15:00/ 12 janar/ 2025
Shkup – Me një minutë heshtje dhe vendosje të luleve të freskëta në lapidarin në Bllacë të Katllanovës, sot u shënua shtatëmbëdhjetë vjetori i vdekjes tragjike të njëmbëdhjetë pjesëtarëve të Armatës, të cilët i humbën jetët e tyre duke u kthyer nga misioni paqeruajtës ALTEA në Bosnjë e Hercegovinë. Siç bënë të ditur nga Ministria e Mbrojtjes homazhe për të vdekurit bënë delegacione nga MM dhe Shtatmadhoria e Armatës, e kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski dhe shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral major Sashko Lafçiski, nga Komanda për Operacione, brigada e këmbësorëve, VING-u ajror, nga komuna Petrovec, si dhe anëtarët e familjeve. Në aksidentin e helikopterit, para shtatëmbëdhjetë vjetëve, duke u kthyer nga misioni paqësor ALTEA në mënyrë tragjike jetët i humbën nënkoloneli Toni Spasovski, majori Goran Ristovski, kapedanët Brane Spasovski dhe Igor Gjoreski, rreshterët Sllavço Vasilev dhe Toni Davitkovski, rreshterët më të vjetër Janko Shiriq dhe Aleksandar Taskovski, rreshterët Miki Ivanovski dhe Aleksandar Vasiç dhe tetari Zllatko Veljanoski.
Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet në kushte dimërore nëpër rrugë të lagështa dhe mbetje të borës pas intervenimit të ekipeve tona të kujdestarisë, informojnë nga NP "Rrugët e Maqedonisë". Është lëshuar për qarkullim të mallrave rruga Deve Bair – Kriva Pallankë. Ndalesë për automjete të rënda për shkaqe parandaluese ka në drejtimet rrugore Gostivar-Mavrovë-Dibër, Gostivar-Strazhë-Kërçovë, në qafat malore Presekë, Pletvar, Gjavatë, Makedonski Brod - Prilep përmes qafës malore Barbaros dhe Dellçevë - V.K Dellçevë. Në disa drejtime rrugore që kalojnë nëpër gryka dhe përrenj, janë të mundura rrëshqitje më të vogla të dheut.
Shkup – Në Kodër të Diellit sot në mëngjes është më ftohtë me -9 gradë Celsius të matura dhe me më shumë borë 52 centimetra, ndërsa më ngrohtë është në Pretor me 2 gradë. Në Hanet e Mavrovës janë matur -8 gradë, -6 në Krushevë, -3 Kriva Pallankë, Tetovë, Berovë, Prilep dhe Kumanovë, -2 Manastir, Shtip, Ohër dhe Dibër, -1 gradë në Shkup – Zajçev Rid, Vinicë, Veles dhe Kavadar, - Shkup – Petrovec, Strumicë dhe Demir Kapi dhe 1 gradë në Gjevgjeli. Gjatë 24 orëve të kaluara më së shumti shi ka rënë në Dibër – 16 litra në metër katrorë, 12 në Hanet e Mavrovës, Ohër, 10 në Kodër të Diellit, Berovë, 9 Krushevë, Pretor, 7 Kriva Pallankë, 6 Strumicë, 4 Gjevgjeli, Manastir, Demir Kapi, 3 Shkup – Zajçev Rid, Prilep, Kumanovë, 2 Shtip, 1 Kavadar, Tetovë, Vinicë. Lartësia e shtresës së borës, siç informuan nga DPHM, në orën 7 është 35 centimetra në Hanet e Mavrovës, 15 Shtip, Dibër, 12 Gjurishtë, 11 Manastir, Tetovë, 8 Krushevë, 5 Ohër, 4 Prilep, 3 Kumanovë, 2 Shkup – Petrovec dhe 1 centimetër në Strumicë dhe Demir Kapi.
Shkup – NP për Mirëmbajtje të Rrugëve Magjistrale dhe Rajonale – Rrugët e Maqedonisë, me mekanizmin e plotë dhe fuqinë e punës është në teren dhe në vazhdimësi po kryen pastrimin e rrugëve shtetërore, njoftuan nga Ministria e Transportit. Gjithashtu, bëhet e ditur në kumtesë, në dispozicion janë vendosur edhe “persona të tretë” (kompani të cilat bashkëpunojnë me NP Rrugët e Maqedonisë) dhe të njëjtët janë përfshirë në pastrimin e borës në rrugët magjistrale dhe rajonale. Nga Ministria e Transportit u bëjnë thirrje të gjithë shoferëve që t’i respektojnë dispozitat ligjore për qarkullim në kushte dimërore dhe të posedojnë pajisje dimërore për automjetet, të drejtojnë me kujdes veturat dhe ta respektojnë sinjalizimin e vendosur në komunikacion, si dhe t’i respektojnë rekomandimet e shërbimeve për qarkullim.
Shkup – Komunikacioni hekurudhor i udhëtarëve zhvillohet normal dhe pa ndërprerje, me vonesa minimale të cilat tejkalohen shpejtë falë intervenimeve nga ekipet kujdestare nga NP “Infrastruktura” në teren, njoftuan nga Ministria e Transportit. Theks i veçantë, theksohet, është vendosur në intervenimet te pikat kritike, duke siguruar lëvizje pandërprerë dhe të sigurt të trenave të udhëtarëve. “Komunikacioni hekurudhor i mallrave zhvillohet me vonesa të vogla, të cilat kryesisht janë shkaktuar nga kthesa me borë ose të ngrira. Ndërmarrja publike ‘Infrastruktura – Hekurudha’ gjithashtu me ekipe kujdestare në vazhdimësi punon në pastrimin dhe mirëmbajtjen e kthesave, duke mundësuar vazhdimësi në komunikacion”, njoftuan nga Ministria.
Athinë – Rikonstruim i vendkalimeve kryesore kufitare tokësore të Greqisë me vendet fqinje, përfshirë Evzonin dhe Bogorodicën, si dhe ajo që do të hapet në rajonin e Prespës, paralajmëron kryeministri grek Kiriakos Micotakis, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina. Tradicionalisht, çdo javë Micotakisi në Fejsbuk publikon një recension javor, ndërsa sot, duke qenë se është i pari për këtë vit, ka adresuar zotimet e Qeverisë për vitin 2025, duke përfshirë edhe rikonstruimin e pikave kufitare. Ai shpjegon se rikonstruimi fillon me vendkalimin Kipi në Evros drejt Turqisë, projekt për të cilin është duke u zhvilluar tender prej 12.9 milionë euro dhe që sipas Micotakisit “pritet të ulë kohën e pritjes për kalimin e automjeteve për 75 për qind dhe vlerësohet se projekti do të përfundojë në fund të vitit 2025".
Zagreb – Në më shumë se 6.500 vendvotime në Kroaci sot në orën 7 filloi votimi në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në të cilat marrin pjesë presidenti i deritanishëm, Zoran Millanoviq (SDP) dhe Dragan Primorac, i mbështetur nga HDZ në pushtet, Lëvizja atdhetare dhe disa parti më të vogla, informon Hina. Vendvotimet do të jenë të hapura deri në orën 19, ndërsa rezultatet e para Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) do t’i kumtojë në orën 19 e 30 minuta. Në rrethin e parë të zgjedhjeve morën pjesë tetë kandidatë, ndërsa Millanoviq hyri në rrethin e dytë me 49,1 për qind të votave të fituara dhe Primorac me 19,35 për qind mbështetje të votuesve.
Pragë – Gjashtë persona humbën jetën nga shpërthimi i një bombole gazi në një restorant në qytetin Most, në veriperëndim të Çekisë, me çka ishte djegur ndërtesa, njoftoi sot ndihma urgjente, transmetoi Hina. Mediat britanike informuan se në shpërthimin e madh mbrëmë janë lënduar edhe tetë persona, ndërsa nga restoranti dhe ndërtesat përreth janë shpëtuar 30 persona, njoftoi shërbimi zjarrfikës në rrjetin social Iks. Sipas dëshmitarëve të rastit, shpërthimi ishte shkaktuar kur ishte rrokullisur një ngrohëse me gaz, që shkaktoi zjarr, ndërsa pastaj edhe shpërthim, njoftuan nga brigada zjarrfikëse. Ministri i Punëve të Brendshme, Vit Rakushan deklaroi për Radion Çeke se ngrohësja ishte në kopshtin dimëror të restorantit.
Gjenevë - Zvicra është e gatshme të jetë nikoqire e takimit mes presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Tramp dhe atij rus Vlladimir Putin i cili do t'i kushtohet zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë, nëse ata e kërkojnë këtë, shkruan sot gazeta zvicerane "Temp" (Le Temps). “Pas samitit në Birgenshtok, Ukrainë, Rusia dhe SHBA u informuan rregullisht për gatishmërinë tonë për të mbështetur përpjekjet diplomatike për të vendosur paqen”, deklaroi shefi i shërbimit për shtyp të Ministrisë së Jashtme të Zvicrës, Nicola Bido, transmeton gazeta. Autoritetet zvicerane, megjithatë, nuk do të marrin iniciativën për këtë çështje, ndërsa gazeta thekson se vendi është vetëm një nga ata që janë të gatshëm për të pritur takimin mes dy liderëve.
Berlin – Kancelari gjerman Olaf Shollc deklaroi se retorika ekspansioniste e presidentit të porsazgjedhur amerikan Donald Tramp, e cila është e drejtuar kundër Grenlandës, Kanadasë dhe Panamasë, është arsye për shqetësim. Kancelari në largim në Kongresin e Partisë së tij Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD) në Berlin tha se po vijnë “kohë të pasigurta” në marrëdhëniet me Uashingtonin, duke vlerësuar se “forca të caktuara në Amerikë” punojnë “në shkatërrimin e institucioneve demokratike të Perëndimit”, njoftoi Blumberg. Kancelari theksoi se parimi i paprekshmërisë së kufijve vlen për çdo vend dhe se ky është thelbi i vlerave perëndimore.
Strasburg - Numri i të lënduarve nga përplasja e djeshme e dy tramvajeve në Strasburg është rritur në 68, gjithnjë sipas raportit të fundit nga autoritetet lokale. Tramvajet u përplasën në një tunel pranë stacionit kryesor të trenit në Strasburg, një nga më të ngarkuarit në Francë pas Parisit. “Në aksident janë lënduar 68 persona, por askush nuk është lënduar rëndë”, kumtoi prefektura Rajna e Poshtme, kryeqyteti i së cilës është Strasburgu. Nga aksidenti pa lëndime kanë dalë qindra pasagjerë. Sipas rezultateve fillestare të hetimit, një tramvaj ka rrëshqitur mbrapsht dhe ka goditur tramvajin pas tij.
Los Anxhelos – Në shërbimet kompetente në Los Anxhelos është raportuar se në zjarret në qytet dhe rrethinë deri më tani humbën jetën 16 persona, informojnë sot mediat amerikane. Pesë persona humbën jetën në lagjen Palisejds, ndërsa 11 në Iton, bëjnë të ditur shërbimet medicinale, transmeton Ej-Bi-Si Njuz (ABC News). Në zjarrin në Iton deri më tani janë djegur 14.117 arë, ndërsa janë shkatërruar ose dëmtuar 7.000 objekte. Shefi i zjarrfikësve në Los Anxhelos, Entoni Marone, deklaroi se kolegët e tij arritën të lokalizonin vetëm 15 për qind të zjarrit në Iton. Ai paralajmëroi se meteorologët parashohin erë të fuqishme deri të mërkurën, që dukshëm do t’i vështirësojë përpjekjet për shuarjen e zjarrit.
Uashington – Presidenti amerikan Xho Bajden mbrëmë ka biseduar në telefon me papa Françeskun dhe gjatë kësaj e ka njoftuar se i ka ndarë “Medalje Presidenciale të Lirisë”, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Bajdeni më parë këtë muaj Medalje të tilla presidenciale të lirisë u ndau 19 personave. “Medalja Presidenciale e Lirisë është çmimi më i lartë civil i kombit, që u ndahet individëve të cilët kanë dhënë kontribut të madh për prosperitetin, vlerat ose sigurinë e SHBA-së, paqen botërore ose lëmi të tjera të rëndësishme shoqërore, publike ose private”, bëhet e ditur në kumtesën e Shtëpisë së Bardhë.
Sana – Të paktën dhjetë persona humbën jetën, ndërsa 65 u lënduan dje në shpërthimin e një pompe të benzinës dhe rezervuari për gaz në provincën jemenase Al Bajdam njoftoi një përfaqësues i pushtetit lokal. Shpërthimi ka ndodhur në lagjen Zaher, pas çka ishin djegur dy pompa fqinje të benzinës dhe depo përreth. Pompa e benzinës në momentin e shpërthimit ishte e mbushur me klientë. Njerëzit bënin përpjekje që të ikin nga kompleksi i djegur. Shkaku i shpërthimit ende nuk dihet, transmeton YemenOnline.info.
Uashington – Prokurori special amerikan Xhek Smit dha dorëheqje nga Ministria e Drejtësisë, pas përfundimit të hetimeve penale kundër presidentit të porsazgjedhur amerikan Donald Tramp lidhur me gjoja përpjekjet e tij ta ndryshojë humbjen e tij në zgjedhje në vitin 2020, njoftoi sot “Politiko”. Lajmi për dorëheqjen e Smitit ishte publikuar sot më parë në fusnotën e parashtrimit në Ministrinë e Drejtësisë dërguar gjykatëses amerikane të qarkut, Ajlin Kenon, në të cilën nga ajo kërkohet që të mos e vazhdojë urdhrin gjyqësor me të cilin përkohësisht e bllokon publikimin e raportit përfundimtar të Smitit për hetimet ndaj Trampit.
Islamabad – Aktivistja pakistaneze dhe fituese e Çmimit Nobël për Paqe, Mallalla Jusufzai deklaroi sot se Izraeli e ka “asgjësuar” sistemin arsimor në Rripin e Gazës, ku po zhvillon luftë kundër lëvizjes palestineze Hamas nga viti 2023. “Në Gazë, Izraeli e ka asgjësuar të gjithë sistemin arsimor. Ata i bombarduan të gjitha universitetet, shkatërruan 90 për qind të shkollave dhe në mënyrë joselektive i qëllonin civilët të cilët ishin strehuar në ndërtesat e shkollave”, tha ajo në takimin për arsim të vajzave në Islamabad, ku po marrin pjesë përfaqësues të dhjetëra vendeve, kryesisht nga bota islamike. “Do të vazhdoj ta dënoj shkeljen e të drejtave ndërkombëtare dhe njerëzore nga ana e Izraelit”, tha Jusufzai, transmetuan mediat franceze.
Vankuvër – Idenë e presidentit të porsazgjedhur Donald Tramp se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së e dënoi edhe ish kryeministri kanadez Zhan Kretien, i cili Trampin e porositi “të mendojë përsëri”. Kretien, i cili ishte kryeministër i Kanadasë nga viti 1993 deri në vitin 2003, iu bashkëngjit zyrtarëve kanadezë të cilët thonë se komentet e Trampit më nuk janë tallje dhe mund t’i dëmtojnë marrëdhëniet mes të dyja vendeve. “Kanadaja asnjëherë nuk do të pajtohej të bëhet pjesë e SHBA-së”, shkroi Kretien në shkrimin e publikuar në gazetat “Glloub” dhe “Mejll”. Kretien shtoi se deklaratat e Trampit përfaqësojnë “ofendime plotësisht të papranueshme dhe kërcënime të papara për sovranitetin kanadez”.
Riad - Ministrat për Punë të Jashtme dhe diplomatët e lartë nga vendet perëndimore dhe Lindjes së Mesme sot tubohen në kryeqytetin saudit Riad me ministrin e ri të jashtëm sirian në një takim të parë rajonal kësisoj për Sirinë që nga përmbysja e presidentit Bashar al Asad, muajin e kaluar. Shefja e diplomacisë gjermane, Analena Berbok këtë mëngjes arriti në Riad përpara një takimi me homologun e ri sirian, Asad Hasan Al Shibani. Pritet që në bisedimet të përfshihet edhe shefi i diplomacisë britanike Dejvid Lami, theksohet në deklaratën e Ministrisë për Punë të Jashtme të Britanisë. Në takimin e sotëm në Riad janë të pranishëm ministrat e jashtëm të Arabisë Saudite, Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Bahreinit, Irakut, Jordanisë, Libanit dhe Turqisë, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së.