• e martë, 24 dhjetor 2024
MIA FLESH

18:00 / 20 dhjetor / 2024

Shkup - Në hapësirat e Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, pasdite u shënua solemnisht 70 vjetori i themelimit të Klinikës së Urologjisë. Sipas u.d. drejtorit, mjeku Bashkim Shabani, përvoja dhe këmbëngulja shtatëdhjetëvjeçare është dëshmi e një historie suksesi të Klinikës së Urologjisë me përkushtim të vazhdueshëm ndaj pacientëve dhe punonjësve. Me investimin e vazhdueshëm në pajisje moderne dhe bashkëkohore, siç shtoi Shabani, kjo klinikë ka arritur të numërohet në mesin e klinikave më të mira në sistemin tonë shëndetësor

Shkup - Qeveria e tërhoqi nga procedura parlamentare Propozim ligjin për arsimin e mesëm, në lexim të dytë. Këtë e bëri të ditur kryetarja e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Sport, Ivanka Vasilevska në seancën e sotme, në të cilën mori pjesë edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Deputetët e Frontit Evropian u shprehën të kënaqur me vendimin e Qeverisë dhe kërkuan një orë pauzë për koordinim. "Qeveria me shkresë nga data 20 dhjetor e tërheq Propozim ligjin për Arsim të mesëm, në lexim të dytë", informoi Vasilevska para miratimit të rendit të ditës së seancës së komisionit.

Shkup - Mesazhi im është që të përqëndrohen, le t'i korrigjojnë mesazhet e tyre në publik, sepse ata vetë janë të hutuar, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski lidhur me akuzat e LSDM-së se ka marrëveshje politike midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për arratisjen e ish zëvendëskryeministrit Artan Grubit, i cili së bashku me ish drejtorin e Lotarisë dyshohen për përvetësim të rreth tetë milionë eurove. "Nëse kthehet a do të kërkojnë falje? Fillimisht thonë 'disa kanë shkuar, të tjerët kanë ardhur', pastaj se "po kapim peshq të vegjël", e tani që kemi marrëveshje me BDI-në. Njeriu me të vërtetë nuk di se çfarë t'u përgjigjet atyre. Është e çuditshme kur nënvetëdija juaj punon, pasi ju e keni bërë atë dhe tani mendoni se të gjithë po e bëjnë atë. Mesazhi im është le të përqëndrohen, le t'i korrigjojnë mesazhet e tyre në opinion, sepse edhe ata vetë janë të hutuar", deklaroi Mickoski para fillimit të ngjarjes në Ministrinë e Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive me rastin e Ditës së mësimit të gjuhës turke. 

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski pret që situata në TEC Manastir sot të stabilizohet dhe të vazhdojë prodhimi i rregullt, pasi në mëngjes janë shkëputur nga rrjeti dy termoblloqe. "TEC Manastir është në gjendje alarmante dhe katastrofale për çdo gjë që ka ndodhur në periudhën e kaluar, ka pasur një aksion të madh, i cili është vetëm fillimi, do të ketë edhe shumë nga ato që kam në dispozicion si informacion, por ne po luftojmë. Pres që sot situata atje të stabilizohet dhe të vazhdojë me prodhim të rregullt dhe me atë që marrin qytetarët. Por do të ketë luftë, është normale, është një gjendje e trashëguar, tha sot Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.

Shkup - Inspektorati Shtetëror i Tregut nuk ka regjistruar rritje të çmimit të ujit të ambalazhuar në marketet e mëdha në Shkup gjatë ditës së djeshme, pasi ka pasur ankesa për rritje minimale, por jo edhe për sasi të pamjaftueshme, informon drejtori i ISHT-së Vllatko Stojkovski. Në pyetjen e gazetarëve për mashtrime të mundshme nga tregtarët për shkak të paralajmërimit të ndërprerjes së furnizimit me ujë në pjesën më të madhe të kryeqytetit, Stojkoski tha se dje kanë kontrolluar marketet e mëdha dhe nuk ka pasur rritje të çmimeve, ndërsa për marketet e vogla mund të bëjnë kontrolle nëse ka raportime. 

