• e enjte, 03 tetor 2024

KE nuk dëshiron të komentojë propozimet e ndara për eurokomisarët e rinj

KE nuk dëshiron të komentojë propozimet e ndara për eurokomisarët e rinj

Bruksel, 1 gusht 2024 (MIA) - Komisioni Evropian nuk do të komentojë propozimet individuale për kandidatët për eurokomisarë që i dorëzojnë shtetet anëtare, tha sot zëdhënësja e KE-së, Verle Nats në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve për qëndrimin në lidhje me faktin se një numër i madh i vendeve anëtare të injorojnë kërkesën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen të nominojnë nga burrë dhe një grua si kandidatë për eurokomisarë.

Nats rikujtoi se Fon der Lajen javën e kaluar ka dërguar kërkesë zyrtare deri te vendet anëtare të BE-së për të dorëzuar emrat e kandidatëve për eurokomisarë ku kanë një afat kohor për t'u përgjigjur më së voni deri më 30 gusht.

"Për ne është e rëndësishme të mos komentojmë fare paralajmërimet që japin shtetet anëtare në këtë kontekst, derisa të gjithë emrat së bashku të prezantohen para Parlamentit Evropian për miratim. Deri atëherë nuk do të komentojmë asnjë paralajmërim", ka thënë Nats.

Ajo shtoi se procesi i propozimit ende nuk ka përfunduar dhe duhet të pritet përfundimi i përbërjes së plotë të Komisionit.

Në përgjigjen e pyetjes se si Fon der Lajen planifikon të sigurojë barazi gjinore në numrin e burrave dhe grave në Komisionin e ri, kur shumica e kandidatëve të propozuar për eurokomisarë janë burra, Nats theksoi se presidentja mbetet e përkushtuar ndaj këtij angazhimi dhe prandaj ka kërkuar nga shtetet anëtare që të nominojnë nga dy kandidatë - një burrë dhe një grua.

Në pyetjen nëse do të ketë ndonjë pasojë për vendet që nuk pranojnë një kërkesë të tillë nga Fon der Lajen, Nats u përgjigj se nuk ka gjë tjetër për të shtuar, duke përsëritur qëndrimin e shprehur për afatin deri në të cilin vendet duhet të nominojnë kandidatët dhe se KE nuk do të komentojë propozimet e veçanta.

Në mesin e kandidatëve për eurokomisarë të propozuar nga ana e shteteve anëtare janë 10 burra dhe tre gra. Së bashku me Fon der Lajen dhe kandidaten për përfaqësuese të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, raporti i anëtarëve të KE-së deri tani është 2 me 1 në favor të burrave.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR