• e enjte, 26 dhjetor 2024

UT: Viti 2024 ka lënë gjurmë në jetën studentore

UT: Viti 2024 ka lënë gjurmë në jetën studentore

Tetovë, 25 dhjetor 2024 (MIA) - Në përmbyllje të vitit kalendarik 2024, Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës, organizoi sot një “party” të fundvitit. Mbajtja e këtij aktiviteti në sheshin e Rektoratit, përtej një organizimi me karakter argëtues, shënoi edhe përfundimin e një viti me plot suksese të realizuara nga Parlamenti Studentor.

Kryetari i PS-UT, Ladon Murseli, i përgëzoi studentët për pjesëmarrjen e tyre në këtë veprimtari studentore dhe veçoi se 2024, ka qenë vit me ngjarje, veprimtari të ndryshme dhe si i tillë ka lënë gjurmë në jetën studentore.

“Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës në trembëdhjetë njësitë akademike të Universitetit tonë, ka qenë i angazhuar që të organizojë veprimtari të ndryshme me karakter arsimor-shkencor, duke qenë bartës i shumë aktiviteteve, por edhe u jemi bashkuar disa nismave të tjera në vend dhe rajon. Sikurse dihet, UT këtë vit e shënoi 30-vjetorin e themelimit, ndaj në këtë vit jubilar ne si studentë organizuam Konferencën e Parë Studentore me temë: “Sfidat kërkimore të studentëve në globalizëm”. Mbajtja e saj u vlerësua si një moment i rëndësishëm në rrugëtimin akademik të studentëve tanë dhe krijoi një platformë ku idetë, përvojat dhe sfidat e tyre u prezantuan para një auditori të gjerë”, theksoi Ladon Murseli.

Ai po ashtu nënvizoi se do të vijojnë me këtë dinamikë edhe në vitin që vjen, duke i shtrirë aktivitetet e tyre edhe në universitete tjera me të cilët PS-UT zhvillon bashkëpunim me mijëra studentë nga rajoni dhe bota. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR