• e enjte, 26 dhjetor 2024

Millkov: Sofja dhe Shkupi nuk do ta shënojnë së bashku 4 majin

Millkov: Sofja dhe Shkupi nuk do ta shënojnë së bashku 4 majin

Sofje, 27 prill 2023 (MIA) - Sofja dhe Shkupi nuk do ta shënojnë së bashku 120 vjetorin e vdekjes së Goce Dellçevit më 4 maj, deklaroi sot ministri bullgar i Punëve të Jashtme, Nikollaj Millkov. 

Në konferencën për mediat në Sofje, siç raportojnë mediat bullgare, Millkov tha se nuk është arritur marrëveshje me Republikën e Maqedonisë së Veriut për shënimin e përbashkët të vdekjes së Dellçevit më 4 maj, edhe pse kishte marrëveshje të tilla dhe praktika në vitet e kaluara. 

"Do ta shënojmë në Bullgari në qytetin e Goce Dellçevit me pjesëmarrje të nivelit më të lartë. Në këto festime janë të mirëseardhur edhe përfaqësues nga Maqedonia e Veriut", theksoi Millkov. Ai paralajmëroi se ata bullgarë që dëshirojnë ta vizitojnë varrin e Goce Dellçevit në Shkup, kanë mundësi të përballen me të njejtat probleme si në muajin shkurt, në shënimin e 151 vjetorit të lindjes së tij.

Shefi i diplomacisë bullgare tha se deri tani nuk sheh hapa nga Shkupi në drejtim të zbatimit të të ashtuquajturit propozimit francez. Ai konsideron se është shumë me rëndësi se si do të bëhen ndryshimet në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut për përfshirjen e bullgarëve.

"Përpjekja jonë për të thënë se duhet bërë në atë mënyrë që të merren parasysh të gjitha të drejtat e bullgarëve maqedonas, u prit me thikë. Ishim të akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme", tha Millkov. 

Sipas tij, çdo përpjekje për sjelljen e optimizmit në marrëdhëniet dypalëshe për momentin mbetet e pa mbështetje. qa/bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR