Sali dhe Hoxha: Nevojitet veprim urgjent për përmirësimin e zbatimit të projekteve IPA në mjedisin jetësor
- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për çështje evropiane, Bekim Sali sot zhvilloi takim pune me ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, kushtuar gjendjes dhe sfidave në zbatimin e projekteve IPA në sektorin e mjedisit.
- Post By Fami Bajrami
- 11:13, 1 prill, 2026
Shkup, 1 prill 2026 (MIA)- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për çështje evropiane, Bekim Sali sot zhvilloi takim pune me ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, kushtuar gjendjes dhe sfidave në zbatimin e projekteve IPA në sektorin e mjedisit.
Në takim u konstatua se përkundër mbështetjes së konsiderueshme financiare nga Bashkimi Evropian, realizimi i projekteve përballet me sfida serioze, veçanërisht në aspektin e absorbimit të fondeve, kapaciteteve administrative dhe procedurave të prokurimit publik.

“Vëmendje e veçantë iu kushtua projekteve infrastrukturore kryesore, ku u theksua se disa prej tyre përballen me vonesa, tenderë të pasuksesshëm ose ndërprerje kontratash, duke rrezikuar realizimin në kohë dhe shfrytëzimin e fondeve. Ministrat u pajtuan se sfida kryesore nuk qëndron te planifikimi apo sigurimi i fondeve, por te zbatimi efektiv i tyre, dhe se është e domosdoshme: forcimi i kapaciteteve administrative, përmirësimi i menaxhimit të projekteve, koordinim më efikas ndërinstitucional, vendosja e mekanizmave për parandalimin e tenderëve të pasuksesshëm”, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, u theksua rëndësia e përshpejtimit të reformave në kuadër të Kapitullit 27 dhe përmbushjes së obligimeve nga Agjenda e Reformave, veçanërisht në fushën e politikave klimatike dhe sistemit MRVA.
"Sali theksoi se Ministria për Çështje Evropiane do të vazhdojë të koordinojë dhe monitorojë nga afër zbatimin e reformave, me qëllim shfrytëzimin më efikas të fondeve të BE-së dhe arritjen e rezultateve konkrete për qytetarët", theksojnë nga MÇE.
Foto: Ministria për Çështje Evropiane