• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Ministrja Bozhinovska paneliste në Forumin energjetik të vendeve të Evropës Juglindore (SEEF 2024)

Ministrja Bozhinovska paneliste në Forumin energjetik të vendeve të Evropës Juglindore (SEEF 2024)

Shkup, 6 shtator 2024 (MIA) - Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska është duke marrë pjesë në Forumin energjetik të Evropës Juglindore (SEEF 2024) që po mbahet sot në Selanik, Republika e Greqisë. Në edicionin e tetë, me radhë, të kësaj ngjarjeje të rëndësishme nga fusha e energjetikës, Bozhinovska ishte paneliste me temën: “Bashkëpunimi energjetik në rajonin e EJL-së dhe Mesdheut Lindor: Një pikë kthese për sigurinë energjetike të BE-së", njoftojnë nga Ministria.

Pas përfundimit të Panel diskutimit, ajo theksoi se ka pasur rastin të flasë për tema të rëndësishme energjetike që aktualisht janë në fokus të publikut evropian.

"Së bashku me kolegët tanë ministra të Energjetikës dhe ministritë dikasteriale nga Greqia, Shqipëria, Bullgaria, Kosova, Rumania dhe Egjipti, shkëmbyem mendime dhe qëndrime, si dhe drejtime të mundshme për stabilitetin energjetik, të cilat besoj se do t'i zbatojmë në periudhëln e ardhshme", tha Bozhinovska.

Në fjalën e saj, ministrja iu referua sfidave me të cilat përballen vendet e rajonit, duke theksuar rëndësinë e tranzicionit të gjelbër, kalimin nga burimet tradicionale në ato të rinovueshme dhe nevojën për dekarbonizim. Sipas saj, vendi ynë si pjesë e një sistemi kompleks është pjesë e pazëvendësueshme e sistemit energjetik rajonal i cili nuk mund të shihet veçmas, por vetëm si pjesë përbërëse e të gjitha cikleve të mëtejshme të investimeve dhe planeve zhvillimore të EJL-së.

Në margjinat e Forumit, ministrja zhvilloi takime me përfaqësues të kompanisë greke Helenik Enerxhi Holding, si dhe me kompaninë greke DESFA, e cila punon në një pjesë të gazsjellësit në vend.

Forumi energjetik i EJL-së është një nga ngjarjet më të njohura në rajon që bashkon politikëbërësit kryesorë, rregullatorët, investitorët, përfaqësuesit e sektorit privat, profesorët dhe ekspertët të cilët prezantojnë dhe ndajnë praktikat e mira rreth tendencave dhe sfidave të energjisë në rajon. Aktiviteti organizohet nga Oda ekonomike amerikano-greke dhe Shoqata greke për ekonomi energjetike në bashkëpunim me Ambasadën amerikane në Greqi, në një partneritet strategjik me Këshillin atlantik dhe Institutin global të energjetikës të Odës ekonomike të SHBA-së. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR