• e shtunë, 23 nëntor 2024

Mickoski: Rruga evropiane është e ardhmja e vendit, Evropa ta thotë se çfarë realisht planifikon

Mickoski: Rruga evropiane është e ardhmja e vendit, Evropa ta thotë se çfarë realisht planifikon

Shkup, 11 mars 2024 (MIA) - Rruga evropiane e Maqedonisë është e ardhmja e vendit dhe e qytetarëve të Maqedonisë dhe këtu nuk duhet patur dilemë, deklaroi sot lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke theksuar se Evropa duhet ta thotë se çka realisht planifikon me vendin tonë dhe jo të jemi peng të politikës ditore. Nëse partia e tij vjen në pushtet në zgjedhjet parlamentare, VMRO-DPMNE është e gatshme të ulet dhe të bisedojë me cilindo që është i gatshëm të gjejë zgjidhje të përhershme për hyrjen e vendit në BE, pa pasur ndonjë pengesë shtesë në të ardhmen. VMRO-DPMNE, thotë Mickoski, dëshiron të flasë për kriteret reale të Kopenhagës të bazuara në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

"Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së është parimor. Ne duhet të dimë si qytetarë të Maqedonisë se çfarë po planifikon Evropa me Maqedoninë dhe jo të kërkojë justifikime. Evropa më në fund duhet t'i tregojë këtij populli se çfarë planifikon realisht me këtë popull, dhe jo të jemi peng të politikës ditore. Ne jemi për vlerat reale evropiane të përcaktuara që nga themelimi i BE-së nga ana e Shumanit, Adenauerit dhe De Gasperit, ne jemi për respektimin e kritereve të Kopenhagës dhe jo kontesteve bilaterale që fatkeqësisht i ka vetëm Maqedonia dhe asnjë komb tjetër", ka thënë Mickoski i cili ka qenë në një aktivitet në Komunën e Aerodromit.

Ne, vazhdoi ai, jemi për respektimin e të drejtave të njeriut, gjë që siç tha ai, fatkeqësisht fqinjët tanë, mbi të gjitha fqiu ynë lindor nuk e respekton, sepse tashmë kemi 14 aktvendime të Gjykatës për të drejtat e njeriut në Strasburg që refuzon t'i zbatojë.

Ai theksoi se qytetarët e Maqedonisë kanë bërë më së shumti për ato vlera evropiane dhe për atë rrugë evropiane se të gjitha kombet në Evropë. Përkujtoi se në fillim të viteve nëntëdhjeta i kemi ndërruar kartëmonedhat, pastaj kemi përdorur, siç tha ai, "atë emër nënçmues me referencë që është dashur të zgjasë gjashtë muaj dhe ka zgjatur tre dekada, pastaj kemi ndërruar edhe flamurin shtetëror”.

"Disa herë e ndryshuam Kushtetutën, rikorrigjuam, integruam, dezintegruam njësitë lokale etj. dhe në fund gjatë asaj rruge të dhunshme dhe brutale përsëri e ndryshuam Kushtetutën dhe emrin kushtetues dhe tani përsëri askush nuk e vlerëson, përsëri për shkak të këtij grupi kriminal në qeveri janë vendosur kushte shtesë për Maqedoninë”, tha Mickoski.

Këto janë ka thënë ai, porositë e VMRO-DPMNE-së.

"VMRO-DPMNE është e gatshme që menjëherë pas formimit të qeverisë të ulet dhe të bisedojë, por në bazë të kritereve reale të Kopenhagës, në bazë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Kushtetuta e Maqedonisë kështu siç është garanton të drejtat e njeriut për të gjitha bashkësitë etnike në Maqedoni, përfshirë edhe disa qindra qytetarë të Maqedonisë që janë pjesë e komunitetit bullgar në Maqedoni, por për fat të keq do të thosha mijëra, dhjetëra mijëra qytetarë maqedonas në Bullgari nuk munden as organizatë joqeveritare të regjistrojnë. Këto nuk janë vlera evropiane", ka thënë lideri i VMRO-DPMNE-së.

QËNDRONI TË LIDHUR