• e enjte, 26 dhjetor 2024

“VLEN” me qendër të përbashkët për komunikim, nuk përjashtohet mundësia që para zgjedhjeve lokale të bëhet një subjekt

“VLEN” me qendër të përbashkët për komunikim, nuk përjashtohet mundësia që para zgjedhjeve lokale të bëhet një subjekt

Shkup, 29 korrik 2024

Pas formimit të Trupi Koordinues Politik të VLEN-it, si dhe krijimit të Komisionit për Çështjet e Zgjedhjeve, Emërimeve dhe Mbikëqyrjes së Zbatimit të Politikave, ashtu siç paralajmëruam, sot po ndërmarrim hapin tjetër të rëndësishëm për të përmirësuar komunikimin dhe transparencën, hap ky që çon koalicionin VLEN më shumë drejt unifikimit dhe integrimit të brendshëm.

Me vendim të Trupit Koordinues Politik, sot kemi kënaqësinë të njoftojmë se koalicioni VLEN ka formuar dhe zyrtarizuar një organ tjetër të përbashkët, Qendrën për Komunikim, e cila do të përbëhet prej 4 anëtarëve, përfaqësues nga të gjitha partitë përbërëse të koalicionit.

Ky organ i veçantë , është i dedikuar për menaxhimin dhe përmirësimin e komunikimit brenda dhe jashtë koalicionit. Gjegjësisht, Qendra për Komunikim do të jetë mekanizmi kryesor për komunikim të koalicionit me publikun, ndërsa ndër kompetencat tjera janë edhe zhvillimi i strategjive të komunikimit, monitorimi i zhvillimeve, organizimi i aktiviteteve promovuese, menaxhimi , zhvillimi dhe mbikëqyrja e platformave në mediat sociale etj. 

Si rrjedhojë, paralelisht me këtë organ promovojmë edhe:

1.     Ueb-faqen e re të Përbashkët:

• Një platformë e re online është krijuar për të përmbushur nevojat e komunikimit dhe transparencës së koalicionit VLEN.

• Ueb-faqja do të shërbejë si qendra kryesore për informim dhe aktivitetet e koalicionit.

2.     Kanale të reja të komunikimit:

•        Të gjitha kanalet e komunikimit të koalicionit, duke përfshirë rrjetet sociale, do të menaxhohen nga një Qendër e përbashkët për Komunikimin me Publikun.
•        Kjo qendër do të sigurojë që informacioni të jetë i saktë, i azhurnuar dhe i qasshëm për të gjithë.

3.     Emërimi i Zëdhënësit të Koalicionit:

•        Zëdhënësi zyrtar i koalicionit VLEN do të jetë Fari Iseni, ndërsa koordinator/Sekretar organizativ i Qendrës për komunikim do të jetë Albi Qamili

•       Zëdhënësi do të ketë rolin e përçimit të mesazheve të koalicionit dhe të sigurimit të komunikimit efektiv me mediat dhe publikun, ndërsa koordinatori do të ketë rolin e organizimit dhe mbarëvajtjes së Qendrës.

Të gjitha këto hapa janë ndërmarrë për të përmirësuar transparencën dhe llogaridhënien e koalicionit VLEN. Ne jemi të përkushtuar për të siguruar që qytetarët të jenë të informuar dhe të përfshirë në proceset politike dhe vendimmarrëse.

Koalicioni VLEN, ka marrë mesazhin e qartë e të zëshëm nga votuesi shqiptarë, dhe është i determinuar që të vazhdoj të jetë simbol i bashkimit të shqiptarëve, andaj, mbetemi të detyruar, që me unifikim dhe integrim të strukturave dhe organeve tona, të përmbushim pritshmëritë e shqiptarëve.

Koalicioni VLEN

___________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

 

QËNDRONI TË LIDHUR