SHBA-ja ndan katër miliardë dollarë në fondin e Bankës Botërore për të ndihmuar vendet më të varfra
- Presidenti i SHBA-së, Xho Bajden njoftoi mbrëmë për një angazhim "historik" për të ndarë katër miliardë dollarë në fondin e Bankës Botërore për të ndihmuar vendet më të varfra në botë.
- Post By Qefsere Abduli
- 11:57, 19 nëntor, 2024
Uashtingon, 19 nëntor 2024 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Xho Bajden njoftoi mbrëmë për një angazhim "historik" për të ndarë katër miliardë dollarë në fondin e Bankës Botërore për të ndihmuar vendet më të varfra në botë.
Transferi ndodhi dy muaj para se Donald Trampi ta marrë detyrën që sjell me vete politikat e reduktimit ekstrem të buxhetit të SHBA-së.
Bajdeni i cili është lider në largim, njoftoi ndarjen e mjeteve në fondin e Shoqatës ndërkombëtare të zhvillimit të BB-së (IDA) gjatë samitit të G-20 që po mbahet këto ditë në Rio de Zhaneiro, pjesëmarrja e tij e fundit në këtë tubim të liderëve botërorë.
"Presidenti njoftoi sot se SHBA synon të ndajnë katër miliardë dollarë për tre vjet... kjo është vërtet e pabesueshme", deklaroi një përfaqësues i administratës mbrëmë, por me kusht anonimiteti.
Zëvendëskëshilltari i presidentit amerikan për siguri kombëtare, Xhon Fajner më parë e quajti angazhimin "historik" dhe tha se Bajdeni "do t'i nxiste liderët e tjerë të rrisin kontributet e tyre".
Shoqata ndërkombëtare e zhvillimit është një strukturë e Bankës Botërore që ofron kredi dhe përdoret për të mbështetur disa nga vendet më të varfra në botë, duke përfshirë projekte që synojnë të luftojnë ndryshimet klimatike.
Gjatë një turneu gjashtëditor në Amerikën Jugore, Bajden mëton të forcojë trashëgiminë e tij ndërkombëtare përpara se presidenti i sapozgjedhur Tramp të kthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.
Bajdeni vizitoi pyjet tropikale të Amazonës në Brazil të dielën për të nënvizuar arritjet e tij në luftën kundër ndryshimeve klimatike duke thënë se SHBA-ja kishte arritur qëllimin për të rritur financimin dypalësh të klimës në 11 miliardë dollarë në vit.
Miliarderi Tramp është zotuar të ndryshojë shumë nga vendimet politike të Bajdenit dhe ka emëruar miliarderin Ilon Mask të kryesojë një komision për t'u marrë me atë që ai e quan "shpërdorim të qeverisë federale". qa/