• e martë, 14 janar 2025
MIA Flesh

12:00/14 janar/2025

Shkup- Për shkak të borës dhe paraqitjes së ngricave prej 11 janarit e deri dje, Ndihma e shpejtë e Shkupit ka pasur gjithsej 254 intervenime. Mjeku Rihad Rexhepi, shef turni në Ndihmën e shpejtë mjekësore për MIA-n deklaroi se në këto 254 intervenime ka pasur edhe aksidente, qytetarë të lënduar të cilët janë rrëzuar duke rrëshqitur në akull, persona në gjendje të alkoolizuar të cilët kanë marrë lëndime, por edhe disa me lëndime nga përleshjet fizike.

Shkup- Drejtoria për të ardhura publike e publikoi listën e debitorëve për borxhe të arrira deri më 30 shtator 2024, ndërsa të papaguara deri më 31 dhjetor 2024 në bazë të TVSH-së, tatimit të fitimit, tatimit personal të të ardhurave, kontributeve nga sigurimi i detyrueshëm social, akcizave dhe doganave. Në listën e debitorëve, e cila është e kapshme në ueb-faqen e DAP-it, ka 1962 persona juridik që është më pak për shtatë debitorë nga lista e kalaur dhe 3915 persona fizik përkatësisht për 69 më shumë nga lista e kaluar.

Shkup- Njoftohen të gjithë pronarët e automjeteve në drejtimin rrugor qendra e skijimit Mavrovë - Bunec përmes fshatrave Nikiforovë dhe Leunovë t'i mënjanojnë automjetet për shkak të punës së papengueshme të ekipeve të NP "Rrugët e Maqedonisë". Nga ndërmarrja publike informojnë se ndalesa për qarkullim për automjete të rënda ngarkuese në grykën malore Gjavatë hiqet në orën 10:30, si dhe në orën 09:25 është hequr ndalesa për qarkullim të automjeteve të rënda ngarkuese përmes grykës malore Presekë.

Beograd- Shtatë studentë, të cilët gjatë natës e kanë blokuar Fakultetin Juridik në Beograd, janë lënduar në tri incidente të shkaktuara nga persona të panjohur, është publikuar në profilin në Instagram "Studenti u bllokadi". Siç njoftuan, sulmuesit kanë hedhur shishe xhami dhe të plastikës drejt nxënësve.

Ankara- Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan e shënoi fillimin e vitit të familjes turke në Turqi me paralajmërim të masave për rritje të natalitetit. Duke e cituar "të vërtetën historike se një familje e fuqishme e hapë rrugën për një shtet të fuqishëm", Erdogan prezantoi një sërë masash financiare për mbështetje të familjeve të reja. Ai tentoi ta shfaqë lëvizjen LGBTK+ si pjesë e një komploti të huaj, qëllimi i të cilit është minimi i Turqisë.

Bukuresht- Rumania përgatitet ta marrë komandën mbi forcat ushtarake të Bashkimit Evropian në Bosnja e Hercegovinë (EUFOR). Katër helikopterë me shumë qëllime IAR-330 tashmë janë stacionuar në bazën Butmir në afërsi të Sarajevës, ku është edhe komanda e EUFOR-it. Helikopterët janë destinuar për operacione transportuese dhe evakuim mjekësor.

Helsinki- Kancelari gjerman Olaf Sholc sot tha se incidentet në Detin Baltik duhet të kuptohen si pjesë e strategjisë hibride që u kanoset vendeve evropiane. Duke folur në prag të takimit të liderëve të NATO-s në Helsinki, kancelari gjerman u bëri thirrje vendeve baltike të veprojnë në koordinim dhe mënyrë të shpejtë në rajonin e Detit Baltik, transmetojnë mediat britanike.

Varshavë- Numri i hyrjeve të parregullta në Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2024 është më i vogël nga viti 2021, kumtoi sot Agjencia Evropiane për Roje kufitare dhe bregdetare Fronteks. "Të dhënat e reja paraprake nga Fronteks tregojnë rënie të dukshme prej 38 për qind në kalimet e parregullta kufitare të BE-së në vitin 2024, duke arritur nivel më të ulët që nga viti 2021, kur migrimi ende ishte i goditur nga pandemia e Kovid-19", njoftoi Fronteks.

Los Anxhelos- Vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve në rajonin e Los Anxhelosit, ndërsa në fuqi është paralajmërimi i kuq sepse prej sot deri të mërkurën pasdite priten erëra të forta të cilat mund të ndikojnë në përhapjen e zjarreve. Zjarri në Palisades, i cili shpërtheu më 7 janar, shkatërroi rreth 5.000 objekte dhe 14 për qind ishte lokalizuar, publikoi televizioni Ej-Bi-Si. Zjarri në Iton, i cili gjithashtu filloi më 7 janar, shkatërroi ose dëmtoi rreth 7.000 ndërtesa, ndërsa 33 për qind ishin shuar.

Gaza-Të paktën 18 palestinezë, mes të ciëve gjashtë gra dhe katër fëmijë në sulmet e mbrëmshme izraelite mbi Rripin e Gazës. Dy gra dhe katër fëmijët e tyre janë vrarë në sulmin në qytetin Deir al-Balah, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës. Autoritetet shëndetësore kanë bërë të ditur se 12 palestinezë kanë humbur jetën gjatë dy sulmeve izraelite në qytetin Kan Junis, në Rripin jugor të Gazës. 

Madrid- Futbollisti i Al-Nasër, Kristiano Ronaldo do ta vazhdojë marrëveshjen me klubin, transmeton "As" spanjoll. Sipas burimit, marrëveshja e re me portugezin 39-të vjeçar do të zgjasë deri në verën e vitit 2026. Paga e sulmuesit do të jetë 200 milionë euro. Këtë sezon Ronaldo luajti 20 ndeshje shënoi 17 gola dhe tre asistime.

#

QËNDRONI TË LIDHUR