• e premte, 27 dhjetor 2024
MIA Flesh
15:00/ 1 janar/ 2022 Shkup – Salla plenare e Kuvendit është pajisur me teknologji të re dhe është digjitalizuar plotësisht. Ai sistem do të promovohet pas Vitit të Ri dhe shpresoj se zgjedhja e qeverisë së re do të mbahet në sallën plenare, e jo në sallën Kupola, thotë në intervistë për MIA-n kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Shkup – Foshnja e parë e lindur këtë vit është mashkull dhe është i katërti në familjen e Suzana dhe Goran Stoshiqit. Ka lindur në minutën e parë të Vitit të Ri dhe peshon 3 kilogram e 70 gram, i gjatë 50 centimetra, ka deklaruar sot ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe i cili ka informuar edhe për ngjarjet tjera gjatë kohës së festës së ndërrimit të moteve. Filipçe ka theksuar se kanë lindur edhe dy foshnje, një në orën 00:02, derisa foshnja tjetër në orën 5 të mëngjesit ka lindur në kovid- qendrën nga një nënë e cila është pozitive në koronavirus. Shkup– Nata e Vitit të Ri në shtet kaloi qetë, pa shkelje të mëdha të rendit dhe qetësisë publike. Është regjistruar ulje e numrit të veprave penale në territorin e gjithë shtetit. Nga Ministria e Punëve të Brendshme për MIA-n informojnë se janë arrestuar gjithsej 12 persona, ndërsa janë regjistruar 18 shkelje të rendit dhe qetësisë publike, prej të cilave pjesa më e madhe sulme fizike dhe zënka fizike. Gjatë natës së vitit të ri ka pasur shtatë aksidente në komunikacion, prej të cilave shumica me dëme materiale, gjatë të cilave nuk janë regjistruar viktima. Shkup – Me vendosjen e luleve në varin e ish-presidentit Kiro Gligorov, sot në Alenë e Kolosëve në Varrezat e Qytetit në Butel në Shkup, ishte shënuar dhjetëvjetori i vdekjes së presidentit të parë nga pavarësia e shtetit. Lule në varrin e Gligorovit vendosën presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, dhe delegacion i qeverisë dhe i LSDM-së Shkup– Në Agjencinë për Komunikime Elektronike (AKE) vitin e kaluar janë dorëzuar gjithsej 515 ankesa në lidhje me pakënaqësinë e konsumatorëve me cilësinë e shërbimit zanor dhe të internetit në telefoninë celulare, transportueshmërinë e numrave, telefoninë fikse, internetit kabllor, bisedës dhe internet në roaming, televizionit kabllor. Nga numri i përgjithshëm i ankesave të paraqitura në AKE, në 41 për qind procedura është ndërprerë për shkak të veprimit të operatorit gjatë zgjidhjes së rastit, 22 për qind janë zgjidhur pozitivisht nga AKE-ja, 27 për qind janë zgjidhur negativisht dhe në një për qind e rasteve ndërmjetësimi është kryer, të dyja palët kanë rënë dakord. Për nëntë për qind organi rregullator nuk mbante përgjegjësi për problemin që u ankohej, dorëzimi i ankesës ishte i parakohshëm ose dokumentacioni ishte i paplotë. Bruksel – Franca e ndërmerr timonin e Bashkimit Evropian sot dhe për gjashtë muajt në vijim, dhe edhe pse zgjerimi i BE-së mbetet temë tabu për opinionin evropian-perëndimor, për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë njohësit nuk përjashtojnë përparim në process, lajmëron korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.  Prioritetet e Francës u prezantuan para më pak se një muaji nga ana e presidentit francez, Emanuel Makron, në konferencën për shtyp në Paris. Fjala “zgjerim” pritshëm nuk u përmend, por shefi i shtetit e vendosi Ballkanin Perëndimor së bashku me Afrikën në prioritetet e tij. Shkup – Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska në natën e Vitit të Ri i vizitoi pjesëtarët e Shërbimit për ndihmë urgjente mjekësore, stacionin e policisë në Kisella Vodë dhe Brigadën zjarrfikëse në Qytetin e Shkupit. “Natën e Vitit të Ri e kaluam me njerëzit që kujdesen për shëndetin dhe sigurinë tonë, pjesëtarët e Shërbimit për ndihmë urgjente mjekësore stacionin policor për kompetenca të përgjithshme Kisella Voda SPB Shkup dhe Brigadën e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit. Jam e nderuar që patëm rastin të jemi me ta sonte, respekt të madh për punën e tyre të palodhshme në shërbim të qytetarëve”, thotë Arsovska në postimin në profilin e saj në Facebook. Shkup– Gjatë natës së Vitit të Ri në Klinikën Universitare të Toksikologjisë në Shkup janë regjistruar 17 intoksikime alkoolike, me çka shtatë te minorenë prej 14 deri 17 vjet, informojnë për MIA-n, nga Klinika Universitare e Toksikologjisë – Shkup. Siç njoftuan nga klinika, 10 pacientë ishin të gjinisë mashkullore, ndërsa shtatë të gjinisë femërore. Pas trajtimit kishin lëshuar klinikën. Shkup – Më 31.12.2021, pas urdhrit gjyqësor të pranuar paraprakisht, është kryer kontroll në shtëpinë e M.M (47), nga fshati i Strugës Llabunishtë. Siç njoftoi MPB, gjatë kësaj, nëpunësit e policisë nga DPB Strugë, gjetën dhe morën 4.400 mjete piroteknike – kapsolla të cilat i posedonte pa autorizim. Gostivar – Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari në video fjalimin të gjithë banorëve të Gostivarit ua uroi Vitin e Ri dhe theksoi se viti paraprak ka përfunduar me mbi njëqind projekte. Ai ka vizituar shërbimet e kujdestarisë së policisë dhe Njësisë kundër zjarreve. “Me krenari ju njoftojmë se e përmbyllim vitin 2021 me mbi 100 projekte të zbatuara. Këto projekte direkt kanë ndikuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Aktivitetet në terren tregojnë se kemi punuar në çdo sferë: arsim, infrastrukturë rrugore, kanalizim, ujësjellës, rekreim, kulturë”, ka thënë Taravari. Tetovë – Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami gjatë natës së ndërrimit të motmoteve ka vizituar të punësuarit e shërbimeve të kujdestarisë. Vizitat i ka nisur me vizitën e një të punësuari të NPK Tetovë i cili është në mjekim për shkak të lëndimit gjatë sanimit të defektit të rrjetit të ujësjellësit në vendin Leshnicë gjatë muajit dhjetor. “Kam vizituar punëtorin Rahim i punësuar në Ndërmarrjen publike komunale ‘Tetovë’- Tetovë i cili është operuar. Për fat gjendja e tij shëndetësore është stabile. çdoherë do të jemi në anën e punëtorëve, pasi ata e kryejnë punën më të mirë në qytetin tonë. E falënderoj Rahimin dhe kolegët e tij që Tetova edhe më tej ka ujë për pije dhe pastërti”, ka thënë Kasami. Tetovë – Foshnja e parë në repartin e gjinekologjisë pranë spitalit klinik të Tetovës është lindur në minutën e parë të vitit 2022. Ajo është foshnja e parë e lehonës. “Në orën 00.01 Mevlude Idrizi e lindur në vitin 1997 me lindje spontane natyrale e lindi fëmijën e saj të parë, vajzë me peshë 3480 gramë dhe gjatësi 50 centimetra. Lindjen e kreu mjekja kujdestare Meral Ferati”, deklaroi mjekja Meral Rexhepi e cila ishte kujdestare në repart prej orës 8 të mëngjesit. Ohër – Dy vite shpejt do të kalojnë. Këto kanë qenë kryesisht reagimet e opinionit ndaj vendimit të Komitetit të trashëgimisë botërore pranë Organizatës së KB-së për Edukim, Shkencë dhe Kulturë në seancën e vazhduar të 44-të plenare të mbajtur këtë verë në Fuxhou, Kinë, ku rajoni i Ohrit për një fije floku shmangu të vendoset në listën e thesareve kulturore dhe natyrore botërore të rrezikuar. Me sugjerimin e Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa me mbështetjen e Rusisë, Hungarisë, Arabisë Saudite, Kinës dhe Guatemalës, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria si shtete qeverisëse të rajonit të Ohrit, në Kinë morën afat shtesë prej dy vjetëve për të përmbushur rekomandimet e Misioneve Reaktive të UNESKO-s. Prilep – Kjo është një nga netët më të qeta të Vitit të Ri, pa vepra penale dhe pa shkelje të rendit dhe qetësisë publike, qytetarët festuan me përgjegjësi, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski duke e vlerësuar natën e e vitit të ri në plan të sigurisë. Spasovski sot ishte për vizitë në stacionin e policisë në Prilep i cili është i fundit nga 70 sa janë rinovuar. Prilep– Stacioni i policisë në Prilep është objekti i 70-të i rikonstruktuar në vend. Mbeten edhe 10 të tjerë ku procesi duhet të përfundojë në mesin e vitit. Sa i takon punës së stacioneve të policisë ka përparim të dukshëm në sigurinë, uljen e kriminalitetit, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski gjatë vizitës së sotme në Departamentin e Punëve të Brendshme në Prilep, njëherësh vizita tradicionale e janarit ndaj policisë të vendit. Tiranë– Presidenti shqiptar Ilir Meta përmes një videoporosie ua uroi Vitin e Ri 2022 të gjithë bashkëkombësve të tij, me pritje se Shqipërinë do ta shohë më demokratike dhe më të drejtë, më të bashkuar dhe më të fuqishme. “Qytetarë të nderuar, motra dhe vëllezër, bashkëkombës të dashur, kudo që jeni. Dua tua transmetoj dëshirat më të përzemërta për Vitin e Ri, në të cilin Shqipëria dua të jetë më demokratike dhe më të drejtë, më të bashkuar dhe më të fuqishme, por edhe me shqiptarë më të shëndoshë dhe më prosperues! Për këtë të gjithë bashkë t’i mobilizojmë forcat dhe energjitë më pozitive të kombit tonë, por edhe mendjet më të mençura që t’i tejkalojmë sfidat e mëdha para nesh”, njofton Meta. Tiranë – Përmes një videoporosie, vitin e ri të gjithë shqiptarëve ua uroi kryeministri Edi Rama, duke u dëshiruar shëndet dhe mirëqenie në familje, por së pari atyre u kërkoi falje. Siç thotë në porosi, kërkim falja ka të bëjë për gjithçka që nuk ka thënë ose nuk ka mundur të bëjë siç duhet në vitin që po e lëmë pas, gjatë kësaj duke i siguruar të gjithë se për besimin e qytetarëve do të bëjë gjithçka që është e nevojshme dhe do të jetë në shërbim të tyre. Paris– Franca prej sot e ndërmerr kryesimin me rotacion me Këshillin e Bashkimit Evropian. Kjo ndodh në kohë të shumë sfidave me të cilat përballet Parisi: nga përhapja e Omikronit deri te shpërndarja e ushtarëve rusë në kufirin me Ukrainën. Megjithatë, kryesimi është mundësi edhe për presidentin aktual francez Emanuel Makron të bëjë mjaftueshëm publicitet që të kandidohet për rizgjedhje. Berlin – Gjermania prej sot e ndërmerr kryesimin me rotacion me G-7 për periudhë prej një viti. Deri më tani Britania e Madhe ishte kryesuesi me rotacion i Shtatëshes së madhe. Presidenca gjermane me G-7 ekonomitë më të mëdha botërore (SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia, Kanada, Japonia, Britania e Madhe) do të ndiqet me vëmendje. Kjo është e para pas largimit të kancelares Angela Merkel. Uashington – Presidenti amerikan Xhozef Bajden nesër do të bisedojë me kolegun e tij ukrainas, Volodomir Zelenski. Bajdeni dje ka deklaruar se gjatë kohës së bisedës telefonike e ka paralajmëruar presidentin rus Vlladimir Putin se “nuk mund të niset kundër Ukrainës”. Ai ka deklaruar se “nëse Putini niset kundër Ukrainës” do të ketë sanksione të ashpra dhe Amerika do të rrisë praninë në Evropë me aleatët e NATO-s. Minsk– Bjellorusia prej sot ka ndaluar importin e një numri të madh të produkteve ushqimore nga vendet perëndimore. Pushteti e ka miratuar masën si përgjigje nga pakoja e pestë e sanksioneve të BE-së. Dekreti për këtë çështje është miratuar më 7 dhjetor 2021 dhe ndikon në “një spektër të gjerë të mallrave në vendet që zbatojmë politikë diskriminuese dhe armiqësi” ndaj Minskut. Nju Delhi – Të paktën 12 besimtarë humbën jetën, ndërsa 14 janë lënduar sot gjatë rrëmujës në një tempull hind në Kashmir, njoftoi policia. “Dymbëdhjetë besimtarë humbën jetën, ndërsa 14 janë lënduar në rrëmujën sot në orët e hershme të mëngjesit në tempullin Mata Vaishno Devi. Të gjithë të lënduarit janë hospitalizuar”, bëhet e ditur në kumtesën e policisë. Tel Aviv – Kryengritës palestinezë në Gazë sot gjuajtën dy raketa drejtë Detit Mesdhe, duke shkaktuar shpërthim në afërsi të bregut në Tel Aviv, konfirmoi armata izraelite. Policia njoftoi se në sulm nuk ka viktima, as dëme të shkaktuara materiale. Deri më tani asnjë nga grupet militante palestineze nuk e mori përgjegjësinë për gjuajtjen e raketave. Los Anxhelos – Ekipi i Los Anxhelos Lejkersit udhëhequr nga Lebron Xhejmsi mëngjesin e  sotëm e ka mposhtur ekipin e Portlandit me 139:106. Në ndeshjen e luajtur në Los Anxhelos, më efikas ka qenë Xhejmsi me 43 pikë dhe 14 kërcime. Kështu amerikani 37 vjeçar ka vënë rekord gjatë sezonit në ligën NBA. Poashtu, Lebron e ka rritur serinë e ndeshjeve ku ka shënuar 30+ pikë në shtatë ndeshje. Pas këtij triumfi, Lejkersi me bilanc (18-19 fitore- humbje), gjendet në vendin e 8-të të Konferencës perëndimore. Mançester – Sulmuesi i Mançester Junajtedit, Kristiano Ronaldo nuk është i kënaqur nga pjesëmarrja e ekipit në pjesën e deritashme të sezonit. “Nuk jam i kënaqur nga rezultatet e Mançester Junajtedit. Të gjithë jemi të palumtur, jam i sigurt në këtë. E dimë se duhet të punojmë më shumë, të luajmë më mirë dhe të tregojmë më shumë se sa deri tani që treguam. Le të jetë Viti i Ri kthesë në sezonin! Ta presim vitin 2022 në disponim të shkëlqyeshëm dhe mentalitet të fuqishëm. Ta japim gjithçka nga vetja, të mbështetemi në yjet dhe ta kthejmë këtë klub atje ku e ka vendin! Na bashkëngjitni, ne konsiderojmë në ju! Gëzuar Viti i Ri, shihemi së shpejti”, ka shkruar Ronaldo në rrjetet sociale.

QËNDRONI TË LIDHUR