• e martë, 02 korrik 2024

Vafa: Në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës janë vrarë 21 civilë, shumica prej tyre në Rafah

Vafa: Në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës janë vrarë 21 civilë, shumica prej tyre në Rafah

Gazë, 7 maj 2024 (MIA) - Së paku 21 civilë, përfshirë fëmijë, kanë humbur jetën gjatë bombardimeve izraelite në Rripin e Gazës, shumica e tyre në qytetin jugor Rafah, njofton agjencia palestineze Vafa.

Siç u theksua, të paktën 20 njerëz u vranë në bombardimet izraelite në Rafah dhe dhjetëra u plagosën, ndërsa një civil u vra në qytetin e Gazës kur u bombardua një shkollë ku ishin strehuar palestinezët e zhvendosur.

Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) më herët kumtuan se po kryenin "sulme" kundër grupit militant palestinez Hamas në pjesën lindore në Rafah.

IDF sot kumtoi se kishte marrë kontrollin mbi anën palestineze të vendkalimit jugor në Rafah të Gazës i cili kufizohet me Egjiptin dhe se forcat speciale po skanonin zonën.

Kabineti ushtarak izraelit vendosi dje të kryejë operacion të planifikuar në Rafah me qëllim që të "ushtrojë presion ushtarak mbi Hamasin", pavarësisht kumtesës së mëparshme nga Hamasi se grupi palestinez kishte rënë dakord për propozimin e Egjiptit dhe Katarit për armëpushim.

Kabineti izraelit kumtoi se qëllimi i "operacionit" në Rafah është të arrihet përparim në lirimin e pengjeve si dhe caqe të tjera ushtarake.

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR