• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Vijojnë afatet për ankesa në KSHZ, nuk ka rivotim në tre vendvotimet në Kumanovë, do të shkarkohen këshillat zgjedhorë

Vijojnë afatet për ankesa në KSHZ, nuk ka rivotim në tre vendvotimet në Kumanovë, do të shkarkohen këshillat zgjedhorë

Shkup, 25 prill 2024 (MIA) - Votimi në tre vendvotimet në rajonin e Kumanovës ku dje kishte ndërprerje më shumë se tri orë nuk do të përsëritet sepse kjo nuk ndikon në rezultatet përfundimtare, ndërsa do të shkarkohen këshillat zgjedhorë në këto vendvotime, vendosi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. 

Në mbledhjen e mbajtur sot pasdite ishte sqaruar se këshillat zgjedhorë nuk kanë vepruar në bazë të udhëzimeve të KSHZ-së.

"Në bazë të procesverbaleve të arritura nga KKZ të dorëzuara në KSHZ dhe nga kontrolli në të njëjtat dhe komunikimi të cilin e kemi realizuar gjatë ditës së djeshme me KKZ Kumanovë konfirmuam se këshillat zgjedhorë në këto tre vende nuk kanë vepruar në bazë të udhëzimeve të cilat i sjell KSHZ", tha Boban Stojanovski nga KSHZ.

Gjithashtu KSHZ e angazhoi edhe shërbimin juridik që të vërtetojë nëse ka baza për përgjegjësi në këshillat zgjedhorë. 

"Këtë e bëjmë jo vetëm sepse ka bazë ligjore për shkarkim, por edhe për shkak të detyrimit tonë ligjor që të kujdesemi për ligjshmërinë dhe të dërgojmë në sy në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjet parlamentare porosi të përgjithshme për të drejtat dhe përgjegjësitë e organeve për zbatimin e zgjedhjeve. Kjo do të jetë porosi për të gjithë këshillat zgjedhorë se duhet ta kryejnë punën me përgjegjësi dhe sipas ligjit", tha Boris Kondarko.

KSHZ vendosi që këshillat zgjedhorë më 8 maj kur do të mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe rrethi i parë për zgjedhjet parlamentare të kenë nga shtatë anëtarë në vend të pesë anëtarëve të tanishëm me qëllim të efikasitetit më të mirë në organizimin e punës, shmangien e turmave në vendvotime dhe shmangien e mundësisë nga gabimet eventuale. 

Në bazë të rezultateve zyrtare të cilat sot pasdite i publikoi KSHZ, në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale hyjnë kandidatët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska - Davkova. 

Për Siljanovska-Davkovën votuan 363.086 votues ose 40,08 për qind, për Pendarovskin 180.500 votues ose 19,92 për qind, për Bujar Osmanin nga BDI 121.088 ose 13,07 për qind, për Maksim Dimitrievskin nga ZNAM 83.856 votues ose 9,26 për qind, për Srben Taravarin nga opozita shqiptare Vlen 83.393 votues ose 9,2 për qind, për Biljana Vankovskën nga partia E majta 41.331 vota ose 4,56 për qind dhe për Stevo Jakimovskin nga GROM - 8.121 vota.

Në rrethin e parë të votimit kanë votuar  905.971 qytetarë gjegjësisht 49,93 për qind. Numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të papërdorura është 908.384, ndërsa numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të pavlefshme është 24.562 ose 2,71 për qind. 

Ankesat për mënyrën e votimit mund të parashtrohen në KSHZ deri nesër në orën 19, ndërsa deri nesër në mesnatë skadon edhe afati për ankesa lidhur me grumbullimin e rezultateve nga zgjedhjet. KSHZ është e detyruar të marrë vendim në afat prej 72 orëve pas pranimit të ankesës, ndërsa kandidatët kanë të drejtë padie në Gjykatën Administrative e cila, duhet të vendosë në afat prej 48 orëve pas pranimit të padisë. fc/

Fotografia: MIA

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR