Shqipëria shkatërroi mbi 60 ton mandarina të kthyera nga vendet anëtare të BE-së, për shkak të nivelit të lartë të pesticideve
- Autoriteti kombëtar i ushqimit i Shqipërisë shkatërroi mbi 60 tonë mandarina të kthyera nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, për shkak të nivelit të lartë të pesticideve, të rrezikshme për shëndetin.
Tiranë, 20 dhjetor 2024 (MIA) – Autoriteti kombëtar i ushqimit i Shqipërisë shkatërroi mbi 60 tonë mandarina të kthyera nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, për shkak të nivelit të lartë të pesticideve, të rrezikshme për shëndetin.
Javët e fundit Kroacia, Çekia, Italia dhe Lituania, të cilat importojnë sasi të mëdha frutash nga Shqipëria, pas analizave të bëra nga kufiri kanë kthyer kamionët e ngarkuar me këtë frut.
"Mandarinat përmbanin mbetje të disa substancave të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe janë të ndaluara për shitje në BE. Konkretisht, bëhet fjalë për një prani të lartë të klorpirifos dhe fosmetit, të cilat si efekte anësore ndikojnë në zhvillimin e trurit tek fëmijët, çrregullime të sistemit nervor dhe endokrin, si dhe rritje të rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe kancerit, publikuan mediat shqiptare.
Mandarinat e kthyera prodhoheshin në zonën e Beratit, Lushnjes dhe Fierit, ku pronarët e tyre thanë për Top Channel se “nuk e dinë çfarë preparate kanë përdorur, kanë blerë atë që u kanë dhënë tregtarët”.
"Do të fillojmë kontrollet edhe në farmacitë bujqësore për të parë nëse tregtohen pesticide të ndaluara. Kjo mund të përsëritet. Ajo që nuk na shqetëson është se këto preparate janë kategorikisht të ndaluara për t'u përdorur, por është më se e sigurt se ato futen në vend në mënyrë ilegale, thanë nga Agjencia për televizionin.
Mesatarisht, Shqipëria eksporton çdo vit mbi 20 mijë tonë mandarina, një pjesë e mirë e tyre përfundojnë në tregun e Maqedonisë dhe atë të Kosovës. ls/