• e enjte, 26 dhjetor 2024
MIA Flesh

15:00/ 19 nëntor/ 2023

Bruksel - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg sot do të udhëtojë për në Sarajevë, si etapë e parë e turit të tij në katër vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të të cilit të martën pasdite do të mbërrijë në Shkup, ku përveç takimeve me përfaqësuesit më të lartë të autoriteteve të vendit, do të takohet edhe me liderët e vendeve anëtare të Aleancës nga rajoni, informon korrespondenti i MIA-s nga Brukseli. 

Shkup - Sipas njoftimeve të marra me shkrim nga Qendrat rajonale për menaxhim me kriza dhe subjekte tjera, nga shumë sfera pjesëmarrëse në Sistemin për menaxhim me kriza (SMK), Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) informon se në 24 orët e fundit ka pasur një erë të fuqishme që ka shkaktuar më shumë dëme, tre zjarre në ambient të hapur dhe paralelisht me to edhe ndërhyrje të tjera kundër zjarreve. "Numri i përgjithshëm i thirrjeve urgjente në 112 në QMK arrin 1.590, ku ka pasur 18.05 për qind të thirrjeve reale emergjente për zgjidhje të kombinuar përmes Sektorit për operacione dhe koordinim në QMK, që është thuajse dy herë më shumë se mesatarja e zakonshme për 24 orët e fundit, të cilat QMK-ja i zgjidh, kuptohet bashkë me 59,43 për qind të tjera të thirrjeve të njohura edhe si ‘telefonata jo urgjente’”, kumtoi sot QMK-ja.

Shtip - Shkenca në vend ka qenë konstante që nga viti 1993. Askush nuk ka menduar, nuk mendon ose do të mendojë për shkencën për 20-30 vitet e ardhshme, derisa të bëhet një strategji e mirëfilltë. Me një shumë kaq të vogël parash, rreth 500.000 euro, është absolutisht e pakonceptueshme se diçka mund të mbështetet në aspektin shkencor, shprehet për MIA-n shkencëtari Rubin Gullaboski, i cili është ndër dy për qind të shkencëtarëve më me ndikim në botë sipas listës së Stendfordit. "Unë jam aktualisht profesor i cili është studiues në Universitetin e Gettngenit, i cili ka numrin më të madh të laureatëve të famshëm Nobel për kokë studentësh. Ka më shumë se 20 laureatë Nobel, dy aktivë janë ende atje. Në atë Universitet kemi profesorin tonë, Ivan Bogeski në Katedrën e fiziologjisë.

Shkup - Në Klinikën e Sëmundjeve Ngjitëse në vitin 2023 janë zbuluar 46 persona pozitivë në HIV, prej të cilëve 41 janë në trajtim të rregullt antiretroviral. Një e treta e këtyre pacientëve janë zbuluar në fazën e vonshme të sëmundjes, ishte bërë e ditur sot me rastin e Javës Evropiane për Testim dhe Muajit të Shëndetit të Meshkujve që Klinika Infektive dhe HERA do ta shënojnë me fushatën "Kujdesu për veten" me testime falas për HIV dhe sëmundje të tjera ngjitëse seksuale nga 20 deri 26 nëntor.  Çdo i treti person që jeton me HIV nuk e di statusin e tij HIV sepse njerëzit nuk testohen për shkaqe të ndryshme. Për këtë, qëllimi i fushatës është që të nxiten dhe inkurajohen burrat dhe djemtë nëse janë në rrezik ose të testohen si parandalim për HIV, pa dallim cilit grup të popullatës i takojnë.

Shkup - Shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral - nënkolonel Vasko Gjurçinovski, do të qëndrojë në vizitë disaditëshe të punës në Forcat e Armatosura (FA) në Mbretërinë e Bashkuar.  Siç informoi Shtatmadhoria e ARM-së, në kuadër të vizitës së punës në Ministrinë e Mbrojtje të Mbretërisë së Bashkuar, gjenerali Gjurçinovski do të realizojë takim me shefin e Shtabit kryesor të FA, admiral Ser Antoni Radakin.  "Gjenerali Gjurçinovski do të realizojë takim zyrtar edhe me Lord Stjuart Piç, marshall i aviacionit ushtarak britanik, i cili është përfaqësues special i Mbretërisë së Bashkuara për Ballkanin Perëndimor dhe ish kryesues i Komitetit ushtarak të NATO-s", bëhet e ditur në kumtesë.

Shkup - Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka marrë vendim për zbatimin e procedurës hetuese kundër një të dyshuari për vepër penale prodhim të paautorizuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve nga neni 215 paragrafi 1 i Kodit Penal, si dhe kundër edhe një personi i cili e ka ndihmuar që ta kryente veprën penale.  "I dyshuari 35 vjeçar nga Shkupi, në shtëpi dhe në banesë të përkohshme të padeklaruar në rrugën 'Cerska', në mënyrë të paligjshme ka mbajtur për shitje drogë narkotike - marihuanë në masën totale neto 4802,4 gramë, kokainë në masë totale neto 62 gramë, si dhe substancë psikotrope - 3, 4 metilen-dioksimetamfetamin në masë të përgjithshme prej 7 gramë", njoftoi sot Prokuroria Themelore Publike Shkup.

Shkup - Në Kodër të Diellit sot në mëngjes janë matur -7 gradë celsius, në Gjevgjeli shtatë. Sipas informacioneve nga DPHM, mëngjesin e sotëm janë matur -5 gradë në Hanet e Mavrovës, -4 Manastir, Ohër, Pretor dhe Krushevë, -2 Prilep, Tetovë, 0 Kriva Pallankë, 1 Shkup-Petrovec dhe Berovë, 2 gradë në Kumanovë dhe Vinicë, 3 Shkup-Zajçev Rid, 4 Shtip, Veles dhe Kavadar, 5 Strumicë dhe Dojran dhe 6 gradë në Demir Kapi.

Prishtinë - Tre shpërthime janë dëgjuar mbrëmë pas mesnate në Mitrovicë të Veriut, në vendin e njohur si "Tre rrokaqiejt", informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.  Burime nga ky rajon në veri të Kosovës, i banuar me shumicë serbe, deklaruan për mediat se shpërthimet ishin të fuqishme, por nuk ka informacione për dëme materiale dhe persona të lënduar.  Supozohet se bomba dore ishin gjuajtur në Qendrën Kontrolluese për Automobië dhe te përmendorja e Car Llazarit në Mitrovicë të Veriut. 

Tiranë - Tridhjetë e shtatë mikrobusë dhe automjete elektrike i janë dhënë Shqipërisë nga qeveria britanike me një kosto prej 1.5 milionë paund, si pjesë e një marrëveshjeje të fundit për kthimin e të burgosurve shqiptarë, shkruan “Indipendent”, transmeton Ballkanweb. Marrëveshja e shpallur në maj, do të bëjë që 200 shtetas shqiptarë të burgosur në Angli dhe Uells të dërgohen në shtëpi për pjesën tjetër të dënimit. Në këmbim, qeveria tha se do të ndihmonte në “modernizimin” e sistemit të burgjeve shqiptare. Sipas shkrimit të gazetës britanike “marrëveshja pritej t’i kushtonte Ministrisë së Drejtësisë rreth 8 milionë paund gjatë dy viteve, me financime të tjera që vinin nga Zyra e brendshme”. “Zyrtarët këmbëngulën se kjo paraqet një kursim kostoje, duke theksuar faktin se kushton 40,000 £ në vit për të strehuar çdo të burgosur në Britani”, vijon më tej gazeta.

Ankara - Turqia do t'u drejtohet institucioneve kompetente për "gjenocidin në Rripin e Gazës" dhe nuk do ta lë këtë çështje të papërfunduar, deklaroi mbrëmë presidenti turk Rexhep Taip Erdogan në asamblenë e përgjithshme të unionit kombëtar të studentëve në Turqi, i cituar nga Anadollu.  "Bashkë me mbi 2.000 avokatë do të parashtrojmë padi në organet kompetente për gjenocid. Do ta ndjekim procesin, nuk do ta lëmë në gjysmë. Çmimi do të paguhet", tha lideri turk.

Kiev - Armata ukrainase bëri të ditur sot se i ka shtyrë forcat ruse "në tre deri tetë kilometra" brenda bregut të majtë të lumit Dnjepër. "Të dhënat e para sillen nga tre deri në tetë kilometra varësisht specifikave, gjeografisë dhe topografisë së bregut të majtë", deklaroi zëdhënësja e armatës, Natalia Gumenjuk. Nëse ky lajm konfirmohet, atëherë ky do jetë avancimi më i madh i ushtrisë ukrainase muajve të fundit. Zëdhënësja shtoi se kjo zonë ka disa dhjetëra mijëra ushtarë rusë dhe se forcat ukrainase "kanë shumë punë".

Gazë - Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkoi evakuim në spitalin Al Shifa në Gazë, i cili, thekson ekipi i saj humanitar, u bë "zonë e vdekjes", transmetojnë mediat franceze.  Organizata njoftoi se misioni i saj e ka vizituar spitalin dhe për momentin e përgatit planin për evakuim të tij. Sipas OBSH-së, në spital mbesin 25 punonjës shëndetësorë, 291 pacientë, prej të cilëve 32 foshnja në gjendje kritike, 22 pacientë në dializë dhe dy pacientë në kujdes intensiv.  Ekipi humanitar i OBSH-së e përshkroi situatën në spital si "zonë e vdekjes" dhe "dëshpëruese". 

Uashington - Presidenti amerikan Xho Bajden deklaroi mbrëmë se pas përfundimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit autoritetet palestineze duhet të sundojnë edhe me Rripin e Gazës dhe me Bregun Perëndimor.   "Ndërsa ne përpiqemi për paqen, Gaza dhe Bregu Perëndimor duhet të ribashkohen nën një strukturë të vetme qeverisëse, në fund të fundit nën një Autoritet Palestinez të rigjallëruar, derisa ne të gjithë punojmë drejt një zgjidhjeje me dy shtete", tha Bajdeni në një tekst autorial për Uashington Post. "Nuk guxon të ketë zhvendosje të dhunshme të palestinezëve nga Gaza, as riokupim, as rrethim ose bllokadë, as zvogëlim të territorit", tha Bajdeni. 

Tel Aviv - Kreu shtetëror izraelit mbrëmë njoftoi se të gjithë anëtarët e Hamasit palestinez janë "njerëz të vdekur që ecin".  Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dhe ministri i Mbrojtjes, Joav Galant në konferencë për media thanë se deklarata i përfshin edhe ata operativë të Hamasit jashtë Rripit të Gazës.  Galant shtoi se "nuk ka dallim midis një terroristi me kallashnikov dhe një terroristi me një kostum tre-pjesësh", që duket se është aludim për liderin e grupit islamik Hamas, Ismail Hania, i cili besohet se jeton në Katar.

Uashington - Gazeta "Uashington post" mbrëmë njoftoi se Izraeli dhe Hamasi janë afër arritjes së marrëveshjes për armëpushim, transmetoi DPA. Në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga SHBA-ja, të dy palët ndërluftuese po shqyrtojnë një armëpushim pesë-ditor, gjatë të cilit mund të lirohen dhjetëra pengje izraelite të mbajtura nga grupi islamik në Rripin e Gazës, raportoi gazeta, duke cituar njerëz të njohtuar me bisedimet.

Buenos Aires - Votuesit në Argjentinë sot do të dalin në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, ku do të vendosin mes ekstremistit të djathtë, Havier Millej dhe të majtit Serhio Masa.  Mediat amerikane theksojnë se Millej shpesh krahasohet me ish-presidentin amerikan Donald Tramp, të cilin e admiron shumë, ndërsa Masa është ish-ministër i ekonomisë nga Partia Peroniste, e cila prej dekadash ka fjalën kryesore në policinë argjentinase. Bi-Bi-Si përkujton se në rrethin e parë Masa ka fituar 36,7 për qind të votave, para Milej, me 30 për qind.  Megjithatë, anketat tregojnë se Millej, i cili premtoi se do ta "hedhë në erë" sistemin politik në Argjentinë, do të marrë më shumë vota. 

Tel Aviv - Televizioni izraelit "N12" gjatë natës informoi se është e mundshme marrëveshje për lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës, transmetoi DPA. Në raportin e kanalit televiziv bëhet e ditur se Hamasi ka sinjalizuar se është parimisht i përgatitur që të lirojë 87 pengje, në mesin e të cilave 53 janë gra, fëmijë dhe rë rinj dhe 34 të huaj.  Izraeli, nga ana tjetër, do të duhet të detyrohet në armëpushim pesëditor në Rripin e Gazës dhe lirimin e të burgosurave palestineze, adoleshente në burgjet izraelite dhe të burgosurve "të sigurisë".  Hamasi, gjithashtu, me marrëveshjen kërkon edhe import të më shumë karburanteve në rripin bregdetar. 

Tel Aviv - Sipas të dhënave ushtarake izraelite, nga fillimi i operacionit tokësor në Rripin e Gazës, janë vrarë 59 ushtarë izraelitë, informoi DPA. "Gjithsej 380 ushtarë izraelitë janë vrarë në sulmet brutale vdekjeprurësë të Hamasit dhe grupeve të tjera, të cilat ishin realizuar më 7 tetor në zonën kufitare jugore", deklaroi sot zëdhënësi i forcave izraelite të mbrojtjes, transmetoi agjencia gjermane.  Numri i përfshin edhe ushtarët të cilët kanë ndërruar jetë në kufirin me Libanin, ku nga fillimi i luftës kishte shumë konflikte, duke shkaktuar frikë se konflikti mund të përhapet. 

Doha – Kryeministri i Katarit, sheiku Mohamed bin Abdulrahman al-Tani deklaroi sot se është gjithnjë e më i bindur se do të arrihet marrëveshje për pengjet mes Izraelit dhe Hamasit, duke shtuar se sfidat që mbeten (deri në përmbushjen e marrëveshjes) "janë shumë të vogla". "Sfidat që qëndrojnë në arritjen e marrëveshjes janë vetëm praktike dhe logjistike", tha sheiku Mohamed në Doha në një konferencë të përbashkët shtypi me shefin e diplomacisë evropiane, Zhosep Borel, transmetojnë mediat britanike.

Sana - Zëdhënësi i huthëve jemenas, Jahja Sare deklaroi sot se kjo organizatë militante do të godasë të gjitha anijet në pronësi të kompanive izraelite ose që bartin flamurin izraelitë. Zëdhënës i huthëve në kanalin Telegram u bëri thirrje të gjitha vendeve që të tërheqin qytetarët e tyre që punojnë si ekuipazh në anijet izraelite, transmetojnë mediat britanike. Më 15 nëntor huthët kumtuan se kanë gjuajtur një seri raketash balistike në caqe të ndryshme ushtarake në Izrael, duke përfshirë qytetin Eilat. 

Pueblla - Vullkani Popokatepetll në shtetin meksikan Pueblla filloi të nxjerr hi, ndërsa autoritetet meksikane i paralajmëruan njerëzit që të qëndrojnë larg kësaj zone. Qendra Kombëtare për Parandalimin e Fatkeqësive raporton se vullkani po nxjerr avull të nxehtë, gazra vullkanikë dhe hi dhe se  alarmi i verdhë është në fuqi, që do të thotë rritje e aktivitetit, raportuan mediat meksikane. Vullkani dje nxorri hi në lartësi prej mbi 6.000 metra. 

Memfis - Policia amerikane po kërkon një sulmues pas serisë së të shtënave me armë armatosura në qytetin Memfis, në shtetin federal Tenesi, në të cilat dje janë vrarë katër gra, ndërsa një është në gjendje kritike.  "Policia iu përgjigj informacionit për të shtëna në Hauard Drajv rreth orës 21:22. Gjatë hetimit, ishte konfirmuar se ky incident ka lidhje me dy përleshje të tjera dhe se në to është i përfshirë i dyshuari i njëjtë", njoftoi departamenti i policisë në Memfis, transmetoi Ej-Bi-Si-Njuz. Në tri të shtënat e ndryshme janë vrarë katër gra, informoi policia. 

Kan Junis - Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës sot kumtoi se së paku 30 foshnja të lindura para kohe janë evakuuar nga spitali Al Shifa dhe do të transferohen në spitalet në Egjipt. Zëdhënësi i ministrisë Medat Abas deklaroi se foshnjat janë evakuuar sot. Përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) vizituan spitalin të shtunën në mbrëmje dhe thanë se 32 foshnja kanë qenë në mesin e dhjetëra pacientëve në gjendje kritike në spital, ku ushtarët izraelitë hynë të mërkurën. Ekipi i KB-së bëri të ditur sot se 291 pacientë mbetën në spitalin Al Shifa pasi ushtarët izraelitë evakuuan pacientë të tjerë, personelin dhe palestinezë të zhvendosur të strehuar atje.

Teheran- Lideri suprem i Iranit, ajatollah Ali Hamnei deklaroi sot se krahas bombardimeve masive në Gaza, forcat izraelite pas 40 ditësh nuk mund ta shkatërrojnë Hamasin dhe vlerësoi se “bombardimi brutal i spitaleve, grave dhe fëmijëve në Gaza është shenjë e nervozizmit të skajshëm të liderëve të regjimit izraelit për humbjen”. “Disfata e regjimit sionist në Gaza është fakt, ndërsa hyrja nëpër spitale apo shtëpitë e njerëzve nuk është përparim dhe fitore, sepse fitorja do të thotë disfatë e palës tjetër, gjë që regjimi sionist nuk ia ka dalë deri tani dhe nuk do të mund as në të ardhmen”, shtoi ai.

Paris – Futbollistët e Rumanisë, Holandës dhe Zvicrës kanë konfirmuar mbrëmë pjesëmarrjen e tyre në EURO 2024, ndërsa Franca ka shënuar fitoren më të lartë në historinë e saj dhe historinë e kualifikimeve evropiane. Rumunët dhe zviceranët siguruan dy vendet e para në Grupin I në një raund para përfundimit të ciklit kualifikues. Rumania në terren neutral në Hungari ka mposhtur Izraelin me rezultat 2-1, ndërsa Zvicra ka luajtur baras 1-1 me Kosovën në Bazel. Holandës në Amsterdam i është nevojitur fitore vetëm teorikisht që të sigurojë kualifikimin në EURO204 dhe këtë e arriti me një rezultat të ngushtë 1-0 duke konfirmuar vendin e dytë në Grupin B në të cilin Franca arriti fitore rekorde 14-0 ndaj Gjibraltarit në Nicë dhe mbeti lider me gjithsej 21 pikë maksimale nga shtatë ndeshje.

QËNDRONI TË LIDHUR