• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Ish pjesëtari i UÇK-së Blerim Ramadani është arratisur nga arresti shtëpiak

Ish pjesëtari i UÇK-së Blerim Ramadani është arratisur nga arresti shtëpiak

Shkup, 15 gusht 2024 (MIA) - Ish pjesëtari i UÇK-së, Blerim Ramadani nga Kosova, i cili u arrestua muajin e kaluar në kufirin Kosovë-Maqedoni me urdhër të Interpolit të lëshuar me kërkesë të Serbisë, është arratisur nga arresti shtëpiak në shtëpinë e të afërmve në vend.

"Autoriteti gjyqësor kompetent ka dorëzuar dokumentacion në Ministrinë e Punëve të Brendshme për dhënien e fletarrestit qendror për personin B.R. pasi aktualisht është i padisponueshëm për organet e ndjekjes. MPB po ndërmerr masa për gjetjen e personit", konfirmuan për MIA-n nga MPB.

Ramadani, në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të Interpolit nga Serbia, më 17 korrik 2024 u arrestua në pikën kufitare të Jazhincë dhe u dërgua në burgun e Shutkës për 30 ditë paraburgim ekstradues. Përmbajtja e fletarrestit bazohet në dyshimet e Serbisë se Ramadani, si ish ushtar i UÇK-së, ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes.

Gjykata kompetente maqedonase më 1 gusht ia ka ndryshuar dënimin Ramadanit nga "paraburgim" në "arrest shtëpiak" dhe sipas vendimit ai është dërguar në një adresë në Shkup. Me këtë vendim ishte parashikuar që ai të qëndronte në "arrest shtëpiak" deri më 16 gusht.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, gjatë vizitës së tij në pikën kufitare Tabanoc më 25 korrik, kërkoi nga autoritetet e Shkupit ekstradimin e Ramadanit në Serbi. Çështja e ekstradimit të tij u ngrit edhe gjatë vizitës së ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Shkup më 31 korrik. Sveçla tha se Shkupi duhet të vendosë në mënyrë të pavarur, duke akuzuar Serbinë se tenton të prishë marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ramadani, sipas mediave të Kosovës, është shtetasi i tretë i Kosovës si ish ushtar i UÇK-së, i arrestuar në Maqedoninë e Veriut në bazë të urdhër arrestit serb. Gafur Dugolli dhe Tomor Morina janë arrestuar edhe në të kaluarën, por me vendim gjykate janë liruar. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR