• e martë, 24 dhjetor 2024

Siljanovska-Davkova - Lambert: Belgjika është një mik i madh dhe aleat i sinqertë në procesin e integrimeve evropiane të Maqedonisë

Siljanovska-Davkova - Lambert:  Belgjika është një mik i madh dhe aleat i sinqertë në procesin e integrimeve evropiane të Maqedonisë

Shkup, 13 dhjetor 2024 (MIA) - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot i priti letrat kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar të Mbretërisë së Belgjikës, me seli në Sofje, Pol Lambert.

Në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale presidentja Siljanovska Davkova, siç njoftoi kabineti i saj, ka porositur se Belgjika është një mik i madh dhe aleat i sinqertë në procesin e eurointegrimeve të Maqedonisë dhe se në 30-të vjetorin e historisë së marrëdhënieve diplomatike, të dyja vendet arrijnë të ndërtojnë marrëdhënie politike diplomatike dhe nivel solid të bashkëpunimit të ndërsjellë në disa fusha.

"Belgjika, si një nga vendet themeluese të Bashkimit Evropian, ishte dhe mbetet një promotore e fortë e proceseve tona integruese evropiane. Ne e meritojmë fillimin e negociatave të anëtarësimit pa vonesa të mëtejshme. Qeveria dhe unë mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj reformave në lidhje me integrimin evropian. Ky proces duhet të kryhet në përputhje me kriteret e Kopenhagës. Nëse riintegrimi në Evropë nuk de-bilateralizohet, një precedent i dëmshëm do të përsëritet në rastin e vendeve të tjera të rajonit", theksoi presidentja në fjalën përshëndetëse.

Duke theksuar se populli i Maqedonisë ruan vlerat e njejta si belgët, presidentja shprehu pritje që ambasadori të japë kontributin e tij ndaj eurointegrimit tonë.

"Nuk kemi dyshime se miqtë tanë belgë do të na ndihmojnë të bëhemi pjesë e familjes evropiane, një akt që do të hapë një kapitull të ri në historinë tonë, do të sjellë energji të re tek institucionet dhe qytetarët e Maqedonisë, do të ngrejë një valë të re të vetë përkushtimit për idenë evropiane", theksoi Siljanovska Davkova.

Duke theksuar se Belgjika është partneri ynë i rëndësishëm tregtar, presidentja Siljanovska Davkova shprehu interesim dhe gatishmëri për intensifikimin dhe thellimin e bashkëpunimit të përbashkët në të gjitha fushat nga interesi i ndërsjellë, ndërsa para se gjithash, në plan ekonomik.

Ambasadori Lambert në fjalën e tij, duke vënë në dukje vazhdimësinë tre dekadash të marrëdhënieve dypalëshe, të ndërtuara mbi vlerat dhe angazhimet e përbashkëta, theksoi se Belgjika njeh rolin e rëndësishëm që vendi ynë, si anëtar i NATO-s, luan për sigurinë globale dhe stabilitetin e rajonit.

"Vendi juaj është plotësisht në përputhje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë edhe lidhjen me agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës, duke dërguar kështu një sinjal të fortë të zgjedhjes së saj strategjike – BE-në dhe duke u konfirmuar si një partner i besueshëm. Ju vazhdimisht e dëshmoni përkushtimin tuaj politik për integrimin evropian, si dhe ambicien tuaj për të ecur përpara në negociata", theksoi ambasadori Lambert.

Duke theksuar përfitimet e tregtisë së lirë, ai shprehu mbështetjen e tij për Klubin e Biznesit belgo-maqedonas, i themeluar në gusht të vitit 2023, i cili synon krijimin e një mjedisi të favorshëm për rritjen ekonomike afatgjatë, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e standardit të jetesës dhe evidentoi interesin e kompanive belge për vendin tonë.

Presidentja Siljanovska Davkova ambasadorit i dëshiroi kryerje të suksesshme të misionit diplomatik dhe shprehu bindje se do të angazhohet në përforcimin e marrëdhënieve miqësore. sa/

Foto: Kabineti i presidentes Gordana Siljanovska Davkova

QËNDRONI TË LIDHUR