• e enjte, 26 dhjetor 2024
MIA Flesh

15:00/ 1 tetor/ 2023

Shkup -  Nga 19 shtatori, kur u miratua vendimi i parë i qeverisë për uljen e çmimeve, janë kryer mbi 550 kontrolle, janë lëshuar mbi 32 urdhërpagesa dhe janë shqiptuar gjoba në shumë prej 6.320 milionë denarë. Gjobat janë për mosrespektim të Vendimit, por edhe për zbatim të praktikave të padrejta tregtare, ndërsa veprimi është ndërmarrë në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, njoftoi sot drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut (ISHT), Goran Trajkovski dhe informoi se janë mbyllur 10 markete: në Shkup, Kumanovë, Kërçovë, Gostivar, Kavadar, Tetovë dhe Strugë.

Shkup - Derisa nuk bëhet ndryshimi i formulimit për 20 për qindëshin e gjuhës të cilën e flasin qytetarët në gjuhën shqipe, deputetët e BESA-s nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese, thotë lideri i kësaj lëvizje, Bilall Kasami. Në një intevistë për REL, Kasami thotë se opozita shqiptare po bashkohet dhe ka hapur dyert për partitë të cilat do ta kundërshtojnë BDI-në dhe në zgjedhjet e ardhshme presidenciale paralajmëron kandidat të përbashkët të frontit opozitar. I pyetur për ndryshimet kushtetuese dhe pse BESA nuk mori pjesë me kandidat të saj në Grupin e punës për ndryshimet kushtetuese, Kasami tha se kanë pritur që Qeveria të jetë më e mençur dhe se "derisa qeveria nuk sheh interesim që ta dëgjojë zërin tonë, nuk do të votojmë për ndryshimet kushtetuese. Pozicioni ynë është i qartë". 

Shkup - Paraburgim 30-ditor për nënën e të dyshuarit për vrasje në lagjen Hrom të Shkupit, e cila ka shkaktuar zjarr në banesën e 36-vjeçarit I.J. pasi djali i saj 39-vjeçar e ka kryer vrasjen. Nëna është privuar nga liria, ndërsa djali i saj është arratisur.  PP informoi se Prokuroria Themelore Publike në Shkup vepron në bazë të padisë penale në lidhje me ngjarjen e 22 shtatorit, kur pas zjarrit të shkaktuar në një banesë në rrugën "Isaia Maxhovski", ishte gjetur trupi i pajetë i pronarit 36-vjeçar të banesës me gjurmë të dhunës. "Provat e siguruara deri në këtë moment japin dyshim të arsyeshëm për një të dyshuar si autor i veprës penale të vrasjes në mënyrë brutale. I dyshuari e ka kryer veprën pas një debati të shkurtër me viktimën, duke e privuar nga jeta viktimën me më shumë se 45 plagë me thikë në qafë dhe trup", njoftojnë nga PP.

Shkup - Qytetarët prej sot munden në mënyrë të thjeshtë dhe të shpejtë të bëjnë krahasim të kompensimeve për shërbimet e pagesave në banka përmes ueb-faqes së Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes shfrytëzimit të mjetit "Krahasim i kompensimeve në mes ofruesve të shërbimeve të pagesave".

Shkup - Gjatë ditës së djeshme sipas raporteve të cilat kanë arritur në Sektorin për Operacione dhe Koordinim në Qendrën për Menaxhim me Kriza (QMK), ekipet zjarrfikëse, diku bashkërisht - të shoqëruar nga më shumë komuna, ndërsa edhe me ndihmën e banorëve vendas, kanë intervenuar në 39 zjarre - prej të cilëve deri sot në mëngjes aktivë janë ende edhe gjashtë. Janë shuar 33 zjarre, me çka ishte djegur barë i thatë, shkurre, pyll i përzier dhe me pisha, deponi, ndërsa edhe kallam. 

Shkup - Qyteti i Shkupit ka shpallur konkurs për drejtor të institucionit publik Qendra Kulturore e Rinisë. Të drejtë të paraqitjes kanë të gjithë shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët i përmbushin kushtet ligjore për paraqitje, të shënuara në Statutin e QKR.  "Krahas kushteve kryesore të paraqitjes që duhet të plotësohen, si të paturit e certifikatës ndërkombëtare të njohjes së gjuhës angleze, 5 (pesë) vjet përvojë pune në fushën e kulturës ose 5 (pesë) vjet përvojë pune në punë apo projekte nga sfera e kulturës në bazë të kontratave të lidhura të punës, kandidatët duhet të dorëzojnë edhe aplikim me biografi të shkurtër dhe program për punë dhe zhvillim të institucionit", thuhet në kumtesën nga Qyteti i Shkupit

Dibër - Me shpalljen e më të mirëve dhe ndarjen e çmimeve, mbrëmë vonë, në Dibër përfundoi Edicioni i 22-të i festivalit "Teatri shqiptar në Maqedoni". Fitues absolut i kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore është Teatri nga Tetova me shfaqen "Armiku i popullit", në regji të Arben Kumbaros, të cilën juria profesionale e shpalli më të mirën. Po ashtu, Kumbaros i takoi edhe çmimi për regji më të mirë, ndërsa Arsim Fazlija, nga teatri i njëjtë është shpallur aktori më i mirë. Çmimi për aktore më të mirë i takoi Sara Bajramit, nga Teatri shqiptar i Shkupit, me shfaqen "ADN". 

Shkup - Viktor Kipllagat nga Kenia fitoi sot në Maratonën e Shkupit, para bashkëkombësit të tij Çeriot Laban, përderisa i treti në këtë cak kaloi atleti maqedonas Dario Ivanovski. Kipllagat në shtegun e gjatë 42 kilometra vrapoi në kohën prej 2:15:09 dhe në stil dominues e fitoi edicionin e 19-të të Maratonës së Shkupit.  I dyti në cak kaloi bashkëkombësi i tij Laban me kohë 2:16:03, përderisa vendin e tretë e fitoi rekorderi maqedonas në maratonë Dario Ivanovski me kohë  2:19:08.

Prishtinë - Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci ka thënë se Qeveria e Kosovës ka siguruar prova dhe fakte, të cilat vërtetojnë se ajo që ndodhi javën e kaluar në Banjskë ishte një plan mirë i organizuar ushtarak për të pushtuar një pjesë të territorit në veri të Kosovës. Maqedonci u shpreh se ai që në fillim u onsiderua si një sulm terrorist, rezultoi në fakt një plan ushtarak që do të zbatohej gradualisht nga njësi paraushtarake të ndihmuara drejtpërdrejtë nga shteti dhe ushtria serbe. “Në fillim është dukur si një sulm terrorist, por pas gjetjes së armatimit dhe dokumenteve, rezulton se bëhet fjalë për një plan të mirëfilltë ushtarak, që është dashur të zbatohet nga njësi paraushtarake të ndihmuara nga shteti serb. Planet që janë gjetur kanë shenja teknike tërësisht ushtarake, armët kanë qenë për të qëndruar më gjatë, për t’u mbrojtur me qëllim final pushtimin e një pjese të veriut të Kosovës", deklaroi Maqedonci për "Euronjuz Albania"

Tiranë - Shqipëria e përfundoi kryesimin e saj me Këshillin e Sigurisë në Kombet e Bashkuara, të cilin e filloi në datën një të muajit të kaluar.  Ministri për Evropën dhe Punët e Jashme, Igli Hasani u shpreh se "ndihemi krenar që kemi drejtuar me sukses Këshillin e Sigurisë, në një kohë kaq kritike, ku u folën për tema delikate, si ajo e Ukrainës". Në fokus, thotë Hasani, ishte nevoja për të mbështetur ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e KB-së, si dhe përshpejtimi i ndihmës humanitare në mbarë botën.

Ankara - Në Ankara sot ka  pasur sulm terrorist kur një vetëvrasës me bombë ka aktivizuar një pajisje shpërthyese në afërsi të ndërtesës së policisë, transmetuan mediat turke.  Ministri turk i Punëve të Brendshme, Ali Jerlikaja, deklaroi se "një terrorist e hodhi veten në ajër, ndërsa i dyti është neutralizuar" në sulmin terrorist ndaj selisë së policisë kombëtare turke në kryeqytetin Ankara.

Beograd - Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka për qëllim të takohet me presidentin rus Vlladimir Putin në tetor, në margjinat e forumit "Rripi dhe rruga", që do të mbahet në Kinë, njofton Demostat nga qarqe diplomatike. Siç u kumtua, liderët e Serbisë dhe Rusisë tani publikisht e kanë konfirmuar ardhjen në Samitin kinez, por parashtrohet pyetja nëse do të takohen, që do të ishte takimi i tyre i parë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Bratisllavë - Në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Sllovaki, partia Smer SSD e kryesuar nga ish kryeministri Robert Fico ka fituar më së shumti vota - 23,31, në bazë të 99,2 për qind nga votat e numëruara, njoftoi Instituti sllovak i Statistikës.  Sipas rezultateve jozyrtare të zgjedhjeve, partia Sllovakia Progresive përfundoi në vendin e dytë me 16,98 për qind, megjithëse parashikimet parazgjedhore parashikonin fitoren e saj, e ndjekur nga Zëri-SD (14,98 për qind), koalicioni OLANO - Për Bashkimin Popullor të Krishterë ( 9,02 për qind), KDH (6,91 për qind), SaS (6,18 për qind) dhe Partia Kombëtare Sllovake (SNS) me 5,67 për qind, raporton TASR.

Kiev - Sistemet ukrainase për mbrojtje kundërajrore gjatë natës kanë rrëzuar rreth 30 fluturake pa pilot "Shahed -131/136", që Rusia i ka lansuar në territorin ukrainas, njoftoi sot paradite aviacioni ukrainas, transmetoi agjencia ukrainase Unian.  Në aplikacionin për porosi Telegram aviacioni ukrainas njoftoi se fluturaket pa pilot ishin lansuar nga jugu, juglindja dhe veriu, ndërsa me ato ashpër ishte sulmuar rajoni qendror ukrainas Çerkasi. 

Moskë - Instruktorët britanikë në Ukrainë do të jenë cak legjitim të armatës ruse, deklaroi zëvendës kryetari i Këshillit për siguri të Rusisë, Dmitrij Medvedev. Ai shtoi se forcat ruse do t'i shkatërrojnë instruktorët jo si mercenarë, por si ekspertë të NATO-s. "Perëndimi, aktivisht duke u përfshirë në konfliktin në Ukrainë, na shtyn në luftën e tretë botërore", tha ai, i transmetuar nga mediumet ruse.

Mursia - Të paktën shtatë persona e kanë humbur jetën në zjarrin në një klub të natës në qytetin Mursia, kumtuan autoritetet spanjolle. Zjarri ka shpërthyer në klubin e natës Teatre, në mëngjes rreth ora 6 sipas kohë lokale. Autoritetet thonë se numri i viktimave mund të rritet. Ndihma e shpejtë dhe shërbimet tjera kërkojnë persona, të cilët konsiderohen të zhdukur dhe të cilët kanë qenë në klub në momentin e zjarrit.

Kiev - Ukraina do të bëhet një nga prodhuesit kyçë botërorë të armës dhe sistemeve mbrojtëse, e ky është potencial që tanimë po realizohet, deklaroi presidenti Vollodimir Zelenski në video fjalimin e mbrëmshëm, të cituar nga Ukrinform. "U mbajt forumi i parë për industri të mbrojtjes. Ishte sukses i madh...Formati i jonë i ri me kompanitë mbrojtëse - Aleanca për industri mbrojtëse - prej sonte përfshin 38 kompani-anëtare". Ato përfaqësojnë 19 vende", tha Zelenski.

Kiev - Një ekip i Fondit monetar ndërkombëtar (FMN), sot me përfaqësues qeveritarë tjerë ukrainas, filluan serinë e takimeve në Ukrainë, ku do të bisedohet për qëllimet dhe sfidat nga politika qeveritare, deklaroi përfaqësuesi i FMN-së për këtë vend, Vahram Stepanjan, i cituar nga mediumet britanike. Ekonomia ukrainase rëndë pësoi prej se Rusia në shkurt 2022 e filloi pushtimin ndaj vendit, ndërsa autoritetet në masë të madhe mbështeten nga ndihma e vendeve perëndimore për financimin e pagesave të domosdoshme sociale dhe humanitare.

Bruksel - Drejtoresha e Drejtorisë për Politikë Bërthamore në NATO, Xhesika Koks, deklaroi sot se ekziston rrezik i madh që armët bërthamore të përdoren në Evropë. "Rusia po kërcënon me armë bërthamore. Ne shohim Vladimir Putinin dhe zyrtarë rusë duke komentuar për këtë çështje. Po hyjmë në një kohë kur rreziku i përdorimit të armëve bërthamore po rritet në Evropë. Ne duhet t'i marrim shumë seriozisht të gjitha këto veprime dhe kërcënime ruse", tha Koks për gazetën finlandeze "Ilta Sanomat". Megjithatë, sipas saj, edhe krahas retorikës së ashpërsuar për momentin nuk ka ndryshime të mëdha në politikën bërthamore të Rusisë nga fillimi i konfliktit në Ukrainë

Uashington - Në kongres mbrëmë ka pasur kthesë befasuese dhe u votua ligji për financimin e Qeverisë amerikane, me çka në moment të fundit u parandalua bllokada e pritur (shutdown).  Ukraina ishte një nga arsyet kryesore për bllokadën e mundshme të Qeverisë amerikane, për çka një varg agjencish filluan të bëjnë përgatitje.  Tjetra është deficiti i madh buxhetor prej dy trilion dollarësh, i cili është dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar dhe është më i madh se përpara pandemisë Kovid-19. Për këtë shkak, republikanët, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, janë të pakënaqur dhe e kanë zvarritur deri në minutën e fundit miratimin e financave për punën e qeverisë.

Valvik - Ndeshja e xhiros së shtatë në kampionatin holandez mes RKC Valvik dhe Ajaks është ndërprerë mbrëmë për shkak të lëndimit të rëndë të portierit vendas. Ndeshja është ndërprerë në minutën e 87-të gjatë rezultatin 3:2 për mysafirët, portieri vendas Etien Vesen pas përplasjes së ashpër me lojtarin kundërshtar mbeti i shtrirë në fushë. Mjekët menjëherë reaguan dhe i ofruan ndihmë Vesenit, derisa të gjithë futbollistë me lotë në sy shikonin se çka po ndodh në fushë.

QËNDRONI TË LIDHUR