• e enjte, 26 dhjetor 2024
MIA Flesh

18:00/ 28 mars/ 2023

Shkup - Prioritet në lidhje me Kushtetutën është përmbushja e detyrimit tonë nga korniza negociuese, të cilën e miratuan 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian në pjesën e amadamenteve kushtetuese për përfshirjen e popujve të tjerë të cilët jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, porositi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Shkup - Prokuroria themelore publike për përndjekje të krimit të organizuar dhe korupsionit, duke përcjellë informacione nëpër media të ndërlidhura me ndërtimin e autostradave të korridoreve 8 dhe 10 d, me qëllim që t'i verifikojë konstatimet që parashtrohen në opinion, ka hapur lëndë pas zërave. "Lënda është dërguar tek prokurori kompetent publik, i cili ndërmerr aksion dhe do të kryejë verifikime, pas së cilës do të marrë vendim të prokurorisë publike për rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës", thonë nga Prokuroria.

Shkup - Çështja e ndryshimeve kushtetuese është e drejtë sovrane e Maqedonisë së Veriut dhe ajo duhet të vendos. Lidhur me Kushtetutën, është me rëndësi të shohim se cilat janë saktë propozimet dhe pasi do të përgatiten të projektojnë version, të përcjellë debat për ato propozime. Detyrimi është që të vendosen njerëzit, të cilët vetientifikohen si bullgarë në Kushtetutë. Kjo është diçka që në mënyrë plotësuese do ta konsolidojë vendin, i cili tashmë ka dosje të mirë lidhur me raportet ndëretnike.

Shkup- Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski, kanë vizituar një nga marketet në Shkup. Qëllimi i vizitës është kontrollimi i gjendjes aktuale me furnizimin dhe çmimet e produkteve ushqimore bazë, përfshirë vezët e pulës dhe orizin, për të cilat Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për ngrirjen e çmimeve, si dhe kontrollimin e furnizimit dhe çmimin e miellit.

Shkup - Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në brifingun e sotëm me gazetarët informoi se ende nuk ka nismë konkrete për ndryshimet kushtetuese dhe shtoi se konform Rregullores, debati plenar për ndryshim të Kushtetutës është i kufizuar në tre ditë për një amendament. "Llogaria e kohës bëhet lehtë, nga momenti kur do të keni nisma. Nga nisma del shtrirja, që do të përfshihet, në cilin drejtim. Nëse nuk ka konsensus, flasim kot. Sa do që të ketë amendamente, debati plenar dhe i komisionit janë kufizuar nga tre ditë për ndryshimet kushtetuese. Detyrimi im fillon kur do të kem propozim, nismë konkrete", tha Xhaferi. 

Shkup - Koha është të rikthehet besimi në gjyqësor, ndërsa prokurorët publikë gjatë zbatimit të procedurave dhe marrjes së vendimeve të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe autonome, theksoi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga në fjalimin e tij në Konferencën: “Përmirësimi i efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies së Prokurorisë Publike”.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në margjinat e Takimit joformal të ministrave të punëve të jashtme të vendeve të iniciativës ShBA-Karta e Adriatikut (A5), realizoi takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq. Ministrat shprehën kënaqësi të veçantë për trendin pozitiv të zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve mike, duke theksuar gatishmërinë për intensifikimin dhe thellimin e bashkëpunimit të përgjithshëm bilateral, përmes projekteve dhe iniciativave konkrete, mbi të gjitha në planin ekonomik.

Shkup - Në konferencën e sotme për shtyp, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi informoi se pas sulmit të hakerëve në ueb faqen e Kuvendit, situata është duke u monitoruar dhe ka treguar se për momentin në ueb faqe mund të kenë qasje vetëm përdoruesit vendas. Xhaferi theksoi se kanë konstatuar se disa shtete të huaja kanë tentuar të hakojnë faqen, por ka treguar se nuk mund të përcaktojnë konkretisht se nga cili shtet.

Shkup -  Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi tha se ajo që raporte nga puna e disa institucionbeve nga viti 2021 shqyrtohen tani në vitin 2023, është rezultat i bllokadës aktive të VMRO-DPMNE-së opozitare. "Absurd është që raporte për punën e institucioneve nga viti 2021 shqyrtohen në vitin 2023. Edhe unë pajtohem se kjo është absurde. Absurd edhe më i madh dhe ironi është që për absurditetin të flet dikush që më 10 maj vitin e kaluar, kur ka qenë në rend të ditës Raporti, VMRO-DPMNE-ja opozitare paralajmëroi bllokadë aktive në Kuvend dhe si rezultat të kësaj bllokade aktive është raporti", tha mes tjerash Xhaferi në brifingun e sotëm me gazetarët.

Shkup - Në prononcimin e tij duke u përgjigjur në pyetjet për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d, zëvendëskryeministri Artan Grubi deklaroi se pret që VMRO-DPMNE -ja ta mbështesë atë projekt të madh infrastrukturor, siç pret dhe mbështetje për ndryshimet kushtetuese sepse, siç tha, në atë parti "mbizotëron atmosferë pozitive dhe po fryjnë erëra të reja". 

Shkup - Arritëm të ndryshojmë perceptimin e investitorëve të huaj për zonat dhe perceptimin se vendi është destinacion me fuqi punëtore të lirë. Tani investitorët e huaj vendosin të investojnë në vendin tonë jo për shkak të pagave të ulëta të punëtorëve, por për shkak të kushteve të tjera të favorshme për biznesin që i ofrojmë si shtet, deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi nga foltorja e kuvendit. Trendi i rezultateve pozitive në zonat ZZHTI, Bytyqi pret të vazhdojë edhe këtë vit.

Shkup - Prokurorët publikë nuk ikin nga llogaridhënia dhe përgjegjësia për punën e tyre, por edhe faktorët e tjerë në pushtet duhet t'i sigurojnë të gjitha kushtet që të mundësohet funksionim efikas i Prokurorisë Publike, theksoi prokurori shtetëror publik, Lubomir Joveski në paraqitjen e tij në konferencën e sotme "Përmirësimi i efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies në Prokurorinë Publike", në të cilën ishte prezantuar vegla në përgatitjen për matjen e performancave të prokurorive publike.

Shkup - Liderëve politikë këtu u takon të vendosin për çështjen për ndryshimet kushtetuese, deklaroi Ami Larson Xhein, ambasadore e Suedisë, e cila është kryesuese aktuale me BE-në. Para fjalimit në konferencën "Organizatat civile - katalizatore të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut", në organizim të Sekretariatit për Çështje Evropiane, ambasadorja Larson Xhein, në pyetjen e gazetarëve nëse vendi do t'i hapë kapitujt deri në fund të këtij viti, porositi se kjo nuk është pyetje në të cilën duhet të përgjigjet BE-ja.

Shkup - Gjykata e Apelit në Shkup për të enjten, më 30 mars caktoi seancë publike për rastin "Titanik 2", ku i akuzuar është edhe ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov. "Gjykata e Apelit në Shkup në interesim të publikut dhe mediave informon se seanca publike para gjykimit, sipas lëndës penale KOKZH -43/23, në publik e njohur si 'Titanik 2', është caktuar për në datën 30.03.2023 në orën 11 e 30 minuta", njoftoi Gjykata.

Shkup - Përfshirja e drejtpërdrejtë në grupet punuese për të gjitha kapitujt dhe grupimet, konsultimet e gjera dhe nëntematike dhe përfshirja e individëve të nominuar nga organizatat e shoqërisë civile në disa grupe, janë modele për pjesëmarrjen e organizatave të shoqërisë civile në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për të cilat sot diskutohet në kuadër të manifestimit “Organizatat civile – katalizatorë të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”.

Shkup - Ministria e Arsimit dhe Shkencës ju bën thirje të gjithë faktorëve shoqërorë që të mos përdorin ndikimin e tyre për cenimin e sistemit arsimor. Siç kumton MASH, nuk është në favor të askujt nëse fëmijët, të rinjtë, mësimdhënësit dhe prindërit vazhdimisht i ekspozojn ndaj presioneve  publike, të motivuara nga interesa të ngushta partiake ose interesa të biznesit, gjoja me shqetësim të supozuar për cilësinë e arsimit.

Shkup - Ambasadori Kilian Val, shef i Misionit të OSBE-së në vend, sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka zhvilluar takim me anëtarët e Delegacionit në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.Në takim, siç informuan nga pres shërbimi i Kuvendit, krahas të shprehurit e kënaqësisë reciproke për kryesimin e sivjetshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, u bisedua edhe për proceset reformuese në vend, në fushat që janë në fokus të interesit dhe kompetencave të Organizatës.

Shkup - Vijon mbikëqyrja e ekspertëve, ndërsa në ndërkohë pritet raporti i autopsisë për vdekjen e vajzës gjashtëvjeçare në Manastir, pas çka mund të thuhet se cila ishte arsyeja për vdekjen e vajzës, deklaroi sot në mbledhjen e kuvendit zëvendësministrja e Shëndetësisë, Maja Manoleva.  Manoleva u përgjigj në pyetjet e deputetit Petar Ristevski nga VMRO-DPMNE, i cili tha se dikush duhet të mbajë përgjegjësinë për vdekjen e vajzës, por edhe për qytetarin e Manastirit, i cili ndërroi jetë nga fibroza cistike.

Shkup - Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut është vendosur ekspozita e vizatimeve dhe mesazheve të fëmijëve si rezultat i karvanit mobil “Kuvendi për qytetarët”, që u realizua vitin e kaluar, prej më 25 tetor deri më 11 nëntor. Siç informojnë nga pres shërbimi i Kuvendit, gjatë takimeve dhjetëditore me qytetarët, numër i madh i nxënësve, përmes ilustrimeve dhe mesazheve të veta e ndanë vështrimin e vet kreativ dhe unik për dhomën ligjvënëse dhe i dërguan mesazhet e veta për deputetët.

Tetovë - Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami nënshkroi marrëveshjen e re kolektive me kryetarin e Sindikatës së punëtorëve të Administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve të RMV (AOGJSHQ),Trpe Deanoski. Siç njofton Zyra për Komunikim dhe Marrëdhënie me Publikun Komuna e Tetovës, në marrëveshjen e re parashihet bonusi në pagë për suksesin në punë me qëllim shërbimin cilësor dhe efikas ndaj qytetarëve të Tetovës.

Prishtinë - Më 4 prill në Bruksel do takohen kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi si dhe homologu i tij nga Serbia Petar Petkoviq, ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano. Sipas Stanos takimi i radhës do zhvillohet me ftesë të lehtësuesit evropian dhe ka për qëllim për të „çuar përpara gjithçka që u dakordua në Ohër si dhe për të filluar hapat e ardhshëm drejt zbatimit” të marrëveshjeve.

Beograd - Serbia është e interesuar që të blejë një sasi të caktuar të gazit të lëngshëm nga terminali LNG në Aleksandropolis, po ashtu shumë i rëndësishëm është edhe korridori Budapest-Beograd-Shkup-Selanik-Pireus-Athinë, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një bisedë me presidenten greke Katerina Sakellaropulu në Beograd. Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi, Sakelaropulu ka deklaruar se qëndrimi i Athinës për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar dhe stabil, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

Athinë- Policia greke dhe shërbimet e inteligjencës sot njoftuan se kanë shkatërruar një rrjet "terrorist" i cili planifikonte sulme, me çka janë arrestuar dy shtetas të huaj. "Pas aksioneve të koordinuara të policisë greke dhe Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës, ishte shkatërruar rrjeti terrorist i cili nga jashtë planifikonte sulme ndaj caqeve të zgjedhura në territorin grek", thuhet në kumtesë pa publikuar detaje. 

Berlin - Qeveria gjermane po planifikon një rritje të konsiderueshme të ndihmës ushtarake për Ukrainën. Për këtë, komisioni i buxhetit në seancën e nesërme kërkon të miratojë mjete shtesë në vlerë prej 12 miliardë eurosh, publikoi “Frankfurter Rundshau”. Paratë do të përdoren për dërgimin e drejtpërdrejtë të armëve në Ukrainë, si dhe për të rimbushur rezervat e Bundesver-it, të cilat janë varfëruar nga dërgesat në Ukrainë.

Londër - Shërbimi i inteligjencës MI5 i Britanisë e ka ngritur nivelin e kërcënimit nga terrorizmi i brendshëm në Irlandën e Veriut në "serioze", që do të thotë se me shumë gjasa është i mundur një sulm. Sekretari britanik i Irlandës së Veriut, Kris Hiton-Haris tha në një deklaratë me shkrim se niveli ishte ngritur nga "i rëndësishëm" në "serioz" pas sulmeve të fundit ndaj oficerëve të policisë. “Publiku duhet të jetë vigjilent, por jo i shqetësuar dhe të vazhdojë të raportojë çdo gjë shqetësuese në policinë në Irlandën e Veriut”, tha ministri.

Gjenevë - Rreth 828.000 punëtorë kanë humbur punën pas serisë së tërmeteve që goditën Turqinë juglindore dhe veriun e Sirisë në shkurt, njoftoi sot Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO). Të dhënat fillestare tregojnë se tërmetet në Turqi kanë çuar në një ulje të aktivitetit të punës dhe se rreth 658.000 njerëz janë pa punë ose të ardhura, sipas vlerësimit të ILO.

Tokio - Tërmet me intensitet prej 6,1 ballë sipas Shkallës së Rihterit sot pasdite sipas kohës lokale e ka goditur Japoninë veriore, kumtoi Agjencia meteorologjik kombëtar. Tani për tani nuk ka raporte për persona të lënduar ose dëm material. Nuk është shpallur paralajmërim për cunami.

Uashington - Presidenti amerikan Xho Bajden planifikon gjatë muajve të ardhshëm të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu në Uashington, publikoi sot "Nju-Jork Tajms". Gazeta i referohet deklaratës së ambasadorit amerikan në Izrael, Tomas Nides, i cili në intervistë për "Tajms of Izrael", tha se data për takimin Bajden - Netanjahu ende nuk është caktuar.

Meksiko Siti - Tridhjetë e nëntë persona kanë humbur jetën, ndërsa 29 janë lënduar në zjarrin në qendrën për mbajtjen e emigrantëve në veri të Meksikës, në afërsi të kufirit me SHBA-në, deklaroi një përfaqësues anonim i Institutit nacional për emigracion. Një video regjistrim nga vendi i ngjarjes tregon trupa të mbështjellë në letër alumini pranë një ndërtese në qytetin Siudad Huarez. Në vendin e ngjarjes mund të vërehen edhe automjete të ndihmës së shpejtë, zjarrfikës.

Madrid - Pas përleshjes fizke mes policisë dhe reprezentacionit peruan në futboll, që ka ndodhur mbrëmë në Madrid, u arrestua portieri Pedro Galjese, njoftuan sot mediumet botërore, duke iu referuar burimeve zyrtare. Futbollistët peruanë sot në Madrid duhet ta luajnë ndeshje miqësore kundër Marokut, ndërsa incidenti ka ndodhur para hotelit, ku është vendosur reprezentacioni i Perusë. Sipas policisë spanjolle, para hotelit janë tubuar rreth 300 tifozë të Perusë.

 

QËNDRONI TË LIDHUR