• e shtunë, 23 nëntor 2024

Në programin zyrtar të Micotakisit në Uashington gjatë ditës së sotme nuk është paraparë takim me Mickoskin

Në programin zyrtar të Micotakisit në Uashington gjatë ditës së sotme nuk është paraparë takim me Mickoskin

Athinë, 10 korrik 2024 (MIA) - Në programin zyrtar të kryeministrit grek Kiriakos Micotakis mbi aktivitetet e sotme në Uashington në Samitin e NATO-s, nuk është paraparë takim me kolegun e tij nga Maqedonia, Hristian Mickoski, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Siç informojnë nga kabineti i kryeministrit grek, në orën 11:30 sipas orës lokale, Micotakisi do të japë intervistë për ish zëvendës këshilltaren për siguri kombëtare të SHBA-së Nadja Sandlou në kuadër të Forumit publik të NATO-s, më pas do të marrë pjesë në Samit, pastaj do të takohet me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, ndërsa në orën 19:30 sipas orës lokale do të marrë pjesë në darkën për nder të liderëve pjesëmarrës në Samitin e organizuar nga presidenti amerikan Xho Bajden dhe zonja e parë e SHBA-së.

Edhe pse takim bilateral midis dy kryeministrave nuk është planifikuar (zyrtarisht), megjithatë Mickoski dhe Micotakisi do të marrin pjesë në të njëjtat aktivitete: takimin e NATO-s dhe darkën në Shtëpinë e Bardhë.

Kryeministri grek gjatë diskutimit të djeshëm me ish ambasadorin e SHBA-së në Greqi, Daniel Spekhard organizuar nga Këshilli amerikan tink- tenk Council on Foreign Relations, ka folur edhe për marrëdhëniet greko-turke të cilat i cilësoi si të përmirësuara vitin e fundit si dhe për vendin tonë, duke përsëritur qëndrimet e Athinës zyrtare në lidhje me Marrëveshjen e Prespës dhe duke thënë se “aspekti fondamental është emri Maqedonia e Veriut i cili duhet të përdoret brenda dhe jashtë saj”.

Siç publikoi mbrëmë MIA, Micotakisi theksoi se “Maqedonia e Veriut tani është anëtare e NATO-s sepse Greqia e hoqi veton pas Marrëveshjes së Prespës”, ​​duke shpjeguar se është marrëveshje e nënshkruar nga qeveria e kaluar, por e respekton sepse është “ marrëveshje ndërkombëtare që lidh vendin” dhe shtoi se përdorimi i emrit erga omnes është diçka për të cilën “Greqia nuk negocion”.

"Kur dëgjoj se qeveria e re e Maqedonisë së Veriut në brendësi të vendit quhet Republika e Maqedonisë, atëherë shqetësohem seriozisht dhe sigurisht kjo është një çështje që dua ta ngre, nuk është konstruktive, nuk e ndihmon rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, do të thosha se është një ndërlikim i panevojshëm në një kohë kur të gjithë duhet të kërkojnë pikat e konvergjencës", ka thënë Micotakisi.

Foto: kabineti i kryeministrit grek

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR