• e enjte, 26 dhjetor 2024

Orë letrare në Ditën Botërore të Poezisë

Orë letrare në Ditën Botërore të Poezisë

Shkup, 21 mars 2024 (MIA) - Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës përmes një ore letrare e ka shënuar Ditën Botërore të Poezisë. 

Kjo katedër, siç bëjnë të ditur nga Universiteti i Tetovës, gjithmonë u ka kushtuar rëndësi ditëve që shënojnë ngjarjet që kanë të bëjnë me librin, poezinë dhe letërsinë në përgjithësi.

Manifestimin e shpalli të hapur shefja e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe Mr. Sc. Nertila Sinani. Ajo tha se poezia, e përshkruar shpesh si gjuha e shpirtit, i kapërcen kufijtë e kulturës, gjuhës dhe kohës. Është një gjuhë universale, që prek zemrat e njerëzve anembanë globit.

"Sot, jemi mbledhur për të nderuar poetët që ndër vite na kanë dhuruar fjalët, mendimet dhe të vërtetat e tyre. Poezia ka fuqinë të ngjallë emocione që nuk e dinim kurrë se ekzistonin, të ndezë revolucione dhe të shërojë plagë që duken të pashërueshme. Ndërsa ne si edukues, sidomos ata të fushës së letërsisë, na takon ta njohim dhe ta ushqejmë këtë fuqi te studentët tanë. Brenda sallave të institucionit tonë, ne nuk japim vetëm njohuri teorike mbi gjuhën dhe letërsinë; në të njëjtën kohë ne ushqejmë kreativitetin dhe shprehjen artistike. Është privilegj dhe detyrë të rrënjosim te studentët tanë një dashuri të thellë për kombin, gjuhën, artet, përfshirë këtu edhe poezinë", tha Mr. Sc. Nertila Sinani.

Për rëndësinë e organizimit të orës letrare fjalë rasti mbajti edhe Mr. Sc. Kaltrina Sadiki. Ajo tha se synimi i kësaj ore letrare është që të jetë joformale, e lirshme e frymëzuese.

"Sot përmes kësaj ore letrare do të kishim dashur të përçojmë te ju emocionin e fuqishëm të poezisë që e lëviz njeriun dhe botën e tij. Do të shtyjmë kufijtë tanë të imagjinatës dhe do ta shohim me sy të tjerë të nesërmen, të ardhmen dhe atë që vlen të kujtohet e të mbahet mend. Përmes poezisë si armë do të tentojmë të vrasim brengat tuaja të vogla e të përditshme dhe t’ju mbushim me shpresë e ëndrra për një të nesërme më të bukur. Për poezinë dhe fuqinë që ajo ka për ta frymëzuar e prekur shpirtin njerëzor kanë folur studiues, poetë, dramaturgë e filozofë të njohur që nga antikiteti e deri sot. Ajo është quajtur mbretëresha e letërsisë dhe është pranuar si mbretëresha e zemrave të lexuesve pasionantë", theksoi Mr. Sc. Kaltrina Sadiki.

Në këtë orë letrare studentet e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe Egzona Misimi, Sibora Hoxha, Fatjona Karpuzi, Altina Sulejmani, Altina Ibrahimi, Lina Bulica dhe Ezana Qamili interpetuan poezi të autorëve Xhevahir Spahiu, Marta Rivera Garido, Ismail Kadare, Azem Shkreli, Bardhyl Londo, Petrit Ruka dhe Murtezan Arifi. fc/

Fotografia: Universiteti i Tetovës

QËNDRONI TË LIDHUR