• e hënë, 07 tetor 2024

Mitreski - Juratoviq: Mbështetja e fortë nga Bundestagu Gjerman për rrugën e Maqedonisë drejt BE-së

Mitreski - Juratoviq: Mbështetja e fortë nga Bundestagu Gjerman për rrugën e Maqedonisë drejt BE-së

Shkup, 7 shkurt 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Jovan Mitreski, sot realizoi takim me Delegacionin e Bundestagut të Republikës Federale të Gjermanisë, të udhëhequr nga Josip Juratoviq, kryetar i Grupit Parlamentar për Evropën Juglindore (EJL).

Në takim morën pjesë edhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit të RMV-së, Cvetanka Ivanova, si dhe deputetët gjermanë Tomas Haker, zëvendëskryetar dhe Shtefan Bradner, anëtar i Grupit të EJL-së në Bundestag, dhe ambasadorja gjermane në vend, Petra Deksler.

"Mitreski shprehu kënaqësinë për vizitën e përfaqësuesve të Bundestagut, të cilët po vizitojnë disa nga vendet e rajonit, dhe falënderoi Gjermaninë për mbështetjen në të gjitha fushat, veçanërisht në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian dhe anëtarësimit të plotë në NATO"; informoi pres shërbimi i Kuvendit.

Ai theksoi se Gjermania është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Maqedonisë së Veriut dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve karakterizohen nga miqësia dhe bashkëpunimi i gjatë. 

 

"Në takim u shpreh mirënjohje e thellë dhe e veçantë u shpreh për Rezolutën e miratuar së fundmi në Bundestag, e cila mbështet të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe i jep njohje të veçantë kulturës, identitetit dhe gjuhës maqedonase. Deputeti Tomas Haker, si një nga nismëtarët e Rezolutës, theksoi se ky është rast i rrallë kur Bundestagu veçon në këtë mënyrë një vend në nivel të veçantë, gjë që tregon qartë mbështetjen e fortë për të ardhmen evropiane të vendit tonë", theksohet në kumtesë.

Nga pala gjermane u theksua veçanërisht rëndësia e dialogut të brendshëm parlamentar dhe konsensusit nacional, veçanërisht për çështjet me interes strategjik, si anëtarësimi në institucionet euroatlantike. Në këtë kontekst, kryetari Mitreski shprehu pritjen që Maqedonia e Veriut të sigurojë anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030. Ai theksoi se në vitet e kaluara vendi është përballur me disa sfida dhe bllokime, por edhe se ka treguar gatishmëri për reforma dhe për përmbushjen e kritereve për anëtarësim në NATO dhe për hapjen e negociatave me BE-në.

 

"Në takim u shkëmbyen mendime për Procesin e Berlinit, i cili këtë vit feston 10-vjetorin e tij. Qëndrimi i përgjithshëm ishte se me përfshirjen e parlamenteve në të ngrihet niveli i bashkëpunimit politik, me përmirësimin e njëkohshëm të informimit të parlamentarëve për përparësitë që përmbajnë marrëveshjet e nënshkruara, të cilat më pas duhet të ratifikohen në parlamentet nacionale; shtojnë nga Kuvendi.

Duke iu referuar bashkëpunimit më intensiv parlamentar në nivel të shërbimeve, Sekretarja e Përgjithshme Ivanova falënderoi për ndihmën e Bundestagut për sigurinë e pavarur të brendshme parlamentare. Në këtë projekt, i cili është në kuadër të Programit për Mbështetje Parlamentare të Konfederatës Zvicerane, tashmë ka propozime për zgjidhje konkrete ligjore dhe do të dorëzohet donacioni i pajisjeve për realizimin e plotë të tij.

 Mitreski i njoftoi të pranishmit për obligimet dhe kompetencat e Kuvendit në lidhje me zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale në vend. Në fund të takimit, deputeti Juratoviq, duke vënë në dukje se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në të gjitha fushat në rrugën drejt BE-së, dëshiroi proces zgjedhor paqësor në vend, me, siç tha, përgjegjësi të plotë ndaj qytetarëve të Maqedonisë.

 Foto: Kuvendi

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR