• e enjte, 15 gusht 2024

Niveli portokalli i rrezikut nga temperaturat e larta, sot deri në 41 gradë

Niveli portokalli i rrezikut nga temperaturat e larta, sot deri në 41 gradë

Shkup, 13 gusht 2024 (MIA) - Niveli portokalli i rrezikut nga temperaturat e larta mbetet aktiv edhe sot dhe nesër ku nën ndikimin e masës ajrore shumë të ngrohtë nga jugu, moti do të jetë veçanërisht i nxehtë dhe temperaturat ditore do të tejkalojnë 40 gradë. Në Shkup temperatura maksimale do të arrijë deri në 41 gradë Celsius.

Sipas parashikimit të DPHM, moti sot do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë, pasdite me vranësira të ulëta deri në mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi jugor. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 12 deri në 23 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 35 deri në 41 gradë Celsius. Indeksi UV do të ketë vlerën 9.

Në Shkup moti do të jetë me diell dhe shumë i ngrohtë me erë të dobët nga drejtimi juglindor. Temperatura minimale do të sillet deri në 20 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 41 gradë Celsius.

DPHM deri në fund të kësaj jave prognozon mot me diell dhe shumë të nxehtë me vranësira lokale të ulëta deri në mesatare.

"Nga e enjtja në orët e pasdites dhe të mbrëmjes do të ketë dukuri lokale të motit jostabil me reshje të rrëmbyeshme të shiut dhe bubullima, veçanërisht në ditët e fundjavës ku do të ketë kushte për stuhi të izoluar me reshje të fuqishme të shiut, bubullima, erë të përforcuar dhe breshër”, kumton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.

Për shkak të valës së re të të nxehtit në tre ditët e para të kësaj jave të punës, deri nesër (14 gusht) vlejnë rekomandimet për uljen e rreziqeve nga temperaturat e larta të cilat i miratoi Qeveria në seancën e së dielës me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Me rekomandimet e parandalimit, grupet më të rrezikuara të popullsisë – gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, përjashtohen nga detyrimet e punës.

Punëdhënësve u rekomandohet që nga data 12 deri më 14 gusht të riorganizojnë aktivitetet e punës së punëtorëve të ndërtimit dhe punëtorëve që punojnë në ambient të hapur, pra të shmangin aktivitetet e punës në natyrë nga ora 11 deri në orën 17 dhe gjatë asaj periudhe të ditës të mos nxjerrën as fëmijët nga kopshtet dhe të mos kenë aktivitet fizik.

Komunat, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për çështje sociale në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit këshillohen që të ndihmojnë personat e vetmuar, të moshuarit, të pamundurit dhe të pastrehët.

Foto: arkivi i MIA-s

 

Tags

QËNDRONI TË LIDHUR