• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Ndahet çmimi "22 nëntori" për Avzi Mustafën dhe Afrim Osmanin

Ndahet çmimi

Shkup, 22 nëntor 2024 (MIA) - Profesorët Avzi Mustafa dhe Afrim Osmani sot morën çmimin shtetëror "22 Nëntori" për vitin 2024. Ky çmim jepet në shenjë mirënjohjeje për njerëzit nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore, të cilët kanë kontribuar në avancimin e bashkëjetesës ndërnjerëzore dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet pjesëtarëve të bashkësive, kulturave dhe feve të ndryshme në vend.

Çmimi u është ndarë në Kuvend, ndërsa vendimi është marrë nga Bordi për ndarjen e çmimit shtetëror “22 Nëntori”.

Prof. Dr. Avzi Mustafa, me rastin e marrjes së çmimit, sot deklaroi se kjo mirënjohje është shumë domethënëse për të, por edhe emocionale, sepse ndahet në ditën kur u miratua alfabeti i shqipes. Ai shprehu shqetësimin për mbrojtjen e pamjaftueshme të gjuhëve amtare.

Sipas tij, pikërisht kjo situatë duhet të shkaktojë një “urgjencë” gjuhësore që është ajo që duhet të bëjmë në të ardhmen për të mbrojtur gjuhën amtare.

Për pedagogun prof. Dr.Afrim Osmani, është privilegj, por edhe përgjegjësi të jesh fitues i çmimit “22 Nëntori”.

"Është nder dhe kënaqësi që jam fitues i çmimit “22 Nëntori”, i cili i kushtohet festës së alfabetit të gjuhës shqipe. Vërtet, ky është sa privilegj aq edhe përgjegjësi, ndaj është edhe motiv edhe nxitje për të vazhduar më tej me veprimtarinë kërkimore-shkencore, veçanërisht në fushën e drejtësisë, por edhe në fushën ku jam aktiv, pra ekologjinë, gjegjësisht mjedisin jetësor", tha Osmani.

 

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR