Blerant Ramadani kandidat i Aleancës kombëtare për integrim për kryetar të Komunës së Sarajit
- Blerant Ramadani është kandidati për kryetar të Komunës së Sarajit nga Aleanca kombëtare për integrim (AKI). Ramadani është pjesë e krahut të Aleancës për shqiptarët e Arben Taravarit, i cili e kumtoi kandidaturën e tij përmes kumtesës drejtuar mediumeve.
- Post By Arta Bunjaku
- 20:12, 6 gusht, 2025
Shkup, 6 gusht 2025 (MIA) - Blerant Ramadani është kandidati për kryetar të Komunës së Sarajit nga Aleanca kombëtare për integrim (AKI). Ramadani është pjesë e krahut të Aleancës për shqiptarët e Arben Taravarit, i cili e kumtoi kandidaturën e tij përmes kumtesës drejtuar mediumeve.
"Në një kohë kur politika shpesh shihet si fushë e premtimeve boshe, Blerant Ramadani po sjell një frymë krejtësisht të re – atë të dijes, përvojës ndërkombëtare dhe lidershipit modern, të bazuar në rezultate konkrete. Historia e tij është ajo që shumë shqiptarë kanë ëndërruar: një djalë i thjeshtë nga Saraji, që me talent dhe punë të palodhur arrin majat e shkencës botërore dhe tani kthehet për t’ia kthyer komunës së tij dinjitetin dhe zhvillimin që meriton", theksohet në kumtesën e Taravarit.
Ai thekson se Ramadani është doktorant i elektroinxhinierisë në USHCM, me dhjetëra punime shkencore të cialt sot shfrytëzohen si referenca nga ekspertët ndërkombëtarë.
"Sot, si asistent Profesor në Universitetin 'Nënë Tereza', Blerant Ramadani jo vetëm që vazhdon rrugën e shkencës, por edhe formon liderët dhe inxhinierët e së ardhmes, duke investuar dijen e tij te gjenerata e re shqiptare. Me një karrierë ndërkombëtare mbresëlënëse, ai ka përfaqësuar vendin në projektet e NASA-s, është trajnuar nga NATO, ka marrë pjesë në Forumin Botëror të Demokracisë në Strasburg, dhe është alumnus i programit prestigjioz ACYPL – American Council for Young Political Leaders në Washington, si dhe pjesë e Balkan Leaders dhe School for Political Policies. Përvoja dhe rrjeti i tij ndërkombëtar janë kapital i çmuar që Bleranti dëshiron ta vërë në shërbim të komunës së Sarajit", thekson Taravari në kumtimin e kandidaturës së Ramadanit për Sarajin. ab/
Foto: Kumtesë Arben Taravari