Shkup - Avokati i Aleksandër Gjorçevskit, sot, pas përfundimit të seancës gjyqësore në Gjykatën Themelore Penale për vrasjen e dyfishtë të së miturës Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi, në të cilën u prezantuan provat materiale, tha se u vërtetua pretendimi se nuk ka pasur komunikim mes babait të Vanjës dhe të dyshuarit të parë, Ljupço Palevski. "Vetë prokurori publik e ka konfirmuar atë që pohojmë që nga dita e parë, gjegjësisht se nuk ka komunikim. Prokurori publik sot i ka sqaruar provat, është vërtetuar se Aleksandri ka pasur komunikim me Dejan Dimovskin si kryetar, ka pasur komunikim me Muzafer Harishiqin dhe Goce Trajkovskin", tha Vlladimir Tufegxhiq.

Shkup - Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski sot kumtoi se pagesa e huasë hungareze prej gjysmë miliardë euro, për të cilën marrëveshjen sot në Budapest e nënshkroi ministrja e Financave Gordana Koçoska Dimitrieska do të jetë më 9 ose 10 janar, siç tha, për të shlyer borxhin më 25 janar. "Ja ku kemi një miliard, ne e kemi premtuar miliardën. Këto 500 milionë po i marrim për të shlyer borxhin në janar. Ne po luftojmë dhe kjo është një luftë. Dhe në këtë luftë, nuk po them se nuk do të kalojë ashtu kështu pa marrë ndonjë mbresë, do të ketë, tha Mickoski, në pyetjen e një gazetari për huanë nga Hungaria, nga e cila edhe më parë kemi siguruar 500 milionë euro.

Shkup - Ministria e Transformimit Digjital do t'u dërgojë shkollave fillore dhe të mesme rekomandime lidhur me aplikacionet në pajisjet mobile që kanë efekte të dëmshme për nxënësit. Ministri Stefan Andonovski deklaroi se janë në përgatitje të rekomandimeve, por theksoi se për këtë problem më të përgjegjshëm janë prindërit, sidomos të fëmijëve në arsimin fillor, sepse duhet të përfshijnë sistemet për mbrojtjen e fëmijëve që ekzistojnë në telefonat inteligjentë. "Po përgatisim rekomandime që do t'i dërgojmë në të gjitha shkollat ​​fillore dhe të mesme të shtetit për përmasat e shërbimeve që ofrohen në këto aplikacione, por përgjegjësia kryesore është e prindërve. Çdo pajisje inteligjente ka sisteme të mbrojtjes së fëmijëve, këto sisteme mund të aktivizohen. Këtë mund ta bëjë çdo prind, ju mund ta bëni edhe në pajisjet e shtëpisë dhe në këtë mënyrë ne mund t'i mbrojmë fëmijët nga fenomenet e padëshiruara që janë në internet. U bëj thirrje prindërve, sidomos fëmijëve në arsimin fillor, që ta bëjnë këtë menjëherë.Nëse duan të përballjen me këto kërcënime, të cilat nuk janë vepra penale, nuk është përhapja e ndonjë vepre penale përmes aplikacioneve, prindërit duhet të jenë më të kujdesshëm dhe të përdorin ndalesat që ekzistojnë në pajisjet mobile", tha Andonovsk

Shkup - Pesëqind milionë euro fonde të favorshme janë siguruar nga Banka hungareze Eksport-Import për shërbimin e rregullt dhe të plotë të detyrimeve, të cilat arrijnë në janar 2025 bazuar në euroobligacionin e lëshuar në vitin 2018. Marrëveshjen për kredi me Bankën hungareze Eksport-Import sot në Budapest e nënshkroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, njoftoi Ministria e Financave. "Sot në Budapest nënshkruam Marrëveshjen e re për kredi nga Banka hungareze Eksport-Importit, nga e cila siguruam 500 milionë euro, fonde të nevojshme për shlyerjen e borxhit të euroobligacionit tashmë të emetuar në vitin 2018. Me këtë kredi kemi siguruar kushte të favorshme për shlyerjen e detyrimeve që duhet të mbarojnë në muajin janar. Kredia në përputhje me Marrëveshjen është miratuar me afat të shlyerjes 15 vite, me një grejs periudhë prej 3 viteve, përfshirë edhe normën e interesit prej 3,25 për qind, që është shumë më e ulët se interesi nëse vendosim të emetojmë euroobligacion të ri, për të cilin norma e interesit është mbi 6 për qind dhe në këtë mënyrë të bëjmë kursime në Buxhet. Në mënyrë shtesë, kursimet bëhen edhe në bazë të kostove të provizioneve, të cilat për këtë kredi janë rreth 50 mijë euro", krahasuar me kostot e emetimit të euroobligacionit, të cilat arritën mbi një milion euro", tha ministrja e Financave.

