• e premte, 25 tetor 2024

Kurti pret që Bislimi ta informojë se çka ka biseduar në Bruksel, përsëri i përmend kërkesat karshi Serbisë

Kurti pret që Bislimi ta informojë se çka ka biseduar në Bruksel, përsëri i përmend kërkesat karshi Serbisë

Prishtinë, 24 tetor 2024 (MIA) – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se pret që të njoftohet nga kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi se për çka është biseduar në Bruksel në takimin e sotëm të kryenegociatorëve me ndërmjetësin e Bashkimit Evropian në dialogun mes të dyja vendeve, Mirosllav Lajçak, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Shefi i Qeverisë së Kosovës në një deklaratë për mediat edhe një herë ka përsëritur kërkesat karshi Serbisë për sukses në dialog, duke përmendur nënshkrimin e marrëveshjes themelore të arritur mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe dorëzimit të Millan Rajdojiçiq, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin terrorist të javës së kaluar në Banjskë në veri të Kosovës. 

"Duhet të presim se çka do të na njoftoj prej atje Besnik Bislimi, zëvendësi im i cili është njëkohësisht edhe kryenegociator. Për ne më e rëndësishme është siguria legale dhe mirëbesimi në bisedime që nënkupton nënshkrimin e marrëveshjes bazike me aneks  të zbatimit, që nënkupton dorëzimin  e Milan Rajdojiçiq dhe të grupit të tij kriminal dhe që nënkupton tërheqjen e asaj letrës të ish-kryeministres Bërnabiq kur para BE e 27 shteteve anëtare në Bruksel në mes dhjetorin e të viti të kaluar tha që nuk e zbaton integritetin territorial të Kosovës", tha Kurti, duke theksuar se është “e papranueshme që të mos respektohet integriteti territoriale” nga ana e Serbisë. 

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, ndodhen sot në Bruksel për raundin e ri të bisedimeve në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje.

Njësoj si më herët, raundi i ri nisi me takime dypalëshe. I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, së pari është takuar me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, ndërsa pastaj e filloi takimin edhe me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi. 

Nëse do të ketë vullnet nga palët, më pas mund të zhvillohet edhe takimi i përbashkët trepalësh. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR