• e martë, 24 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 14 dhjetor/ 2024

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot paralajmëroi se të martën do të udhëtojë për në Bruksel, ndërsa kthehet të enjten dhe për mesazhet nga atje thotë se nuk janë edhe aq të qarta, por mesazhi ynë siç thotë ai, “është i qartë se ne kemi bërë mjaftueshëm si asnjë vend në BE”. "Ne do të vazhdojmë të promovojmë vlerat evropiane, do të bëjmë detyrat e shtëpisë, nëse janë të gatshëm të gjejnë zgjidhje konstruktive dhe të vazhdojmë rrugën në rregull, në çdo kohë jemi të gatshëm t'i përgjigjemi pozitivisht një kërkese të tillë, në të kundërtën mund të konkludoj se ne si shtet, Ballkani, fatkeqësisht nuk jemi në fokusin e kësaj administrate të Brukselit", deklaroi kryeministri Mickoski sot nga fshati Tarinci i Komunës së Karbincit, ku mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të zgjerimit të kopshtit “Kokiçina”.

Shkup – Kryeministri Hristian Mickoski pret që investimet e huaja direkte deri në fund të këtij viti të tejkalojnë vlerën më të madhe se një miliard euro, me çka, siç thotë, Maqedonia do të bëhet një nga shtetet udhëheqëse në rajon.  “Mendoj se atë që premtuam, e realizuam dhe më shumë se kaq. Vazhdojmë me aktivitetet. Pres që investimet e huaja direkte në fund të këtij viti të jenë mbi 1 miliard euro. Në veçanti, ky proces ka nisur në tremujorin e tretë dhe të katërt dhe pres që ne të jemi lider për kokë banori në rajon, pra të kthehemi aty ku ishim 7-8 vjet më parë dhe të vazhdojmë të punojmë më fuqishëm dhe më të motivuar”, tha Mickoski në përgjigje të pyetjes së gazetarëve në vendosjen e gurthemelit të zgjerimit të çerdhes “Kokiçinja” në fshatin Tarinci të Komunës së Karbincit.

Shkup– Kryeministri Hristian Mickoski pret që tashmë javën e ardhshme të shpallet konkursi për 600 punësime të reja në MPB, si rezultat i asaj që një pjesë natyrshëm kanë shkuar në pension, ndërsa një pjesë tjetër për shkak të nevojave që të fuqizohet sa i përket kuadrove.  “Shumë pak vëmendje i është kushtuar potencialit cilësor të personelit në MPB, këtë e kuptojmë tani pas një periudhe gati gjashtë mujore, kur analizuam, hulumtuam dhe arritëm në konkluzione se në vitet e kaluara është bërë vërtet krim epik, ndërsa që ai të sanksionohet për të dalë para drejtësisë, duhet potencial kadrovik njerëzor”, deklaroi Mickoski, i cili sot mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të zgjerimit të kopshtit për fëmijë “Kokiçinja” në fshatin Tarinci të Komunës së Karbincit.

Shkup - Për ish ambasadorin Lubomir Fërçkoski kemi indikacione serioze për keqpërdorim të mjeteve buxhetore publike. Indikacionet janë se dëmi është gjashtëshifror në euro. Nuk mund ta them konkretisht se sa është për momentin, po jap disa informacione që më lejohet në këtë fazë, sepse procedura është në rrjedhë. Është realizuar procedurë e brendshme në MPJ, informacioni që më ka ardhur është vërtet shumë shqetësues. Ne do të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme dhe më tej do të kemi për detyrë që të informojmë institucionet relevante të drejtësisë, por çfarë do të ndërmarrin ato del nga kompetencat tona dhe kalon në kompetencat e tyre, tha sot ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas konferencës për shtyp në MPJ, Mucunski tha se situata të tilla nuk guxojnë të përsëriten dhe paralajmëroi respektim maksimal të Ligjit për punë të jashtme.

Shkup- Lëshime të shumta bëhen për të njëjtin premtim, se do të ecim përpara drejt BE-së, por sërish shohim riaktualizim të vetos. Atë që presim dhe themi para liderëve të BE-së, shteteve anëtare dhe të gjithë partnerëve tanë strategjikë është se duhet të përcaktojmë një rrugë të qartë se si negociatat tona do të ecin drejt anëtarësimit të plotfuqishëm. Çfarë është ajo që pritet nga ne dhe çfarë duhet të bëjmë për të pasur një rrugë të parashikueshme dhe të sigurt. Nuk them se gjetja e një zgjidhje të tillë do të jetë e lehtë për ne si vend apo për BE-në, por një zgjidhje e tillë që ofron siguri dhe parashikueshmëri do të jetë në radhë të parë më mirë për ne dhe do të jetë shumë domethënëse për kredibilitetin që BE-ja dëshiron të krijojë në rajon, duke marrë parasysh zhvillimet aktuale gjeopolitike, ka thënë sot ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski në lidhje me ndryshimet kushtetuese dhe perspektivën evropiane të vendit. Sipas tij, ky është një proces i përbashkët dhe kompleks.

Shkup – Do të rritet përqindja e ambasadorëve të emëruar nga radhët e diplomatëve profesionistë në MPJ dhe në vend se një e treta si deri më tani, do të jetë gjysma. Këtë e parashikojnë propozim-ndryshimet e Ligjit të punëve të jashtme të cilat tashmë janë dorëzuar në Qeveri. Siç tha sot ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, me ndryshimet ligjore planifikohet edhe mandati i diplomatëve të jetë deri katër vjet, në vend se tre vjet sa ishte deri më tani.  Sipas Mucunskit, ndryshimet do të miratohen në mënyrë transparente dhe në procedurë të rregullt. 

Shkup- Zëvendësministri i Bujqësisë, Flakron Bexheti, njoftoi arritjen e një niveli historik në çmimin e grumbullimit të duhanit. Çmimi i duhanit të klasit të parë tashmë do të jetë nga 375 deri në 400 denarë për kilogram, duke shënuar një rekord të ri dhe një mbështetje të jashtëzakonshme për fermerët që kultivojnë këtë kulturë bujqësore. Përveç çmimit të lartë të blerjes, qeveria ka rritur edhe subvencionet për kilogramin e duhanit nga 80 në 100 denarë. Kjo do të thotë që çmimi total për kilogram, duke përfshirë blerjen dhe mbështetjen shtesë, arrin në 500 denarë. Si rezultat, gjatë këtij viti, më shumë se 140 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt te prodhuesit e duhanit.

Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet pandërprerë në kushte dimërore, nëpër disa rrugë të lagështa. Për shkak të paraqitjes së mjegullës vërehet dukshmëri e ulur deri 20 metra në aksin rrugor fshati Gajre – fshati Lisec, përderisa në qafat malore Gjavatë dhe Pletvar deri 50 metra.  Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti. 

Shkup– Moti nesër do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me reshje të kohëpaskohshme të shiut. Në male dhe në disa vende më të larta reshjet do të jenë të borës. Do të fryjë erë mesatare, ndërsa përgjatë Vardarit erë e fuqishme veriore, e cila do të vazhdojë të fryjë edhe të hënën, paralajmërojnë nga DPHM.  Gjatë javës së ardhshme të punës moti do të jetë i qëndrueshëm me temperatura të ulëta të mëngjesit. Nga e marta deri të enjten në lugina do të ketë paraqitje të mjegullës dhe vranësira të ulëta, për çka edhe temperaturat e ditës do të jenë më të ulëta.

Stamboll - Milicia kurde në Siri e mbështetur nga SHBA-ja duhet ose të shpërbëhet vetë ose të çarmatoset, ka paralajmëruar ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan. Paralajmërimi i tij i referohet milicisë kurde- Njësisë së mbrojtjes popullore (JPG), e cila kontrollon pjesë të mëdha të Sirisë verilindore përgjatë kufirit turk, ndërsa Ankaraja e konsideron si organizatë terroriste. "Të gjithë luftëtarët ndërkombëtarë josirianë në radhët e JPG-së duhet të largohen nga Siria sa më shpejt të jetë e mundur. Në fazën e dytë e gjithë komanda e JPG-së duhet gjithashtu të largohet nga Siria, ndërsa pjesëtarët e ngelur duhet të çarmatosen", tha Fidan në një intervistë për televizionin lokal NTV.

Kiev – Komandanti i forcave ukrainase në Donjeck, Oleksandër Lucenko, është shkarkuar për shkak të disa humbjeve të rëndësishme, njoftuan mediat ukrainase. Sipas portalit “Drejtësia ukrainase”, në vendin e tij do të vijë gjeneral Oleksandër Tarnavski, informon DPA.  Emërimi ende nuk është publikuar zyrtarisht në Kiev.  Kriza për forcat ukrainase në pjesën lindore të vendit u intensifikua gjatë javëve të fundit. Lucenko ishte përgjegjës për pjesën e përparme të mbrojtjes rreth qyteteve të rëndësishme strategjike Pokrovsk dhe Kurahovë. Armata ruse tashmë pjesërisht e okupoi Kurahovën, i cili është para rënies, edhe pse armata ukrainase arriti ta mbrojë qytetin më gjatë se sa parashikonin shumë ekspertë. 

Kiev- Ukraina mbrëmë me dronë ka kryer sulme në disa lokacione në Rusi, duke përfshirë një depo karburanti në rajonin qendror Orjol të Rusisë duke shkaktuar një zjarr të madh. Guvernatori i Orjolit, Andrej Kliçko deklaroi se shpërthimi u shkaktua nga një "sulm masiv" ukrainas në infrastrukturën në rajon. Guvernatori i rajonit të Krasnodarit, Vlladimir Kondratiev, tha se mbrojtja kundërajrore shkatërroi dronët ukrainas në disa zona. Një dron ka thyer xhamat e shtëpive në fshat, por nuk ka të lënduar.

Moskë– Autoritetet ruse i bllokuan shërbimet e aplikacionit Viber sepse operatori dyshohet se shkel ligjin, njoftoi rregullatori rus i telekomunikacionit Roskomnadzor. Sipas rregullatorit rus, aplikacioni, në pronësi të kompanisë shumëkombëshe japoneze Rakuten, shfrytëzohej për qëllime terroriste dhe ekstremiste, për shitje të drogës dhe përhapje të dezinformatave, transmeton Hina.  Prokurorët e hetuan Viberin për përhapje të “informacioneve për destabilizim  të rendit politik dhe shoqëror në Rusi”, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS.  Viberi deri më tani nuk e komentoi bllokadën. 

Uashington - Shtetet e Bashkuara të Amerikës testuan me sukses një raketë konvencionale hipersonike në Florida, vetëm disa javë pasi Rusia përdori për herë të parë raketën e re balistike “Oreshnik” e cila mund të bart edhe kokë bërthamore. Sistemi hipersonik amerikan me rreze të gjata veprimi, i njohur si “Dark Igëll”, e ka lansuar raketën nga stacioni hapësinor Kejp Kanaverall, me çka është përfunduar testimi gjithëpërfshirës, njoftoi Pentagoni.  Ky është testimi i parë i suksesshëm i sistemit “Dark Igëll”, me çka janë shfrytëzuar lëshues ngritjes së transportit të qendrës operacionale të baterive.

Uashington - Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Tramp, ka njoftuar se kur të marrë detyrën më 20 janar, Partia e tij Republikane do të angazhohet për "shfuqizimin e llogaritjes verore të kohës" në SHBA për të shmangur ndërrimin sezonal të kohës. “Llogaritja verore e kohës është e papërshtatshme dhe shumë e shtrenjtë për vendin tonë”, njoftoi Trampi në platformën e tij “Truth Social”. Elon Mask, multimiliarderi i cili u emërua së fundmi nga Donald Tramp për të udhëhequr komitetin për reduktimin e shpenzimeve qeveritare, komentoi anketën në rrjetin e tij social X në fund të nëntorit që tregoi se më shumë se 80 për qind e votuesve amerikanë duan t'i japin fund llogaritjes verore të kohës. “Duket se njerëzit duan të hiqen ndryshimet e bezdisshme të orës!”, shkroi shefi i SpaceX dhe Tesla.

Seul - Presidenti i Koresë së Jugut, Jun Suk-Jeol tha se nuk do të tërhiqet nga funksioni, ndërsa parlamenti sot votoi për revokimin e tentativës së tij për vendosjen e gjendjes ushtarake më 3 dhjetor që shkaktoi krizë politike në vend. Jun Suk-Jeol deklaroi se do të luftojë deri në momentin e fundit për të mbajtur postin e presidentit, deklaroi Jonhap. Parlamenti i Koresë së Jugut sot në përpjekjen e dytë votoi për revokimin e presidentit Jun Suk – Jeol për shkak të vendimit të tij për shpallje të gjendjes së luftës në vend. Propozimi për revokim ishte mbështetur me votim të fshehtë prej 204 deputetëve në parlamentin 300 anëtarësh koreanojugor. 

Aman – Ministrat e Punëve të Jashtme të disa vendeve arabe sot në Jordani takohen me përfaqësues ndërkombëtarë që të bisedojnë për të ardhmen e Sirisë, por pa praninë e përfaqësuesve të autoriteteve të reja siriane.  Ministria e Punëve të Jashtme e Jordanisë njoftoi se qëllimi i takimit është që të hetohen mënyra për mbështetje të vendit gjatë fazës kalimtare pas rënies së regjimit shumëvjeçar të Bashar al Asadit. Duhet të bisedohet se si të garantohet proces gjithëpërfshirës politik në Siri, i cili do t’i përfshijë të gjitha grupet në vend. 

Tbilisi – Ish futbollisti Mihail Kavellashvilli sot është zgjedhur president i ri i Gjeorgjisë. Kavellashvilli i fitoi votat lehtë sepse partia në pushtet Ëndrra gjeorgjiane e kontrollon kolexhin 300-anëtarësh zgjedhor që i zëvendësoi zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale në vitin 2017.  Kavellashvilli ishte sulmues i Mançester Sitit dhe disa klubeve nga Superliga zvicerane. Ai ishte zgjedhur deputet në parlamentin në vitin 2016 në listën e Ëndrrës gjeorgjiane, ndërsa në vitin 2022 ishte bashkëthemelues i lëvizjes politike “Fuqia e popullit”, e cila është në aleancë me Ëndrrën gjeorgjiane dhe u bë e njohur pas retorikës së fuqishme antiperëndimore. 

Tel Aviv – Aeroplanë ushtarakë izraelitë gjatë natës së kaluar kanë kryer rreth 40 sulme ajrore ndaj ish punkteve ushtarake siriane në rrethinën e Damaskut, informoi DPA. Opservatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Britani të Madhe njoftoi se ushtria izraelite ka shkatërruar disa caqe, duke përfshirë edhe qendrën hetuese në veri të Damaskut.  Janë goditur 28 lokacione rreth malit Kalamun, 90 kilometra në veri të Damaskut. Aeroplanët izraelitë shkatërruan depo për armë, aeroport ushtarak dhe tunele nëntokësore.

Munih - Bajerni i Munihut është i interesuar për mesfushorin turk të Real Madridit, Arda Gjuler, bën të ditur "Defense Central". Sipas burimit, drejtuesit e bavarezëve u kanë ofruar “mbretërve” që të bëjnë një shkëmbim lojtarësh. Gjigantët gjermanë shpresojnë në marrjen e futbollistit turk, duke dërguar 35-vjeçarin Tomas Muler te kampionët spanjoll në vend të tij. Megjithatë, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez thuhet se e ka hedhur poshtë këtë opsion. Gjuler këtë sezon ka luajtur 18 ndeshje për Madridin në të gjitha garat, me një rekord modest prej 1 goli dhe 1 asisti.

Buenos Aires - Qendërmbrojtësi Serhio Ramos mund ta vazhdojë karrierën e tij në Boka Juniors, transmeton "TiK sports". Sipas burimit, klubi argjentinas do të tentojë ta angazhojë 38-vjeçarin spanjoll në janar. Presidenti i Boka Juniorsit, Huan Rikelme do të ketë personalisht bisedë telefonike me Ramosin. Spekulime të ngjashme pati edhe në fillim të nëntorit dhe duket se tani gjërat mund të marrin fund. Ramosi së fundmi është kthyer te klubi i tij amë Sevilla, ku mbrojtësi 38-vjeçar sezonin e kaluar bëri 37 paraqitje, duke shënuar shtatë gola dhe një asistim.

QËNDRONI TË LIDHUR