• e hënë, 01 korrik 2024

Venko Filipçe zgjidhet kryetar i ri i LSDM-së

Venko Filipçe zgjidhet kryetar i ri i LSDM-së

Shkup, 30 qershor 2024 (MIA) - Venko Filipçe është zgjedhur kryetar i ri i LSDM-së në zgjedhjet e sotme të jashtëzakonshme brendapartiake me mbi 9.000 vota nga gjithsej 12.200 votues nga 23.000 të regjistruar.

"Sonte LSDM ka kryetar të ri. Në një procedurë të drejtë dhe demokratike të zgjedhjeve të brendshme partiake, socialdemokratët zgjodhën dr. Venko Filipçen për kryetar të LSDM-së. Pas përfundimit të votimit në orën 20, në 77 qendra votimi arritën rezultatet preliminare të cilat janë 95 për qind të përpunuara. Prej tyre Filipçe ka 9.052 vota, Aleksandar Bajdeski 905, Jovan Despotovski 2.705 dhe Sllavjanka Petrovska 190 vota. Të pavlefshme janë 174 vota. Rezultatet përfundimtare do t'i shpallim brenda 48 orëve pas skadimit të afatit për ankesa", deklaroi kryetarja e Komisionit qendror të zgjedhjeve të LSDM-së, Viktorija Avramovska Madiq.

Ajo falënderoi KQZ-në, të gjithë anëtarët e zgjedhjeve komunale, të gjithë ata që investuan që ky proces të jetë, siç tha ajo, "legjitim, demokratik dhe të kalojë në një atmosferë korrekte dhe demokratike".

Filipçe deklaroi se LSDM-ja ka dëshmuar se ka kapacitet demokratik dhe nivel të lartë të profesionalizmit.

"Vlerësoj se është zhvilluar një proces zgjedhor legjitim. Dua të përgëzoj edhe bashkëpartiakët e mi që ishin pjesë e kësaj gare zgjedhore. Më vjen mirë që patëm zgjedhje konkurruese me shumë kandidatë. Nga kjo fushatë besoj se të gjithë mësuam diçka dhe kontributi i secilit ishte i rëndësishëm, LSDM-ja edhe një herë dëshmoi kapacitetin e saj demokratik të cilin si kryetar i ardhshëm do ta ushqej dhe avancoj", tha Filipçe duke falënderuar të gjithë ata që votuan në zgjedhje.

Ai theksoi se nuk ka kohë për të festuar, por se tani është koha për ripërtëritjen e LSDM-së dhe se i pret shumë punë.

"Pason një periudhë e riorganizimit dhe reformimit konform premtimeve të mia programore me të cilat jam i sigurt se LSDM do të fitojë sërish. Kjo nuk do të jetë as e shpejtë dhe as e lehtë, por unë e di se nuk ka mënyrë tjetër për ta rikthyer besimin e anëtarëve tanë përveçse të bëjmë ndryshime të vërteta thelbësore. Ndryshimet as nuk mund t'i falsifikojmë e as t'i bëjmë gjysmake, por reale dhe të sinqerta që dalwngadalë të fitojmë zemrat e qytetarëve", tha Filipçe, sipas të cilit nëse kanë sukses në këtë, atëherë partia do të jetë edhe më e fuqishme dhe do të vazhdojë të jetë një motor i progresit shoqëror.

Ai theksoi se është koha që të lihen mënjanë interesat personale dhe të angazhohemi dhe të sjellim vendime për të mirën e përbashkët.

"Premtoj se partisë do t'ia kthejmë dinjitetin, ndërsa ata që shpresojnë në një të ardhme të keqe u them - do të zhgënjehen thellë. Premtoj se do të jemi një opozitë e fuqishme, do të luftojmë me të gjitha forcat për të parandaluar politikat e këqija të qeverisë dhe do të jemi korrigjues në shoqëri. LSDM gjithmonë ka zgjedhur anën e progresit, demokracisë, shtetësisë dhe vlerave evropiane, andaj duhet të vazhdojmë të ecim drejt asaj rruge, duhet të luftojmë që qytetarët ta njohin këtë tek ne, sepse kjo do të thotë fitore për LSDM-në", tha Filipçe.

QËNDRONI TË LIDHUR