• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Sela: Gjykata Kushtetuese nuk e shfuqizoi balancuesin, por “të drejtën e përkatësisë etnike”

Sela: Gjykata Kushtetuese nuk e shfuqizoi balancuesin, por “të drejtën e përkatësisë etnike”

Shkup, 10 tetor 2024 (MIA) - Ziadin Sela, kryetar i njërit nga krahu i Aleancës për Shqiptarët (ASH), tha sot se Gjykata Kushtetuese nuk e shfuqizoi balancuesin por “të drejtën e përkatësisë etnike” dhe u bëri thirrje SHBA-së dhe BE-së të reagojnë si garantues për Marrëveshjen kornizë të Ohrit.

"Gjykata Kushtetuese nuk e hoqi balancuesin, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi përkatësinë etnike. Balancuesi është vetëm pasoja më e vogël e heqjes së përkatësisë etnike. Me votimin e atij vendimi goditen themelet e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, goditet kushtetutshmëria dhe Kushtetuta dhe sistemi që po mundohet të ndërtohet në bazë të asaj që jemi", tha Sela.

Sela u bëri thirrje SHBA-së dhe BE-së, si garantues të Marrëveshjes kornizë të Ohrit, siç tha ai, “të ndërhyjnë sa më shpejt për të gjetur një zgjidhje së bashku me faktorin politik” në vend për të parandaluar "përpjekjen për të hyrë si shoqëri në anarki". Sela pret dhe apelon sa më shpejt, siç thotë ai, të “ulemi” dhe të ruajmë atë që është më e rëndësishme për qytetarët e që është siguria. Sipas tij, duhet pasur parasysh se kjo ndodh kur çdo ditë nëpër vende të ndryshme të botës lindin luftëra apo konflikte.

“Maqedonia e Veriut nuk duhet të jetë një vend tjetër plus ku do të ketë destabilizim, qoftë politik apo çfarëdo lloji”, ka thënë Sela.

Për këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese duhet të reagojnë pjesëtarët e të gjitha bashkësive etnike, ndërsa pret që të reagojnë edhe partitë politike të cilat gjatë gjithë këtyre viteve kanë deklaruar se nuk do të lejojnë të preket identiteti i maqedonasve.

Heqja e balancuesit, sipas tij, ka qenë premtim zgjedhor i VMRO-DPMNE-së. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese u ngrit mbi Kushtetutën dhe i vjen keq që nuk ka pasur mekanizëm që të kërkohet përgjegjësi nga këta gjyqtarë kushtetues. “Është më se e qartë se ky vendim nuk është vendim i gjyqtarëve ekspertë”, tha Sela duke e quajtur votimin “etnik” dhe “mbivotim” ndaj të gjitha bashkësive etnike në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, sipas Badenterit të merren edhe vendimet në Gjykatën Kushtetuese.

Për liderët e koalicionit VLEN, thotë se këto ditë po tentojnë vetëm të neutralizojnë dhe t'u tregojnë qytetarëve se asgjë nuk po ndodh dhe se do të ketë ligj për përfaqësim të drejtë.

“Po gënjejnë sepse me vendimin e këtillë të Gjykatës Kushtetuese hiqet e drejta për t'u deklaruar si pjesëtar i ndonjë bashkësie etnike, kështu që asnjë ligj për përfaqësimin e drejtë nuk ka kuptim”, tha Sela, duke shtuar se një ligj i tillë ka qenë në programin e ASH-së për zgjedhjet e vitit 2020.

Sela thotë se deputetët e partisë së tij do të mbeten pjesë e Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI. Sipas tij, Fronti Evropian është stabil dhe u bën thirrje të gjitha partive politike që kanë kauzën e tyre për mbrojtjen e identitetit t'i bashkëngjiten.

Ai thotë se nuk është takuar me Menduh Thaçin nga PDSH-ja i cili braktisi Frontin Evropian dhe se ai si aktor politik ka të drejtë të veprojë ashtu siç mendon.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR