• e mërkurë, 26 qershor 2024

Gashi në takim me përfaqësuesit e fondacionit për demokraci Vestminster

Gashi në takim me përfaqësuesit e fondacionit për demokraci Vestminster

Shkup, 25 qershor 2024 (MIA)- Për vazhdimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit, si dhe për realizimin e projekteve të reja, veçanërisht në fushën e transparencës dhe pavarësisë së Dhomës Ligjvënëse, si dhe politikat rinore dhe financiare, bisedoi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në takimin e sotëm me përfaqësuesit e Fondacionit për Demokraci Vestminster në Shkup.

Siç thekson Pres shërbimi i Kuvendit, Gashi theksoi se angazhohet për transparencë më të madhe dhe për afrim të Kuvendit me qytetarët dhe se i mbështet të gjitha projektet që kanë për qëllim forcimin e kapaciteteve dhe pavarësinë institucionale dhe financiare të Dhomës Ligjvënëse.

Përfaqësuesit e Fondacionit për Demokraci Vestminster (VFD) e uruan Gashin për zgjedhjen e tij në këtë funksion, duke theksuar se mezi presin vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm me Kuvendin e RMV-së dhe se presin zbatimin efikas dhe produktiv të projekteve nga Memorandumi i ri i bashkëpunimit i mbështetur nga Ambasada britanike.

Gashi përkujtoi se ky bashkëpunim daton që nga viti 2008, kur ishte nënshkruar Letra e Mirëkuptimit midis Kuvendit, VFD-së dhe Forin Ofis Britanike, me qëllim të forcimit të kapaciteteve të komisioneve dhe shërbimit parlamentar. Ai gjithashtu theksoi se bashkëpunimi me VFD-në shënoi rritje në vitet e fundit, pas nënshkrimit të Memorandumit të ri të Mirëkuptimit në shtator 2017, dhe shprehu besimin dhe gatishmërinë për të investuar plotësisht në zbatimin e projektit "Praktiko Demokracinë", të paraparë me Memorandumin e fundit, nga nëntori 2023, të financuar nga Ambasada Britanike.

Përfaqësuesit e VFD-së ia prezantuan kryetarit të Kuvendit pikat kryesore të Memorandumit të ri të Mirëkuptimit. Në këtë kontekst, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime dhe iniciativa për zbatimin e Programit për Vullnetarizëm në Kuvendin e RMV-së, si dhe për bashkëpunimin e mëtutjeshëm dhe forcimin e kapaciteteve të Zyrës Buxhetore të Kuvendit, Komisionit për Financim dhe Buxhet dhe Klubit për Politikat Rinore, si organ joformal. Gjithashtu, u shpreh i kënaqur që në këtë përbërje parlamentare do të ketë trup të posaçëm të punës për të rinjtë, përkatësisht Komisionin për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini.

 

QËNDRONI TË LIDHUR