• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ka informacione për një përqendrim të vogël të formaldehidit në salla, por ende nuk kemi marrë asgjë zyrtarisht, thotë Taravari

Ka informacione për një përqendrim të vogël të formaldehidit në salla, por ende nuk kemi marrë asgjë zyrtarisht, thotë Taravari

Shkup, 29 korrik 2024 (MIA) - Ka disa informacione se në sallat e operacionit të Qendrës Klinike në Shkup është gjetur koncentrim i vogël i formaldehidit, por zyrtarisht ende nuk kam marrë asgjë, tha sot ministri i Shëndetësisë Arben Taravari.

"Tashmë jemi duke punuar për një furnizim të ri për një stacion kompresor krejtësisht të ri dhe një instalim krejtësisht të ri. Shpresoj që këtë problem ta zgjidhim sa më shpejt dhe të mos flasim më për tema të tilla të pakëndshme për të gjithë qytetarët, sepse krijojnë një situatë të pasigurisë tek pacientët", tha Taravari.

I pyetur se si mund të jenë qytetarët të qetë kur nuk është bërë e ditur në opinion se ka pasur formaldehid dhe se ajri në sallat e operacionit del nga standardet evropiane sipas matjeve të 1 korrikut, Taravari tha se ende nuk ka arritur asnjë shkresë zyrtare në Ministri.

"Çfarëdo që të them do të jetë jozyrtare, e pasaktë, e pasigurt. Prisni, ne jemi transparent, gjithçka që marrim, e ndajmë me publikun dhe gazetarët", tha Taravari.

Tani për tani, siç tha ai, më shumë se gjysma e sallave të kirurgjisë në Qendrën Klinike funksionojnë dhe gjatë periudhës së verës situata do të menaxhohet me “8 Shtatorin” dhe Spitalin e Qytetit “Shën. Naum i Ohrit”.

Sallat e operacioneve në Qendrën Klinike u mbyllën për shkak të erës së pakëndshme, pas së cilës u shpall tender për blerjen e stacionit të ri të kompresorit, i cili dështoi për shkak se nuk ishte marrë asnjë ofertë.

Më 26 korrik, ministri Taravari shpalli tenderin e ri për blerjen e një sistemi kompresor për Qendrën Klinike. I pyetur nëse është optimist se në një të ardhme të afërt do të gjendet një operator ekonomik i interesuar, pasi tenderi i mëparshëm ka qenë i pasuksesshëm dhe shuma në fjalë ka qenë rreth gjysmë milionë euro, Taravari tha se nuk mund të parashikojë nëse dikush do të paraqitet, por edhe që ky problem të mos vonohet, duke mos përjashtuar negociatat e drejtpërdrejta.

"Prandaj ne si Ministri morëm përsipër diçka që nuk është përgjegjësi e jona, gjithçka për ta përfunduar sa më shpejt. Megjithatë, nuk mund të them me siguri se do të raportohet ose nuk do të raportohet. Nëse nuk raportohet, atëherë do të shkojmë në opsionin që të kërkojmë dikë që mund të punojë dhe të bëjë marrëveshje direkt - Ministria me kontraktorin", tha Taravari.

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR