Mickoski: Forumi në Budapest sjell partneritete të reja, Maqedonia ndër vendet udhëheqëse në Evropë për nga investimet
- Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, sot mbajti fjalim në forumin e biznesit në Budapest, me temë "Dita e bashkëpunimit afarist ndërmjet Hungarisë dhe Maqedonisë", një ngjarje që bashkoi përfaqësues të institucioneve dhe komuniteteve të biznesit nga të dy vendet me qëllim thellimin e marrëdhënieve ekonomike, shkëmbimin e përvojave dhe hapjen e perspektivave të reja investuese.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 17:07, 30 mars, 2026
Shkup, 30 mars 2026 (MIA) - Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, sot mbajti fjalim në forumin e biznesit në Budapest, me temë "Dita e bashkëpunimit afarist ndërmjet Hungarisë dhe Maqedonisë", një ngjarje që bashkoi përfaqësues të institucioneve dhe komuniteteve të biznesit nga të dy vendet me qëllim thellimin e marrëdhënieve ekonomike, shkëmbimin e përvojave dhe hapjen e perspektivave të reja investuese.

Mickoski, në fjalimin e tij, theksoi se forume të tilla nuk janë vetëm një platformë për shkëmbimin e ideve, por një mekanizëm konkret për krijimin e partneriteteve të reja dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve mike. Ai nënvizoi se komunikimi i drejtpërdrejtë ndërmjet kompanive është kyç për krijimin e modeleve të reja të biznesit, për hapjen e tregjeve dhe për gjenerimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike.
Kryeministri, siç informojnë nga Qeveria, theksoi se linja e re ajrore ndërmjet Shkupit dhe Budapestit paraqet një hap të rëndësishëm përpara në lidhjen e dy shteteve, jo vetëm nga aspekti i mobilitetit, por edhe si një nxitje e fortë për zhvillimin e bashkëpunimit biznesor, investimeve dhe turizmit. Ai shprehu bindjen se kjo lidhje direkte do të kontribuojë në rritjen e dinamikës së marrëdhënieve ekonomike dhe do të hapë hapësirë për iniciativa dhe projekte të reja.

Në pjesën kushtuar performancës ekonomike, Mickoski theksoi se Qeveria zbaton politika të orientuara drejt krijimit të një mjedisi biznesor stabil, të parashikueshëm dhe konkurrues. Si rezultat i kësaj, në vitin 2024 vendi arriti nivelin më të lartë historik të investimeve të huaja direkte, në vlerë prej rreth 1,25 miliardë dollarësh, duke e pozicionuar atë ndër destinacionet kryesore në Evropë për investime për kokë banori.
Kryeministri u përqëndrua edhe te stabiliteti politik dhe kapaciteti institucional i Qeverisë, duke theksuar se shumica e qëndrueshme parlamentare dhe kontinuiteti i fitoreve zgjedhore krijojnë një bazë të sigurt për zbatimin e reformave dhe zhvillimin afatgjatë ekonomik. Ai shtoi se Qeveria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj agjendës reformuese, avancimit të sundimit të së drejtës, luftës kundër korrupsionit dhe transformimit digjital, si parakushte për tërheqjen e investimeve të reja.

Në fjalimin e tij, kryeministri u ndal edhe te perspektiva evropiane e vendit, duke theksuar se pavarësisht sfidave dhe procesit shumëvjeçar, vendi mbetet i fokusuar në reformat dhe përmbushjen e kritereve mbi bazë të meritave. Ai theksoi se progresi duhet të vlerësohet në mënyrë objektive dhe në përputhje me standardet evropiane, me qëllim të qartë – përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.
Kryeministri Mickoski dërgoi një mesazh të qartë për komunitetin afarist se Maqedonia është e hapur për investime dhe partneritete, duke ofruar kushte të favorshme, pozicion strategjik gjeografik dhe fuqi punëtore të kualifikuar. Ai inkurajoi kompanitë hungareze të shqyrtojnë mundësitë për të investuar në vend, duke theksuar njëkohësisht se kompanitë maqedonase janë të gatshme të zgjerojnë aktivitetet e tyre edhe në tregun hungarez.
Në fund të fjalimit, kryeministri shprehu bindjen se forumi i sotëm do të rezultojë me marrëveshje konkrete, lidhje të reja biznesore dhe partneritete afatgjata që do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të të dy vendeve.

Në këtë forum biznesi janë prezantuar disa dhjetëra kompani maqedonase, të cilat lidhen drejtpërdrejt me komunitetin e biznesit hungarez, duke përfaqësuar një mundësi të madhe për shfrytëzimin e potencialeve ekzistuese.
Mickoski sot së bashku me një delegacion qeveritar po qëndron në një vizitë politike dhe ekonomike në Hungari, ku, siç është paralajmëruar, do të takohet me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbanin, ndërsa më pas do të mbajë një fjalim në forumin e biznesit në Budapest me titull Dita e Bashkëpunimit Afarist midis Hungarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Tema e diskutimit në takimin e sotëm në Budapest, siç është paralajmëruar, do të jenë avancimi i marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimi ekonomik dhe çështjet aktuale rajonale dhe evropiane.
Në përbërjen e delegacionit qeveritar janë edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev, drejtori i Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit, Refik Xhemaili, drejtori i Drejtorisë për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike, Goce Dimovski, si dhe drejtoresha e Agjencisë për Inovacion, Zhvillim Shkencor dhe Teknologjik dhe Sipërmarrje, Daniella Dimovska.
Foto: Qeveria