shkak të borës përkohësisht janë mbyllur aeroportet në Mançester dhe Liverpul, në Anglinë veriperëndimore dhe në Aberdin, Skocia verilindore. Gjatë ditëve të kaluara janë lëshuar mbi 200 paralajmërime për rrezik nga përmbytjet, pasi janë vërshuar lumenjtë. Paralajmërime për përmbytje të rrezikshme për jetë është lëshuar për lumin Soar në Lestershir. Disa linja hekurudhore dhe rrugë kryesore po ashtu janë mbyllur për shkak të sipërfaqeve të lagështa dhe të ngrira, ndërsa bora dhe ngricat shkaktuan ndërprerje në Anglinë veriore dhe Skoci.

Uashingon - Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Tramp dje deklaroi se vendet nga NATO duhet të shpenzojnë pesë për qind nga bruto prodhimi vendor (BPV) për mbrojtje, që është më shumë se objektivi aktual prej dy për qind.  "Të gjithë munden ta lejojnë këtë, por ata duhet të jenë në pesë për qind, e jo në dy për qind, tha ai gjatë konferencës për shtyp në pushimoren e tij Mar-a-Lago në Florida. "Unë jam ai që i kam bërë të paguajnë dy për qind", vazhdoi ai. Trampi, i cili kthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, gjatë kohë ishte një kritik i NATO-s, duke pohuar se shumë anëtare evropiane nuk duan të paguajnë për mbrojtjen e tyre dhe në vend të kësaj mbështeten te taksapaguesit amerikanë.

Uashington - Komiteti i punëve të jashtme i Senatit amerikan javën e ardhshme do të mbajë seancë dëgjimore për konfirmimin e nominimit të presidentit të sapozgjedhur Donald Tramp për sekretar shtetëror, deklaroi zëdhënësi i Komisionit. Seanca dëgjimore për nominimin e senatorit republikan, Marko Rubio, anëtar i lartë i Komitetit për marrëdhënie të jashtme dhe kandidat i Trampit për sekretar shtetëror, do të mbahet më 15 janar. Pritet nominimi të konfirmohet pasi republikanët kanë shumicë në Senat.

Uashington - Zëvendës sekretari shtetëror për menxhim dhe burime i SHBA-së, Riçard Verma, prej dje e deri më 11 janar do të qëndrojë për vizitë në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, u publikua në ueb faqen e Departamentit të Shtetit. Siç u paralajmërua, Verma në Prishtinë do të bisedojë për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin përmes dialogut me përkrahje të BE-së, përforcimin e menaxhimit dhe sundimin e së drejtës dhe për promovimin e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike.

Karakas – Dy shtetas amerikanë janë arrestuar në Venezuelë, njoftoi presidenti Nikollas Maduro dhe sipas tij, ata ishin pjesë e grupit prej shtatë “mercenarëve”.  Maduro, i cili tha se shtetasit e arrestuar amerikanë janë “në nivel shumë të lartë”, nuk dha hollësi shtesë ose dëshmi për arrestimet.  “Vetëm sot kapëm shtatë mercenarë të huaj, duke përfshirë edhe dy mercenarë të rëndësishëm nga SHBA-ja”, tha Maduro, i cili mandatin e tretë do ta marrë të premten pas zgjedhjeve kontestuese në korrik të vitit të kaluar, në të cilat opozita thotë se kanë fituar me dallim të madh. 

Uashington- SHBA-ja vendosi sanksione kundër shefit të kabinetit të kryeministrit hungarez Viktor Orban lidhur me "përfshirjen e tij në korrupsion" në atë vend, thuhet në kumtesën e Ministrisë amerikane të financave.  Antal Rogan, i cili është përgjegjës për kontrollin e shërbimeve të intelegjencës dhe mediave, akuzohet për "orkestrimin e sistemeve të korrupsionit për të kontrolluar sektorët strategjikë të ekonomisë hungareze dhe për riorientimin e të ardhurave në dobi të tij dhe në dobi të mbështetësve besnik të partisë së tij politike. 

Uashington – Nënpresidentja amerikane Kamalla Haris planifikon ta përfundojë mandatin e saj me vizita në Singapor, Bahrein dhe Gjermani, njoftoi kabineti i saj. Udhëtimi, i planifikuar që të zgjasë prej 13 deri 17 janar, do të jetë mundësia e fundit për Harisin që të punojë në sfidat e politikës së jashtme amerikane para inaugurimit të presidentit të porsazgjedhur Donald Tramp më 20 janar.  Edhe pse ajo nuk i zbuloi hapat e saj të ardhshëm pas humbjes në zgjedhjet presidenciale, vizitat sugjerojnë se Harisi ndoshta do të dëshirojë të vazhdojë të luajë rol në skenën botërore. Gjithashtu, ekzistojnë paralajmërime se Harisi mund të kandidohet për guvernatore të Kalifornisë, informuan mediat amerikane. 

Los Anxhelos - Një zjarr pyjor shpërtheu në një pjesë të pasur të Los Anxhelosit, duke shkatërruar shtëpi dhe duke shkaktuar bllokime trafiku ndërsa 30.000 njerëz janë evakuuar. Të paktën 510 hektarë të zonës Palisades të Paqësorit midis Santa Monika dhe Malibu janë djegur, kumtuan autoritetet, pasi tashmë paralajmëruan për rrezik ekstrem nga zjarri për shkak të erërave të forta pas një thatësire të gjatë. Media amerikane njoftuan për një numër të madh të shtëpive në flak.

Seul – Gjykata në Seul mbrëmë përsëri dha urdhër për arrestim të presidentit të Koresë së Jugut, Jun Suk – jol, i cili është akuzuar për kryengritje dhe ishte votuar revokimi i tij. Protestuesit dhe mbështetësit e Jun edhe sot janë para pallatit presidencial. Shërbimi i sigurisë presidenciale javën e kaluar vendosi tela me gjemba dhe barrikada para pallatit presidencial, duke e bllokuar qasjen te Jun, i cili refuzon të paraqitet në intervistim.  Jun është nën hetim për kryengritje për shkak të shpalljes së tij të gjendjes së luftës më 3 dhjetor, gjë që e tronditi Korenë e Jugut dhe solli urdhrin e parë për arrestim të presidentit aktual. Kundër Jun zhvillohet edhe një proces gjyqësor para Gjykatës Kushtetuese pasi më 14 dhjetor ishte votuar revokimi i tij për shkak të shpalljes së gjendjes së luftës.

Otava - Kryeministri kanadez në largim, Xhastin Trudo e ka hedhur poshtë deklaratën e presidentit të sapozgjedhur amerikan, Donald Tramp se mund të përdor "fuqi ekonomike" që ta bëjë Kanadanë shtetin e 51-të amerikan. "Nuk ka gjasa që Kanada të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara. Punëtorët dhe komunitetet në dy vendet tona kanë dobi nga ajo që mes vete janë partnerë më të mëdhenj tregtarë dhe të sigurisë", tha Trudo në publikimin në "X". Paraprakisht, ministrja kanadeze e Punëve të Jashtme Melani Xholi tha se komentet e Trampit "tregojnë mosmarrëveshje të plotë të asaj që e bën Kanadanë vend të fuqishëm", duke shtuar se Kanada "asnjëherë nuk do të gjunjëzohet para kërcënimev

Londër - Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, pas humbjes së mbrëmshme nga Njukasëll me rezultatin 2:0 në ndeshjen e parë të gjysmëfinales në Liga kupën angleze, tha se në Premier Ligë ekipet luajnë me topa nga prodhues të ndryshëm. "Thjeshtë është e ndryshme, shumë më ndryshe se topi në Premier Ligë dhe duhet të përshtateni në të, pasi lëviz më ndryshe", deklaroi Arteta. Ndehsja kthyese do të luhet në Njukasëll më 5 shkurt. Në përballjen tjetër gjysmëfinale sonte me fillim në ora 21:00 në Londër do të luajnë Totenhemi me Liverpulin.

 

QËNDRONI TË LIDHUR