• e shtunë, 23 nëntor 2024

Presidentja Siljanovska Davkova priti zëvendësdrejtoren ekzekutive të UN Woman, Njaraxai Gumbonzvanda

Presidentja Siljanovska Davkova priti zëvendësdrejtoren ekzekutive të UN Woman, Njaraxai Gumbonzvanda

Shkup, 17 tetor 2024 (MIA) - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot e priti zëvendësdrejtoren ekzekutive të Agjencisë së KB-së për barazi gjinore dhe fuqizimin e grave, UN Woman, Njaraxai Gumbonzvanda.

Në takim, siç njoftojnë nga Kabineti i presidentes janë shkëmbyer mendime për progresin e arritur në vend në drejtim të barazisë gjinore, efektivitetin e strategjive për të luftuar dhunën gjinore, mundësitë për fuqizimin ekonomik të grave, rritjen e përfaqësimit të tyre në pozitat drejtuese, sfidat me të cilat përballen gratë nga komunitetet e margjinalizuara, si dhe për bashkëpunimin me UN Woman.

"Bashkëbiseduesit ranë dakord se pjesëmarrja e barabartë e grave në krijimin e politikës, si dhe në fushat e mbrojtjes, sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare është thelbësore për zhvillimin gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm. Në këtë kontekst, u theksua se pabarazia gjinore është më e dukshme në nivel lokal, ku gratë që aspirojnë poste drejtuese përballen me barriera të shumta që dalin nga vlerat patriarkale dhe stereotipet gjinore. Njëkohësisht, u theksua se nevojiten investime më të mëdha në programet që synojnë krijimin e një tregu më të drejtë të punës, përkatësisht barazinë dhe mundësitë e barabarta ndërmjet grave dhe burrave në tregun e punës", thuhet në komunikatë.

Për të promovuar barazinë gjinore dhe për të përmirësuar statusin e gruas në të gjitha fushat e jetës publike dhe private, presidentja theksoi se vendi do të vazhdojë të përafrojë plotësisht dokumentet strategjike kombëtare me Agjendën për zhvillim të qëndrueshëm 2030 dhe Objektivi 5 për zhvillim të qëndrueshëm: Barazia gjinore.

Në bisedën me Gumbonzvandan, presidentja Siljanovska Davkova theksoi përkushtimin e saj të plotë për ngritjen e vetëdijes për çështjet e barazisë gjinore dhe shprehu mbështetje për iniciativat që përmirësojnë statusin e përgjithshëm të grave në shoqërinë e Maqedonisë. Ajo shprehu bindjen se bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë e KB-së dhe UN Women do të vazhdojë dhe do të thellohet edhe në të ardhmen me qëllimin për të garantuar barazinë gjinore ndër detyrat prioritare të agjendës kombëtare. qa/

Foto: Kabineti i presidentes së Republikës së Maqedonisë së Veriut

 

QËNDRONI TË LIDHUR