• e premte, 25 tetor 2024

Zelenski: Ukraina nuk kërkon nga Perëndimi armë bërthamore

Zelenski: Ukraina nuk kërkon nga Perëndimi armë bërthamore

Kiev, 22 tetor 2024 (MIA) - Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski deklaroi se vendi i tij nuk kërkon nga aleatët perëndimorë "armë bërthamore" për të luftuar kundër invazionit rus. 

"Ne nuk kërkojmë që të na jepen armë bërthamore", u tha ai gazetarëve të hënën, deklaratë me embargo deri sot. 

Në fjalimin në Bruksel javën e kaluar, Zelenski tha se Ukraina duhet të ketë "armë bërthamore" nëse nuk mund të bëhet pjesë e NATO-s.

"Ose Ukraina të ketë armë bërthamore, që do të shërbejë si mbrojtje të saj, ose të jetë pjesë e një lloj aleance", tha Zelenski të enjten, duke shtuar se nuk e di për "aleancë më efektive se NATO". 

Presidetnti i Rusisë, Vlladimir Putin, i cili edhe vetë ka folur vazhdimisht për kërcënimin bërthamor që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, e quajti deklaratën e Zelenskit "provokim të rrezikshëm".

"Menjëherë mund të them se Rusia në asnjë rast nuk do ta lejojë që kjo të ndodh", tha atëherë Putini. 

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Ukraina ra dakord që t'ia dorëzojë Rusisë armët bërthamore sovjetike të vendosura në territorin e saj, në përputhje me marrëveshjen e lidhur në vitin 1994, e njohur si Memorandumi i Budapestit. 

Të hënën Zelenski vlerësoi se vendi i tij e ka dhënë armën e tij bërthamore "pa marrë asnjë gjë në këmbim".

"Duhej ta ndërronim (armën bërthamore) për (anëtarësimin në) NATO", shtoi presidenti i Ukrainës. "Pikërisht pasi Ukraina nuk ka armë që mund të ndalojnë Putinin, ajo ka nevojë për NATO-n”, shtoi Zelenski.

Ai përkujtoi se i propozoi Perëndimit, si pjesë e planit të tij të fitores, vendosjen e mjeteve jobërthamore për parandalim në territorin ukrainas. qa/bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR