• e premte, 27 dhjetor 2024
MIA Flesh
15:00/ 8 tetor/ 2022 Shkup, 8 tetor 2022 (MIA) – Maqedonia e Veriut arriti progres historik në qëllimin e saj strategjik, e ai është integrimi euroatlantik, anëtarësimi drejt NATO-s dhe përfundimisht fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE, thekson në intervistën për MIA-n, shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Klemens Koja. Megjithatë, thekson Koja, vendi ka ende shumë punë për të bërë në disa fusha kyçe, duke përfshirë zbatimin e legjislacionit reformues, strategjitë dhe planet e veprimit të krijuara për të përmirësuar funksionimin e institucioneve, si dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzve. Një nga këto fusha është sistemi i drejtësisë. Koja, i cili së shpejti do të largohet nga vendi pas përfundimit të mandatit të tij katërvjeçar në krye të OSBE-së, thekson se mbështetja për reformat në fushën e drejtësisë mbetet një nga fushat prioritare të punës së Misionit, duke përfshirë mbështetjen për modernizimin e Kodit Penal dhe Ligjit të Procedurës Penale. Shkup – Presidenti Stevo Pendarovski e vizitoi Agjencinë Informative Mediatike – MIA me rastin e ditëlindjes së 24-t të agjencisë, që dje u shënua me pritje dhe ekspozitë të fotografive. Lajmin e parë MIA e transmetoi më 30 shtator të vitit 1998, kur edhe filloi prodhimi i rregullt i informacioneve për mediat dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut, në kohë reale me fotografi dhe tekst, ndërsa sot edhe me transmetim të drejtpërdrejtë me video, shprehje të plotë multimediale dhe prani në mediat sociale. Shkup – Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani konsideron se hapja e klubit bullgar “Mbreti Borisi i Tretë” në Ohër është provokim e cila shkon në dëm të komunitetit bullgar në vend. “E drejta e shoqërimit është e pacenueshme, por emri nuk është konform me pikën e dytë të Konventës për mbrojtjen e pakicave, ajo bëhet në frymën e dialogut dhe miqësisë, pasi ky emër as që i ndihmon miqësisë, përkundrazi është bazë për përçarje dhe mosdurim. Prandaj e konsideroj si provokim. Kjo është në dëm të komunitetit bullgar në vend”, tha sot ministri Osmani në brifingun e rregullt me ​​gazetarët. Shkup- Ajo që u vendos është që debati nga opinioni të transferohet në organet partiake dhe kjo do të ndodhë më 15 tetor. Do të formohen organet partiake ku do të vazhdojë ky debat që është shprehje e praktikës demokratike, lirisë në parti që secili të shprehë mendimin e tij. Mendoj se kjo është e shëndetshme për çdo parti dhe për çdo shoqëri, tha ministri i Punëve të Jashtme dhe anëtar i BDI-së, Bujar Osmani në pyetjen e gazetarëve për reformat në parti dhe pritshmëritë nga mbledhja e ardhshme e Këshillit të Përgjithshëm. Sipas tij, formimi i organeve partiake ishte prolonguar për shkak të pandemisë. Shkup– Bashkësia Politike Evropiane është përgjigje e menjëhershme e agresionit rus të Ukrainës dhe është përgjigje e përbashkët evropiane e kërcënimit rus të sigurisë evropiane. Ajo aspak nuk do të merret me tema të cilat janë fokus kryesor i BE-së, veçanërisht jo të politikës së zgjerimit, deklaroi shefi i Diplomacisë, Bujar Osmani. Shkup – Mendoj se deri në mbrëmje do të finalizohen masat për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve dhe se deri të hënën do të shpallen, tha sot kryeministri Dimitar Kovaçevski. Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas ngjarjes për nënshkrimin e marrëveshjes për sponzorizim mes M-TEL dhe KB Rabotniçki, Kovaçevski paralajmëroi se të hënën do të lëshohet në përdorim edhe një kapacitet energjetik. “Të hënën do të lëshohet në përdorim edhe një tjetër kapaciteti prodhues energjetik. Besoj se në mandatin tim aktual prej nëntë deri në dhjetë muaj do të kemi pothuajse të njëjtën fuqi të instaluar të objekteve të reja të prodhimit të energjisë elektrike siç janë instaluar në 30 vitet e fundit”, theksoi Kovaçevski. Shkup – Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot tha se për momentin nuk ka asnjë paralajmërim për ndonjë ndryshim në përbërjen qeveritare. Sipas tij, BDI më 15 tetor ka paralajmëruar zgjedhjen e kryesisë. “Unë e di se BDI më 15 tetor ka paralajmëruar zgjedhje të kryesisë, por nuk ka asnjë paralajmërim për momentin për ndonjë ndryshim në përbërjen qeveritare”, theksoi Kovaçevski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse pret ndryshime në strukturën qeveritare pas paralajmërimeve të BDI-së për reformim brendapartiak. Shkup– Maqedonia e Veriut ka marrë katër milionë dollarë nga shitja e pronës së përbashkët të ish-Jugosllavisë në Nju Jork ndërsa do të shfrytëzohen për nevojat e MPJ-së për blerjen e objektit për misionin tonë në Nju Jork, informoi sot shefi i diplomacisë Bujar Osmani. “Ato mjete para dy ditësh kanë arrit në llogarinë e misionit tonë në Nju Jork dhe ndërkohë Qeveria në seancën e së martës, me propozim të MPJ-së solli vendim që me ato mjete, apo në kuadër të atyre mjeteve, sepse ato mjete do të shkojnë në buxhet, por në suaza të atyre mjeteve për të blerë objekt për misionin tonë në Nju Jork dhe me pjesën e mbetur të mjeteve edhe në rajon. Pra, shkojmë në shfrytëzimin e mjeteve që arrijnë në mënyrë suksesive drejtpërdrejtë për nevojat e MPJ-së”, tha Osmani. Beograd – Presidenti serb Aleksandar Vuçiq në paraqitjen e tij të sotme para publikut, duke folur për krizën energjetike, paralajmëroi se Serbia, mes tjerash, planifikon ndërtimin edhe të tubacionit të naftës përgjatë Maqedonisë së Veriut deri në portin e Durrësit, si dhe lidhjen me gaz me shtetin tonë, informon korrespondenti i MIA-s nga Beogradi. Duke e shpjeguar krizën aktuale energjetike në botë, Vuçiqi tha se pas ngjarjeve të fundit rreth sanksioneve të BE-së drejt Rusisë, me të cilat Kroacia u dëshmua si partner jo i besueshëm për tubacionin e naftës Janaf, i cili është tubacioni i vetëm i naftës me të cilin furnizohet Serbia me naftë, Beogradi ka marrë vendim për fillimin e ndërtimit të tubacionit të naftës drejt Hungarisë, ndërsa në plan është edhe ndërtimi i një tubacioni të naftës me “miqtë nga Ballkani i Hapur”. Shkup – Sektori korporativ në vitin 2021 gradualisht ka normalizuar punën, ku kompanitë në mënyrë të konsiderueshme u rimëkëmbën nga pasojat e pandemisë. Fitimi neto i sektorit korporativ u rrit për 30.7 për qind pasi fitimi ra prej 18.9 për qind në 2020. Sipas Bankës Popullore është e dukshme ulje e ndjeshme e pjesëmarrjes së subjekteve nga sektori korporativ që kanë punuar me humbje që në vitin 2021 arrin në 32.7 për qind të numrit të përgjithshëm të subjekteve krahasuar me 43.6 për qind vitin e kaluar. Shkup– Ministria e Punëve të Brendshme gjatë ditës së djeshme vazhdoi me kontrollimet e përforcuara në trafik. Vetëm në territorin e qytetit të Shkupit gjatë ditës së djeshme janë shqiptuar gjithsej 211 kundërvajtje, prej të cilave 13 për tejkalim të shpejtësisë, 16 sanksione për drejtimin e automjetit pa patentë shofer, 25 sanksione për kundërvajtje të këmbësorëve, shtatë masa për ngasjen e automjetit nën ndikimin e alkoolit. Poashtu janë shqiptuar edhe gjashtë sanksione për përdorimin e telefonit celular gjatë drejtimit të automjetit, dymbëdhjetë sanksione për errësimin e xhamave në mënyrë të parregullt, tetë gjoba për kalim në semafor të mbyllur (ngjyrë e kuqe)… Shkup– Nëpunës policorë të Njësitit për Tregti të Palejuar me Drogë pranë SPB Shkup, Njësitit të Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup dhe Njësisë për Delikte Pronësore dhe Delikte të të Miturve pranë Njësitit të Punëve të Brendshme Qendër dhe Bit Pazar kanë kryer kontrollime aksionale ndaj objekteve gastronomike në rajonin e Qendrës në Shkup me çka janë arrestuar 12 persona dhe është gjetur drogë. Shkup– Moti do të jetë me diell me vranësira të vogla deri mesatare lokale. Nëpër disa lugina do të ketë kushte për paraqitje të mjegullës së dobët në mëngjes. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -1 deri 9, ndërsa ajo maksimale prej 20 deri 26 gradë. Në Shkup mot me diell me vranësira të vogla. Temperatura minimale do të bie deri në 5, ndërsa ajo maksimale do të mbërrijë deri 24 gradë. Deri të hënën do të ketë mot të qëndrueshëm me temperatura të ulëta të mëngjesit dhe temperatura relativisht të larta gjatë ditës. Në ditët e fundjavës në disa lugina do të ketë kushte për paraqitje të mjegullës së dobët në mëngjes. Të martën do të ketë rritje të vranësisë me reshje lokale të shiu. Beograd – Profesori në Fakultetin e Shkencave Politike në Prishtinë, Nexhmedin Spahiu, deklaroi se në vitin e parë pas liberalizimit të vizave, nga Kosova mund të largohen deri 500.000 qytetarë. Spahiu për agjencinë Beta deklaroi se shumica e të rinjve duan të shkojnë në Perëndim sepse nuk shohin perspektivë në Kosovë. “Gati se në çdo familje të paktën një anëtar jeton dhe punon në vendet e Evropës Perëndimore. Nëse, siç është paralajmëruar, deri në fund të vitit Bashkimi Evropian bën liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, 100.000 qytetarë do të largohen nga Kosova në vitin e parë në vetëm tre deri katër muaj, ndërsa në vitet e ardhshme edhe në disa valë edhe 300.000–400.000 banorë”, vlerësoi profesori Spahiu. Prishtinë – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi sot se bota duhet të hapë kapitull të ri paqësor që të mos kthehet në situatën në të cilën ishte para vitit 1989, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Në hapjen e seminarit të 102-të Roz Rot të Asamblesë Parlamentare (AS) të NATO-s, i cili prej sot e deri më 10 tetor do të mbahet në kryeqytetin e Kosovës, Konjufca tha se Kosova do t’i bëjë të gjitha reformat e nevojshme që një ditë të bëhet anëtare e NATO-s. Kryetari i Kuvendit të Kosovës porositi se Kosova më mirë se të gjithë e di se çka po kalon për momentin populli i Ukrainës. Sarajevë– Përfaqësuesi i lartë Kristian Shmit deklaroi se nuk është mbështetës i Dejton dy, duke theksuar se kjo më shumë do të ndikojë në interesat e vendeve nënshkruese se sa në vetë Bosnjën e Hercegovinën. “Unë nuk jam mbështetës i Dejton 2, takim në ndonjë bazë ajrore, në të cilin do të takohen disa njerëz të cilët mendojnë se i njohin interesat konkrete të popullatës në fjalë”, deklaroi Shmit në intervistë për edicionin boshnjak të gazetës së Zagrebit “Veçernji list”. Ai shtoi se “shpreson dhe angazhohet se njerëzit në BeH janë më të përgatitur që të kujdesen për njëri-tjetrin, madje edhe sa i përket pozicionit kushtetues”. Moskë– Hetuesit rusë njoftuan se tre persona humbën jetën pasi një kamion ka shpërthyer në urën që e lidh Krimenë, e aneksuar nga Moska me tokën, duke shtuar se pronari i automjetit është identifikuar. “Sipas informacioneve preliminare, tre persona humbën jetën”, thuhet në kumtesën e komitetit hetues rus. Në të shtohet se ata sipas gjitha gjasave janë “udhëtarë në automobilin që ishte në afërsi të kamionit që kishte shpërthyer”. Nju Jork – Këshilli i drejtorëve ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka miratuar një kredi urgjente prej 1.3 miliardë dollarësh për Ukrainën për të siguruar financim shtesë si ndihmë që shteti ta mbajë ekonominë e saj në luftën kundër invazionit rus. Paratë do të vijnë nga programi i ri për kredi urgjente për përballje me mungesat e ushqimit të cilin Këshilli i drejtorëve të institucionit financiar e miratoi muajin e kaluar. Ukraina poashtu kërkoi që Këshilli i drejtorëve të FMN-së të mbikëqyrë programin në mënyrë që të forcojë angazhimin politik dhe të katalizojë mbështetjen e donatorëve, bëri të ditur FMN-ja. Phenian – Autoritetet në Kore të Veriut njoftuan se testimet e raketave janë për vetëmbrojtje nga kërcënimet ushtarake direkte të SHBA-së dhe ato nuk e kanë rrezikuar sigurinë e vendeve dhe rajoneve fqinje. Koreja e Veriut ka kryer gjashtë lansime të raketave për 12 ditë nga kjo javë, duke përfshirë edhe lansimin e një rakete me rreze të mesme veprimi mbi Japoninë të martën. Teheran – Forcat iraniane të sigurisë sot qëlluan mbi protestuesit në dy qytete kurde, njoftoi grupi iranian për të drejtat e njeriut Hengav. “Forcat e sigurisë gjuajnë ndaj protestuesve në Sanandajn Sakez”, njoftoi në profilin në Tuiter Tavsir 150. Shtohet se policia ka përdorur edhe gaz lotsjellës.

QËNDRONI TË LIDHUR