• e mërkurë, 03 korrik 2024

Shaqiri: Presim mbështetje nga BDI-ja që Afrim Gashi të zgjidhet kryetar i Kuvendit

Shaqiri: Presim mbështetje nga BDI-ja që Afrim Gashi të zgjidhet kryetar i Kuvendit

Shkup, 28 maj 2024 (MIA) - Para seancës konstituive të Kuvendit, Rijad Shaqiri nga Koalicioni "VLEN" deklaroi se presin mbështetje nga BDI-ja që Afrim Gashi të zgjidhet kryetar i Kuvendit.

"Natyra e gjërave tregoi se opozita gjithmonë ka votuar kundër zgjedhjeve të shumicës. Por, në këtë rast, kur ne si Aleancë ishim pjesë e Kuvendit, kur Talat Xhaferi u zgjodh kryetari i Kuvendit, ne dhamë mbështetjen tonë, sepse bëhej fjalë për kryetar të Kuvendit, shqiptar për herë të parë, dhe presim nga ana tyre të ketë mbështetje të tillë", tha ai.

Më herët, në Kuvend hyri Elmi Aziri nga Fronti Evropian, i cili nuk u përgjigj nëse do ta mbështesin Gashin.

"Tani do të takohemi me grupin parlamentar dhe do të marrim qëndrim", tha ai.

Në Kuvend sot filloi seanca konstituive e përbërjes së re parlamentare. Seancën e kryeson deputetja më e vjetër Merita Kolçi Koxhaxhiku.

Në rendin e ditës të seancës janë përzgjedhja e Komisionit Verifikues, Verifikimi i mandateve të deputetëve të rinj, përzgjedhja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, si dhe përzgjedhja e Kryetarit të Kuvendit.

Seanca konstituive, sipas Rregullores së re, zgjat maksimum tri ditë dhe Kuvendi konstituohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sipas njoftimeve për kryetar të Kuvendit do të propozohet Afrim Gashi nga Alternativa, pjesë e koalicionit VLEN. ls/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR