• e mërkurë, 02 tetor 2024

Ambasadat e SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe dhe delegacioni i BE-së me dënim për ngjarjet e djeshme në parlamentin shqiptar

Ambasadat e SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe dhe delegacioni i BE-së me dënim për ngjarjet e djeshme në parlamentin shqiptar

Tiranë, 1 tetor 2024 (MIA) - Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dënoi sot aktet e dhunës dhe djegien e karrigeve të Kuvendit në seancën e djeshme parlamentare nga deputetët e opozitës.

Ambasada e SHBA-së me anë të një deklarate për shtyp thekson se është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën.

“Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik. Nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë”, shton më tej Ambasada amerikane.

Ambasada bën të ditur se mbështet diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Mbështesim diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë krah institucioneve shqiptare teksa punojnë për ta sjellë Shqipërinë më pranë bashkësisë euroatlantike”, theksohet në kumtesën e Ambasadës së SHBA-së.

Edhe Ambasada britanike në Tiranë dënoi sot aktet e dhunës dhe djegien e karrigeve të Kuvendit në seancën e djeshme parlamentare nga deputetët e opozitës.

Ambasada britanike thekson se dhuna nuk ka vend në demokraci.

“Ambasada britanike u kërkon të gjitha partive politike shqiptare të angazhohen në dialog konstruktiv dhe procese paqësore parlamentare. Ambasada britanike dënon aktivitetin që synon të minojë këto parime dhe mbetet e përkushtuar për të mbështetur popullin dhe demokracinë e Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e ambasadës britanike.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, bëri thirrje për “uljen e tensioneve dhe shmangien e sulmeve”.

"Pavarësisht se çfarë qëndrimi apo ideje kemi, kjo nuk është një mënyrë për të shprehur një mendim. Kjo është për të ardhur keq. Më duhet të them gjithashtu se në një demokraci funksionale si Shqipëria, pakënaqësitë e llojeve të ndryshme duhet të shprehen në mënyrën e duhur dhe të mos ushtrohet dhunë apo dhuna apo dëmtimi i pronës për të shprehur mendimin”, tha Gonzato. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR