• e mërkurë, 25 dhjetor 2024
MIA Flesh

15:00 / 5 maj / 2024

Shkup - Besimtarët ortodoks sot festojnë Pashkët - Ringjalljen e Krishtit, dita kur Jezu Krishti dëshmoi fuqinë e tij hyjnore dhe u ringjall nga të vdekurit. Ringjallja e Krishtit u shpall në mesnatë në të gjithë tempujt e Kishave ortodokse maqedonase, ndërsa sot mbahen liturgjitë e Pashkëve. Kryepeshkopi i KOM-KO z.z Stefani adhuroi në kishën katedrale "Shën Kliment i Ohrit" në Shkup nga ku shpalli Ringjalljen e Krishtit dhe dha mesazhet për Pashkët.

Shkup - Presidenti Stevo Pendarovski me rastin e festës së Pashkëve ka dërguar urim drejt kreut të Kishës Ortodokse Maqedonase - Kryepeshkopatës së Ohrit, Mitropoliti i Shkupit, Kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë dhe Justiniana prima, z. Stefanit dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë, si dhe kryetarit të Përfaqësisë kishtare të Kishës Metodiste ungjillore Emil Zaev dhe anëtarëve të Kishës metodiste ungjillore në vend.

Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Jovan Mitreski, në emër të deputetëve dhe në emrin e tij personal, dërgoi urim me rastin e festës së madhe të krishterë - Pashkët, kreut të Kishës Ortodokse Maqedonase - Kryedioqeza e Ohrit, Kryepeshkopi i Ohrit i Maqedonisë imzot Stefani dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë, duke uruar që ditët e festave ta kalojnë me shëndet, gëzim e lumturi të pamasë, të mbushura me paqe shpirtërore dhe harmoni.

Shkup - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin e tij, dërgoi telegram urim për festën krishtere, Ringjalljen e Krishtit – Pashkët tek kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase - Kryepeshkopata e Ohrit, Kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, z.z. Stefanit, Sinodit të Shenjtë të Peshkopëve, klerikëve dhe murgjve të KOM-KO, besimtarëve ortodoksë dhe të gjithë qytetarëve që e festojnë sot festën.

Shkup - Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski me rastin e festës së Pashkëve ka dërguar urim deri te besimtarët ortodoksë. "Qoftë e lumtur dhe e përjetshme festa më e madhe e krishterë, Ringjallja e Krishtit - Pashkët. Uroj deri te gjithë ata që e festojnë ditën e sotme, shëndet, gëzim dhe mirëqenie në shtëpitë e tyre. Bëj thirrje për harmoni dhe unitet në shoqërinë tonë. Në këtë festë madhështore, paçim paqe dhe qetësi në shpirtin tonë, dhe mirësia dhe urtësia qofshin udhërrëfyes për veprat e mira dhe të ardhmen", thuhet në urimin e Kovaçevskit.

Shkup - Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski në emrin e tij personal dhe në emër të partisë ka dërguar mesazh për të gjithë besimtarët me rastin e festës së Pashkëve. "Ringjallja e Krishtit i tregoi njeriut se sa Zoti e donte, dhe se ai ishte gati të kryqëzohej për shpëtimin e njerëzimit. Dashuria e Zotit për njeriun është e pamatur", thuhet në urim. Ringjallja, thuhet më tej, është një konfirmim se shpresa do të fitojë gjithmonë, vullneti njerëzor, dashuria dhe besimi mund të kontribuojnë për një botë më të bukur.

Shkup - VMRO-DPMNE-ja në këto zgjedhje është afër shumicës në Parlament dhe nuk do të habitesha nëse kemi 61 deputetë, deklaroi sot në pyetjen e gazetarëve kryetari i kësaj partie Hristijan Mickoski. "Besoj se të mërkurën do të kemi fitore bindëse të dyfishtë, Gordana Siljanoska Davkova do të jetë presidentja e ardhshme e Maqedonisë, ndërsa koalicioni "Maqedonia jote" dhe VMRO-DPMNE-ja do të kenë 61 deputetë", deklaroi Mickoski para Kishës katedrale "Shën Klimenti i Ohrit".

Shkup - Paqe, rehati, shëndet dhe dashuri për të gjithë besimtarët e krishterë, ka uruar sot kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska para Kishës katedrale duke uruar Pashkët. "Uroj që në çdo ditë të vitit të duam njëri tjetrin, të respektojmë njëri tjetrin, të jemi të kujdesshëm ndaj njëri tjetrit, të jemi solidarë dhe të kujdesemi për njëri tjetrin. Urime festa edhe për shumë vite", thekson Arsovska

Shkup - Një zjarr ka shpërthyer mbrëmë në Shtëpinë e pleqve në fshatin Bansko të Strumicës. Nuk ka persona të lënduar, ndërsa është shkaktuar vetëm dëm material, kumton Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).  Sipas Qendrës rajonale për menaxhim me kriza - Strumicë, zjarri është raportuar rreth orës 23:30. Në shuarjen e zjarrit kanë ndërhyrë shtatë zjarrfikës me dy automjete kundër zjarreve. Zjarri plotësisht është shuar 50 minuta pas mesnate.

Shkup - Moti sot në vend do të jetë kryesisht me diell dhe më i ngrohtë, pasdite në zonat malore me kushte për reshje të kohëpaskohshme dhe vranësira. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi jugor. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 3 deri në 10, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 18 deri në 25 gradë Celsius. 

Paris - Presidenti kinez Si Xhinping sot do të arrijë për vizitë në Francë, pasi që presidenti francez Emanuel Makron do të provoj të arrijë një marrëveshje me të për të reduktuar disbalansin tregtar dhe për të ndikuar që ai të përdorë ndikimin e tij në Rusi për luftën në Ukrainë. Asnjë nga të dy objektivat nuk do të jetë i lehtë për t'u arritur gjatë qëndrimit dyditor të Si Xhinping në Francë dhe mes rritjeve të tensioneve tregtare midis Evropës dhe Kinës, transmetojnë agjencitë botërore.

Kiev - Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski sot në fjalimin e tij me rastin e Pashkëve u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve të tij që të bashkohen në lutje dhe të luten për njëri tjetrin dhe për ushtarët e vijës së parë të frontit, duke thënë se Zoti - i cili ka "flamurin ukrainas mbi supe" - do të bëjë që jeta të mund vdekjen. "Të lutemi për njëri tjetrin. Kur të gjithë u afruam më shumë me njëri tjetrin, ndaluam të jemi të huaj për njëri tjetrin", tha Zelenski në fjalimin e tij në rrjetin social Telegram.

Tel Aviv - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu sot deklaroi se qeveria e tij ka vendosur unanimisht mbylljen e përfaqësive lokale të televizionit të Katarit TV Al Xhezira. Vendimin Netanjahu e ka publikuar në platformën "Iks", por pasojat e një hapi të tillë për atë shtëpi televizive dhe kur do të hyjë në fuqi dhe nëse do të mbyllet përgjithmonë ose përkohësisht - nuk dihen ende.

Tel Aviv - Forumi i familjeve të pengjeve dhe personave të zhdukur sot në Ditën e përkujtimit të holokaustit apeloi deri te kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu që të "injorojë çdo presion politik" dhe të kujtojë premtimin "kurrë më" dhe të sigurojë marrëveshje për lirimin e izraelitëve të marrë peng në Gazë. Forumi konsideron se tani është koha për të "udhëhequr”, të tregohet guxim dhe të sigurohet kthimi i të gjithë 132 (njerëzve) të mbajtur nga Hamasi, të gjallë, për shkak të rehabilitimit dhe të viktimave që të varrosen.

Kajro - Udhëheqësit e grupit militant palestinez Hamas nuk kishin sukses në ditën e dytë të bisedimeve në Kajro me ndërmjetësuesit nga Egjipti dhe Katari për një armëpushim me Izraelin dhe vazhdojnë të kërkojnë që çdo marrëveshje të përfshijë fundin e luftës në Rripin e Gazës, kumtuan zyrtarët palestinezë. Një zyrtar palestinez anonim i njohur me bisedimet deklaroi se delegacioni i Hamasit kishte arritur në Kajro me synimin për të arritur marrëveshje, "por jo me çdo kusht".

Nju Jork - Biznesmeni francez Bernar Arno i cili ka aksione në holdingun "lvmh", drejtues botëror i prodhimit të veshjeve luksoze është renditur në vendin e parë në rang listën e personave më të pasur në botë. Sipas listës së publikuar të miliarderëve në Blumberg, pasuria e Arnos arrin 215 miliardë dollarë dhe nga fillimi i vitit është rritur për shtatë miliardë dollarë. Në vend të dytë është ish drejtori ekzekutiv i "Amazonit" Xhef Bezos pasuria e të cilit vlerësohet në 198 milionë dollarë.

Madrid - Real Madridi fitoi titullin rekord të 36-të në La Ligën spanjolle në katër xhiro drejt fundit. Kjo ndodhi pas suksesit të “mbretërve” me rezultat 3:0 ndaj Kadizit që pasoi me fitoren 4:2 të Zhironës ndaj Barcelonës. Kështu, rezultati i derbit katalunas e kurorëzoi skuadrën nga kryeqyteti. Por, trajneri italian Karlo Ançeloti preferon të qëndrojë i qetë. Sepse, sipas tij, skuadrën e presin ndeshje më të rëndësishme.

 

QËNDRONI TË LIDHUR