• e mërkurë, 04 shkurt 2026

FT: Ukraina, Evropa dhe SHBA dakordojnë plan armëpushimi në më shumë faza

FT: Ukraina, Evropa dhe SHBA dakordojnë plan armëpushimi në më shumë faza

Kiev, 3 shkurt 2026 (MIA) – Ukraina ka rënë dakord me partnerët e saj perëndimor që çdo shkelje e një marrëveshje të ardhshme armëpushimi nga ana e Rusisë do të shkaktonte një përgjigje ushtarake të koordinuar nga Evropa dhe SHBA, raportoi sot "Fajnenshëll tajms", duke cituar burime të informuara.

Zyrtarët ukrainas, evropianë dhe amerikanë në dhjetor dhe janar e kanë diskutuar planin disa herë dhe ai do të përfshinte një përgjigje shumëfazësh ndaj çdo shkeljeje ruse të armëpushimit të rënë dakord, theksohet në raport.

Përfaqësuesit nga Kievi, Moska dhe Uashingtoni do të takohen në Abu Dabi nesër dhe një ditë pas kësaj për bisedime mbi përfundimin e luftës.

Sipas propozimit, çdo shkelje e armëpushimit nga Rusia do të shkaktonte një përgjigje brenda 24 orëve, duke filluar me një paralajmërim diplomatik dhe nëse është e nevojshme, veprime nga ushtria ukrainase për të ndaluar shkeljen, thekson gazeta.

Nëse armiqësitë vazhdojnë, propozimi do të kalojë në një fazë të dytë ndërhyrjeje duke përdorur forcën nga i ashtuquajturi "koalicion i të përgatiturve" i cili përfshin shumë anëtarë të BE-së, si dhe Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë, Islandën dhe Turqinë, thekson raporti.

Raporti shton se në rast të një sulmi të gjerë, një përgjigje e koordinuar nga forcat e mbështetura nga Perëndimi, përfshirë ushtrinë amerikane, do të aktivizohej 72 orë pas shkeljes fillestare.

Foto: arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR