• e martë, 17 mars 2026

MPJdheTJ: Të dielën fillon evakuimi i shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga Lindja e Mesme

MPJdheTJ: Të dielën fillon evakuimi i shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga Lindja e Mesme

Shkup, 6 mars 2026 (MIA) - Evakuimi i shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga vendet e Lindjes së Mesme, i cili do të realizohet me fluturime komerciale çarter, do të fillojë të dielën, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.

"Ministria këtë pasdite ka lidhur kontratë me një kompani ajrore, në përputhje me Ligjin për prokurimet publike, pas zhvillimit të procedurës përkatëse. Sipas planit të përcaktuar dhe dinamikës së paraparë, pritet që deri në mesin e javës së ardhshme të evakuohen të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut që kanë shprehur gatishmëri për t’u kthyer", thuhet në njoftim.

Procesi është plotësisht i koordinuar nga Ministria dhe përfaqësitë diplomatike-konsullore në rajon. Përfundimi i procedurës së prokurimit publik përbën konfirmim të veprimit në kohë dhe me përgjegjësi në drejtim të mbrojtjes dhe kujdesit për qytetarët e Maqedonisë.

Sipas të dhënave të fundit, deri më sot, Ambasadën në Doha e kanë kontaktuar 150 shtetas të Maqedonisë, nga të cilët 95 kanë shprehur gatishmëri për evakuim. Ambasada në Abu Dabi është kontaktuar nga gjithsej 585 persona që qëndrojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe nga 36 persona nga Kuvajti, 15 nga Bahreini dhe 5 nga Mbretëria e Arabisë Saudite.

Ministria, siç thuhet në njoftim, edhe një herë u bën thirrje të gjithë shtetasve të Maqedonisë së Veriut që ende nuk kanë kontaktuar me përfaqësitë përkatëse diplomatike-konsullore, por kanë nevojë për evakuim ose asistencë, ta bëjnë këtë sa më shpejt përmes numrave të telefonit kujdestar të përfaqësive diplomatike-konsullore ose përmes numrit SOS të Ministrisë.

Detajet teknike dhe organizative lidhur me realizimin e fluturimeve do të përcaktohen në koordinim me operatorin ekonomik, për çka qytetarët do të informohen me kohë.

Ministria mbetet në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët dhe në koordinim me institucionet kompetente, me qëllim prioritar – kthimin e tyre të sigurt dhe në kohë. qa/

Foto: MPJdheTJ

 

QËNDRONI TË LIDHUR