• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

OPEK-u e mbajti parashikimin për rritjen e kërkesës për naftë këtë vit në 2.2 milionë fuçi

OPEK-u e mbajti parashikimin për rritjen e kërkesës për naftë këtë vit në 2.2 milionë fuçi

 Vjenë, 10 korrik 2024 (MIA) - Organizata e vendeve eksportuese të naftës (OPEK) në raportin e saj të fundit mujor nga korriku, i publikuar sot, konfirmoi se pret që kërkesa për naftë të rritet në 2.2 milionë fuçi në ditë (bpd) në vitin 2024 dhe rritje të mëtejshme të kërkesës prej 1.8 milionë fuçi në vitin 2025.

 Ky parashikim nuk ndryshon nga pritshmëritë nga raporti i mëparshëm i qershorit. Organizata parashikon që rritja ekonomike botërore në vitin 2024 do të jetë 2,9 për qind, si dhe në vitin 2025, thuhet në faqen e internetit të OPEK-ut.

 Parashikimi i vitit 2024 është rishikuar lart pasi një raport i mëparshëm në qershor thoshte se rritja ekonomike globale do të ishte 2,8 për qind këtë vit. Sipas pritshmërive të OPEK-ut, ekonomia amerikane do të rritet me 2,2 për qind në vitin 2024 dhe me 1,9 për qind në vitin 2025, dhe ekonomia e Eurozonës me 0,7 për qind në vitin 2024 dhe me 1,2 për qind vitin e ardhshëm.

 Sipas parashikimit, faktori kryesor për rritjen e kërkesës botërore për naftë do të jetë kërkesa në vendet që nuk janë anëtare të Organizatës për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim (OECD), thuhet në raport. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR