• e premte, 05 korrik 2024

Mexhiti: "VLEN" është faktori i ri politik i cili do t'i përfaqësojë interesat e shqiptarëve

Mexhiti:

Shkup, 8 maj 2024 (MIA) - Lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti i cili është pjesë e opozitës së bashkuar shqiptare "VLEN" sonte në konferencë për media në selinë e partisë në Shkup deklaroi se prej sot "VLEN" është faktori i ri politik serioz i cili me dinjitet do t'i përfaqësojë shqiptarët. 

"Sot shqiptarë të nderuar partia e cila qeverisi me institucionet 22 vite e tregoi fytyrën e saj të vërtetë. Më në fund ranë maskat. Me bojkot BDI-ja për fat të keq bëri përpjekje që ta kthejë organizimin politik të shqiptarëve në Maqedoni në nivelin para politik. Partia e cila në zgjedhje doli nën emrin Fronti Evropian, partia e cila 22 vite mburrej si subjekt i vetëm proevropian në shtet, partia e cila edhe në këtë fushatë foli si shumë shpejtë do të integrohet në BE, sot e bojkotoi procesin e zgjedhjeve. Akt primitiv dhe jodemokratik dhe para së gjithash akt në kundërshtim me çdo standard evropian demokratik dhe parim i cili krijon imazh të hidhur për shqiptarët në botë. Publikisht e pyesim ministrin e punëve të jashtme Bujar Osmani i cili suksesin e tij më të madh e shpalli kryesimin me OSBE-në si do ta arsyetojë bojkotin e zgjedhjeve dhe sjellen primitive në ditën e zgjedhjeve nesër para partnerëve ndërkombëtarë", tha Mexhiti. 

Për ditën e zgjedhjeve tha se ishte gjithçka, vetëm jo demokratike dhe se institucione shtetërore të cilat kanë për detyrë ta garantojnë procesin përsëri ishin në shërbim të BDI-së. Në teren, veçanërisht në vendvotime, siç theksoi Mexhiti, janë vërejtur zëvendësministra, ministra, drejtorë dhe funksionarë të tjerë partiakë dhe pjesëmarrja e tyre është dokumentuar. Paralajmëroi se gjatë ditëve në vijim për këtë do të informohen përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe misionet vëzhguese në vend dhe jashtë vendit. 

Qeveria e re, tha Mexhiti, do ta reflektojë vullnetin e shumicës së votuesve shqiptarë, duke e përfshirë edhe shumicën e Badenterit. Me ditën e sotme, sipas Mexhitit, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti e ka vulosur izolimin e tij nga të gjithë aktorët dhe faktorët relevantë socialë dhe politikë në shtet, si dhe nga partnerët ndërkombëtarë. 

Nga opozita e bashkuar shqiptare po festojnë në sheshin "Skënderbeu" në Shkup, ndërsa konferencën e ardhshme për media, siç paralajmëruan, do ta mbajnë në Tetovë. fc/

Fotografia: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR