• e premte, 27 dhjetor 2024

Rama: Aq sa BE-ja i nevojitet Ballkanit Perëndimor, aq edhe rajoni i duhet Unionit

Rama: Aq sa BE-ja i nevojitet Ballkanit Perëndimor, aq edhe rajoni i duhet Unionit

Bruksel, 28 shkurt 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian e kuptoi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për sigurinë e tij, pasi u përballëm me armikun e përbashkët – presidentin rus Vladimir Putin, tha kryeministri shqiptar Edi Rama në një intervistë për portalin "Euraktiv" të Brukselit.

"Aq sa ne kemi nevojë për ju, aq edhe ju keni nevojë për ne. Pse? Para së gjithash, për atë që është më e rëndësishme për ju – sigurinë", vlerësoi Rama.

Në intervistën me rastin e Samitit të sotëm Ukrainë-Evropa Juglindore në Tiranë, ku merr pjesë edhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dhe takimi i nesërm i liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ku fokusi do të jetë në Planin për Rritje të rajonit dhe stabiliteti i Unionit, Rama theksoi se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të gatshme të kontribuojnë në luftën kundër Rusisë, veçanërisht në kushtet kur Evropa dhe Perëndimi kërkojnë "justifikime dhe kufizime" në lidhje me dhënien e ndihmës për Ukrainën.

"Vendet tona, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, të cilat janë në solidaritet të plotë me Ukrainën, do t'u thonë diçka djemve më të mëdhenj dhe më të pasur. Premtimet dhe angazhimi i tyre janë aty, por nuk jam i sigurt se justifikimet për të gjitha këto vonesa dhe kufizime mund të zgjasin shumë më gjatë. Të gjithë duhet të japin", shtoi Rama.

Sipas tij, këto takime në Tiranë dhe përfshirja e rajonit në ndihmën për Ukrainën, nuk ka gjasa të ndryshojë ritmin e gjërave, por nuk duhet nënvlerësuar kontributi dhe ndikimi që mund të kenë vendet e Ballkanit Perëndimor.  "Ne po bëjmë punën tonë", tha Rama.

Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, duke folur për Samitin e nesërm BE-Ballkani Perëndimor, në të cilin do të marrë pjesë edhe Komisari Evropian për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Oliver Varhei, Rama theksoi se plani i BE-së për rritjen e rajonit paraqet një hap përpara në lidhje me stagnimin në procesin e zgjerimit.

"Çdo hap përpara drejt afrimit të ndërsjellë është një hap përpara drejt Bashkimit Evropian. Çdo hap përpara drejt Bashkimit Evropian është një hap përpara drejt zgjerimit", beson Rama.

Në lidhje me zgjedhjet e qershorit për Parlamentin Evropian dhe ngritjen e mundshme të së djathtës, Rama thotë se nuk shqetësohet për këtë, sepse Evropa mund të ndryshojë, por nevoja për zgjerim dhe luftë kundër armikut të përbashkët Putin nuk do të ndryshojë.

"Putin ndihmoi (BE) të zgjohej pas një gjumi të gjatë të vetëkënaqur në Ballkan, dhe në raport me Ukrainën dhe Moldavinë, është efekti i mirë kolateral i këtij makthi. Unë nuk shoh se është në pyetje zgjerimi", tha Rama.

Lidhur me idenë që kryeministri aktual holandez Mark Rute të jetë Sekretari i Përgjithshëm i ardhshëm i NATO-s, Rama thotë se ky do të ishte "lajm shumë i mirë" për Aleancën.

"Edhe ai është njëqind për qind kandidati ynë. Me Mark Ruten në krye, NATO do të ketë një politikan shumë të aftë dhe një lider të vërtetë që di të përballet me situata të vështira dhe e ka dëshmuar veten të aftë për të bërë kompromise", theksoi Rama, duke shtuar se Rute është "personi i duhur për të qenë zëri i Evropës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës" dhe të bisedojë me çdo president amerikan", madje edhe nëse Donald Tramp kthehet në Shtëpinë e Bardhë. sa/

Foto: Qeveria e Shqipërisë

QËNDRONI TË LIDHUR