• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Ministria e Kulturës: Pagat në kulturë u rritën për 43 për qind për dy vite falë Marrëveshjes së përgjithshme kolektive

Ministria e Kulturës: Pagat në kulturë u rritën për 43 për qind për dy vite falë Marrëveshjes së përgjithshme kolektive

Shkup, 23 tetor 2023 (MIA) - Të gjithë të punësuarit në kulturë, duke filluar nga pagesa për muajin shtator marrin paga 10 për qind më të larta si rezultat i Marrëveshjes së përgjithshme kolektive për të punësuarit në sektorin publik të arritur këtë vit.

Siç kumtojnë nga Ministria e Kulturës, pagat në kulturë që nga fillimi i valës së rritjeve në vitin 2021, së bashku me rritjen e fundit nga muaji shtator i vitit 2023, janë më të larta për rreth 43 për qind.

"Një dinamikë e tillë e rritjes së pagave nuk është vërejtur në sektorin publik në vend, ndërsa te ky ndryshim drastik në favor të punonjësve të kulturës erdhi me nënshkrimin e Marrëveshjes kolektive e cila në 15 vitet e kaluara ishte paralajmëruar vazhdimisht për t'u realizuar përfundimisht në vitin 2019", sqarojnë nga Ministria.

Prej atje informojnë se marrëveshja ka kontribuar në grupimin e vendeve të punës, vlerësimin e drejtë të punës së punëtorëve, realizimin e të drejtave për shtesa në paga, parandalimin e keqpërdorimeve të punonjësve në kulturë, parandalimin e selektivitetit dhe favorizimit në përcaktimin e të drejtave sipas marrëdhënies së punës dhe rregullimin e çështjeve të tjera relevante të marrëdhënies së punës.

"Falë Marrëveshjes kolektive që nga viti 2020 pagat në kulturë janë rritur disa herë, edhe atë për 1.65 për qind në vitin 2021, për 19.55 për qind në vitin 2022, për 12.55 për qind në vitin 2023 në mars. Theksojmë se zbatimi i Konkluzionit të Qeverisë për rritjen e pagës bazë në sektorin publik për 10 për qind i cili vlen në të gjithë vendin, realizohet konform Marrëveshjes së përgjithshme kolektive", thuhet në kumtesë.

Mënyra e përcaktimit të pagës bazë bruto, siç thonë nga Ministria e Kulturës është definuar në Marrëveshjen kolektive për kulturën, ndërsa me vendimet individuale të pagave vetëm konstatohet shuma e rritur për 10 për qind konform nenit 14 të Marrëveshjes së përgjithshme kolektive.

"Për të pasur një pasqyrë më të mirë se si janë rritur pagat në kulturë nga viti 2021 deri në shtator 2023, më së miri shihet nga krahasimi i të dhënave për disa vende pune dhe pozita në disa institucione kulturore", theksohet në kumtesën e Ministrisë së Kulturës. 

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR