• e premte, 08 nëntor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 1 janar/ 2023

Shkup - Nëse viti 2023 ishte vit i mundësive të reja, pres që viti 2024 të jetë vit i realizimit të perspektivave evropiane, vit në të cilin të gjithë bashkë do të punojmë në përmbushjen e agjendës evropiane, të përmbushjes së qëllimit tonë të dytë, të shumëpritur pas anëtarësimit në NATO, ndërsa ai është anëtarësimi në BE, porosit kryeministri Kovaçevski në urimin e Vitit të Ri dërguar qytetarëve. Siç bën të ditur Kovaçevski, në vitin e ri hyjmë me mundësi të reja dhe plane të reja për arritje edhe më të mëdha. 

Shkup- Të premten, në fund të orarit të punës, në Kabinetin tim, në atmosferë të relaksuar me kolegët e mi vura bast që foshnja e parë e lindur në vitin 2024 do të jetë djalë dhe kjo u përmbush, do të thotë do të përmbushen të gjithë projektet e planifikuara në shëndetësi. I rekomnandoj qytetarët që të besojnë në sistemin shëndetësor dhe në të gjithë punonjësit shëndetësor, do të punojmë në maksimum, ndërsa qëllimi ynë është, në vend se me skandale, shëndetësia këtë vit të jetë në nivelin të cilin e meritojnë pacientët tanë. Këtë e theksoi sot paradite ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, i cili bashkë me ministren e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska e vizituan Alekun, foshnjën e parë që u lind këtë vit në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës (KGJO) në Shkup.

Shkup - Nata e fundvitit në territorin e tërë shtetit kryesisht kaloi qetë. Gjendja e sigurisë në tërë territorin e vendit gjatë natës së ndërrimit të viteve ka qenë stabile, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski pas vizitës në qendrën policore “Gjorçe Petrov”. Spasovski theksoi se në vitin 2023 Departamenti për Operacione Speciale Policore dhe SPB Shkup shënojnë rritje të aktivitetit në kuadër të planeve të vendosura sipas “Qyteti i sigurt” përmes masave dhe aktiviteteve të përforcuara ne qëllim të mbrojtjes së pronës dhe sigurisë së qytetarëve, parandalimin e kryerjes së veprave penale dhe ruajtjen e sigurisë së qytetarëve.

Shkup - Sot bëhen 12 vjet nga vdekja e presidentit të parë të Republikës së pavarur të Maqedonisë, Kiro Gligorov. Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut i përbërë nga Darko Kaevski dhe Beti Stamenkovska-Trajkoska sot do të vendosin lule në varrin e Gligorovit në varrezat e Qytetit, Butel në Shkup. Lule do të vendosë edhe delegacioni qeveritar i kryesuar nga zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe zëvendësministrja e Drejtësisë Viktoria Avramovska-Madiq.  Gligorov vdiq më 1 janar 2012 në Shkup në shtëpinë e tij në moshën 94 vjeçare.

Shkup - Sektori hekurudhor në vend për vitin e kaluar ka marrë notën 2.91 nga udhëtarët. Gjashtë bojkote janë shënuar me ndërprerje të qarkullimit, ndërsa ndërprerje shkaktuan edhe dëmet nga zjarret në hekurudhën afër Manastirit dhe plasaritja e shtyllës së urës hekurudhore në lumin Cërna, afër lokalitetit Stobi, e cila ka bllokuar transportin e mallrave me Greqinë. Risi për hekurudhat është liberalizimi me ndryshimet ligjore që hynë në fuqi më 1 dhjetor dhe lejuan operatorët privatë të përfshihen në transportin e mallrave, që shpesh here pëson dëme nga grevat e organizuara nga sindikatat, kryesisht për pagesën e pagave.

Shkup - Zëvendësministri i Mbrojtjes, Tiron Jajaga, vitin e ri 2023 e priti së bashku me pjesëtarët e kontingjentit të Armatës së Republikës së Maqedonisë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Jajaga në pritjen e përbashkët të Vitit të Ri, paqeruajtësit i porositi se paraqet nder për të që është mes tyre dhe i falënderoi për pjesëmarrjen e tyre në misionin, i cili u pamundësoi që ditët festive t'i kalojnë me më të afërmit e tyre. "Pushimet janë një nga ditët më të ndritshme që duhet t'i kalojmë në rrethin e familjes. Fakti që jeni të gjithë këtu, larg njerëzve tuaj të dashur dhe që po e bëni me dinjitet dhe përkushtim tregon profesionalizmin dhe përkushtimin tuaj ndaj shërbimit. Këtë e vlerësojmë dhe e respektojmë", tha zëvendësministri.

Shkup - Në Qendrën urgjente në Shkup gjatë natës së kaluar ishin kryer 103 kontrolle, ndërsa në Klinikën e Toksikologjisë 23.  Përveç të lënduar në tre aksidente komunikacioni, në Qendrën urgjente ishte sjellë edhe një pacient 20-vjeçar i cili gjatë një sulmi fizik ishte therrë me thikë. Ai është pranuar në Klinikën e Kirurgjisë Torako Vaskulare dhe është në gjendje të qëndrueshme. Një pacient, është pranuar në Klinikën e Kirurgjisë Digjestive për trajtim të mëtutjeshëm dhe gjithashtu, është në gjendje stabile.  Në Klinikën e Toksikologjisë të gjitha rastet ishin  intoksikime akute dhe asnjë pacient nuk është mbajtur. Pas kontrolleve pacientët janë lëshuar në shtëpi. Gjatë kësaj, shumica ishin gra.

Shkup - Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore, nëpër disa rrugë të lagështa. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut, nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.   

Prishtinë - Automjetet me targa të Kosovës RKS nga dita e sotme do të mund të lëvizin lirshëm në të gjithë territorin e Serbisë. Qeveria e Serbisë ka marrë një vendim që të lejojë lëvizjen e lirë për të gjitha automjetet me targa RKS, i cili hyn në fuqi për zbatim nga sot (1 janari 2024). Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka theksuar se lejimi i të gjitha automjeteve nga Kosova për të marrë pjesë në komunikacion në rrugë bëhet për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes.

Tiranë - Shefi i shtetit shqiptar, Bajram Begaj dhe i qeverisë Edi Rama ua uruan qytetarëve të Kosovës hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave, duke e vlerësuar këtë si "arritje të merituar, por të vonuar".  Begaj në publikimin në Fejsbuk shkroi se shpreson se ky hap do ta përshpejtojë procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe organizatat e tjera ndërkombëtare. Kryeministri Rama duke e uruar Kosovën për liberalizimin e vizave, në një publikim në Fejsbuk, shkroi "Ky vit nisi mbarë për Kosovën, me lirinë e shumëpritur të lëvizjes në Bashkimin Evropian".

Beograd - Serbia prej sot e ndërmerr kryesimin njëvjeçar me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Prioritetet e kryesimit të Serbisë me marrëveshjen CEFTA gjatë vitit 2024 do të jenë, mes tjerash, konsolidimi dhe përforcimi i zbatimit të marrëveshjes, lehtësim i tregtisë me mallra dhe shërbime mes palëve të CEFTA-s, si dhe digjitalizim. Disa nga masat të cilat do të jenë në fokus përfshijnë pilotim të aksioneve të përbashkëta doganore, shkëmbim të të dhënave, punë në drejtim të njohjes së ndërsjellë të programit të subjekteve të autorizuara afariste të palëve të CEFTA-s, tregti elektronike, lehtësim të tregtisë me pemë dhe perime. 

Lubjanë - Sllovenia sot zyrtarisht e filloi mandatin si anëtare jo e përhershme e Këshilit të Sigurisë së KB-së, i cili zgjat deri më 31 dhjetor 2025, ndërsa çështja për paqen dhe sigurinë në praktikë do të fillojë nesër, sepse Pallati i popujve nuk punon sot për shkak të 1 janarit.  Ministrja sllovene e Punëve të Jashtme, Tanja Fajon në fillim të mandatit të saj paralajmëroi se kjo është mundësi e shkëlqyer, por edhe përgjegjësi, sepse edhe krahas lidhjes dhe pavarësisë globale, situata e tanishme në botë është e "komplikuar". "Për këtë do të bëjmë përpjekje të veçantë që të jemi mbrojtës të paqes, progresit dhe sigurisë, paralajmëroi ajo dhe tha se ekipi në Nju-Jork, të cilin e përbëjnë tridhjetë njerëz, është përgatitur mirë dhe shumë i motivuar dhe dëshiron të lërë shenjë. 

Stamboll - Dhjetëra mijëra njerëz sot janë tubuar në Stamboll që ta shënojnë fillimin e vitit të ri 2024 me marsh për Gazën dhe ta dënojnë sulmin terrorist të PKK-së të para disa javëve, në të cilin kanë humbur jetën më shumë se dhjetë ushtarë turq në Irakun verior, njofton Agjencia Anadollu. Demonstruesit kanë marshuar, duke brohoritur slogane, kanë mbajtur parrulla dhe kanë valuar flamurin palestinez. Ngjarjen e ka organizuar Fondacioni rinor turk (TUGVA) dhe anëtarët e Platformës nacionale për vulnet, e cila përbëhet nga 308 organizata joqeveritare.

Vjenë - Malta sot e merr kryesimin njëvjeçar të Organizatës për siguri dhe bashkëpunim në evropë (OSBE) nga Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa kryesimin do ta kryejë kreu i diplomacia, Jan Borg. Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, më 1 dhjetor, në përfundim të Këshillit të 30-të ministror të OSBE-së në Shkup, deklaroi se vendimi për kryesimin e Maltës është marrë unanimisht. Borg e theksoi gatishmërinë e Maltës për të marrë presidencën.

Kopenhagë - Mbretëresha e Danimarkës Margareta e Dytë ka njoftuar papritur se do të abdikojë në fjalimin e saj tradicional televiziv për Vitin e Ri. Ajo do të abdikojë zyrtarisht më 14 janar, pas 52 vitesh në fron. Atë do ta trashëgojë djali i saj i madh, Princi i Kurorës Frederik. "Unë do t'ia lë fronin djalit tim, princit të kurorës Frederik", tha ajo. Margaret e Dytë (83) e mori fronin nga babai i saj - Mbreti Frederik i Nëntë pas vdekjes së tij më 14 janar të vitit 1972. Ajo është aktualisht mbretëresha e vetme në botë dhe në korrik ajo u bë monarkja më jetëgjatë në historinë e Danimarkës.

Bruksel - Mbrojtja e sundimit të së drejtës, demokracia dhe uniteti, përforcimi i konkurrencës evropiane, nxitja e tranzicionit të gjelbër dhe të drejtë, përforcimi i agjendës sociale dhe shëndetësore të BE-së, mbrojtja e qytetarëve dhe kufijve të Unionit dhe promovimi i Evropës globale, janë gjashtë prioritetet e Belgjikës gjatë kryesimit me Bashkimin Evropian në gjashtë muajt e parë të vitit 2024. Procesi i zgjerimit të Unionit nuk është cekur si prioritet i posaçëm i kryesimit belg, por në pjesën lidhur me sundimin e së drejtës, demokracisë dhe unitetit ceket se Belgjika do t'i mbështesë vendet kandidate për anëtarësim në përpjekjet e tyre për t'iu bashkuar BE-së. Duke cekur se zgjerimi duhet "të na bëjë të gjithëve më të fuqishëm", kryesimi belg potencon se nga aspekti i pranimit të vendeve të ardhshme anëtare, me rëndësi kyçe do të jetë Unioni t'i përgatitë politikat, resurset dhe strukturat e veta për mënyrën e sjelljes së vendimeve.

Moskë - Pesë anëtare të reja - Egjipti, Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Etiopia sot formalisht bëhen anëtare të plotfuqishme të grupit BRIKS dhe fillojnë punë të përbashkët nën kryesimin e Rusisë, e cila e ndërmerr nga Afrika Jugore. Argjentina është dashur të bëhet anëtarja e gjashtë e këtij institucioni, por më 29 dhjetor, presidenti i ri argjentinas Havier Milaj zyrtarisht i informoi anëtaret e BRIKS se vendi i tij do ta marrë ftesën për anëtarësim në grupin e dërguar pas samitit në Johanesburg në gusht të vitit 2023.

Kiev - Rusia ka lansuar 90 dronë disa orë para Vitit të Ri, njoftuan forcat ajrore ukrainase. Në publikimin në telegram, thuhet se gjithsej 87 drone janë rrëzuar me sukses. "Armiku ka përdorur numër rekord të droneve për sulmin e tipit Shahed", qëndron në publikim dhe precizohet se sulmi është kryer në dallgë prej katër drejtime. Pohohet se edhe Rusia e ka sulmuar Ukrainën me katër raketa kundërajrore C-300 në Harkov.

Berlin - Të paktën 15 policë janë lënduar në natën e vitit të ri në një fishekzjarr në Berlin, ndërsa rreth 300 protestues janë arrestuar, prej të cilëve shumica për shkelje të Ligjit për shpërthime, shkruan gazeta gjermane "Bild". Gazeta thekson se në Gorni Pallatinatu, në Bavari, një 18-vjeçar ka ndërruar jetë nga lëndimet të cilat i kishte marrë nga kapsollat, shkruan gazeta. Në Berlin u përsërit skenari i vitit të kaluar kur shpërthyen trazira në të cilat protestuesit përdorën kapsolla dhe raketa për fishekzjarre, ndërsa policia gjermane denoncoi një seri sulmesh ndaj pjesëtarëve të Ndihmës emergjente, por edhe mbi qytetarët e zakonshëm. 

Moskë - Presidenti rus Vladimir Putin sot deklaroi se armiku i Rusisë nuk është Ukraina, por "elitat perëndimore" të cilat e mbështesin.  Sipas tij, Ukraina është "vetëm një mjet në duart e Perëndimit kolektiv që e shfrytëzon që të luftojë kundër Rusisë", transmeton RT. Në pyetjen për mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën, presidenti rus tha se elitat e Perëndimit kolektiv janë "armiqtë e vërtetë të Rusisë". 

Tokio - Një tërmet me magnitudë prej 7.4 ballë e ka goditur ishullin kryesor të Japonisë, Honshu, për shkak të së cilës Shërbimi kombëtar i motit lëshoi paralajmërim për cunami prej 3 metrash përgjatë bregut të Detit Japonez. Zëdhënësja e televizionit japonez NHK vazhdon t'u bëjë thirrje banorëve që të kërkojnë siguri në terrene të larta. Tani për tani nuk ka raportime për dëme apo viktima, njoftoi DPA. Epiqendra e tërmetit ishte në gadishullin Noto në prefekturën Ishikava, rreth 505 kilometra në veriperëndim të Tokios.

Tokio -Tërmeti me magnitudë 7.6 ishte më i madhi që ka goditur Gadishullin Noto në prefekturën Ishikava që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1885, njoftoi Agjencia meteorologjike e Japonisë. Një zyrtar i agjencisë deklaroi gjithashtu se paralajmërimi i cunamit i lëshuar më herët ishte paralajmërimi i parë i madh i këtij lloji që nga marsi i vitit 2011, kur Japonia u godit nga një nga tërmetet e saj më të fuqishme në histori. Ai shtoi se ka një rrezik të shtuar të rrëshqitjeve të dheut dhe zjarreve në zonat e prekura. Autoritetet janë ende duke vlerësuar shkallën e dëmit dhe banorët duhet të përgatiten për më shumë tërmete, paralajmëroi kryeministri japonez Fumio Kishida

QËNDRONI TË LIDHUR