Shkup - Klubi për çështje dhe politika rinore pranë Kuvendit organizoi pritje dhe tubim joformal për të diskutuar sfidat dhe prioritetet rinore për vitin 2025. Siç kumtojnë nga Kuvendi, ngjarja iu referua aktiviteteve nga viti 2024 dhe prezantoi fushat prioritare për punën e Klubit. Nga aty shtojnë se pjesëmarrësit u inkurajuan të ndajnë aktivitetet dhe propozimet e tyre për politikat rinore, të cilat do të përfshihen në planin e punës së Klubit.

Shkup - Lërini emocionet, lërini çështjet dypalëshe që shkaktojnë emocione, le të flasim për bashkëpunimin dypalësh, nga i cili do të kemi rezultate reale të prekshme që do të bazohen në përparimin progresiv, kjo është pjesë e bisedës së kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski pas Samitit në Bruksel. I pyetur nëse është optimist pas vizitës së tij në Bruksel, kryeministri Mickoski theksoi se ka marrë pjesë aktive në seancat dhe pjesën e punës, si dhe në darkën e punës, ndërsa të nesërmen kanë pasur një takim me familjen e Partisë popullore evropiane, ku, siç thotë, në mënyrë aktive merr pjesë dhe atë që e thotë si argument në publik pjesërisht ose tërësisht, e thotë edhe aty.

Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari pasdite deklaroi se për disa drejtorë po bëhet vlerësim se si e drejtojnë institucionin shëndetësor, sa profesionalisht dhe sa kompetent. "Po bëjmë vlerësimin e shumë drejtorëve, na nevojiten më shumë indikatorë. Nuk dëshirojmë të veprojmë me emocione. Na nevojiten dëshmi të sigurta aty ku shohim se drejtorët nuk udhëheqin ashtu si duhet, duhet të ndërrohen me më të mirë. Megjithatë tani nuk do të doja menjëher ta them. Duhet të sjellim vendim konkret dhe fragmatik", u përgjigj ai në pyetjen e gazetarëve, pas ngjarjeve aktuale në Klinikën për fëmijë edhe në Klinikën për sëmundje respiratore tek fëmijët - "Kozle". 

Shkup - Grupi i posaçëm për reformat në administratën publike ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut mbajti takimin e tij të 13-të, i cili nga ana e BE-së ubashkëkryesua nga Sigrid Bretel, shefe e departamentit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian. kurse nga ana e vendit, Goran Minçev, ministër i Administratës Publike dhe Esma Adiloviq, shefe e Departamentit në Ministrinë e Administratës Publike. Siç kumtuan sot nga delegecioni i BE-së, lidhur me kornizën strategjike për RAP, Komisioni e përsëriti rëndësinë e Udhërrëfyesit për RAP, duke inkurajuar finalizimin dhe miratimin e saj të shpejtë, si dhe harmonizimin me raportet kryesore dhe strategjitë.

Shkup - Armata e Maqedonisë do të vazhdojë kontributin e saj në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, sepse kështu forcohet siguria dhe stabiliteti në rajon. Kjo është jashtëzakonisht domethënëse në këtë periudhë të jostabilitetit dhe sigurisë së trazuar globale, tha ministri i Mbrojtjes Vlado Misajllovski në takimin e sotëm me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enriko Barduani. Misajllovski, siç informojnë nga Ministria e Mbrojtjes, është shprehur i kënaqur që të gjitha kontingjentet e Maqedonisë që ishin pjesë e KFOR-it kanë bashkëpunim të shkëlqyer me komandën, si dhe me pjesëtarët e shteteve tjera pjesëtarët e të cilëve janë pjesë e këtij misioni.

Shkup - Në Gjykatën themelore penale, sot me parashtrimin e dëshmive materiale, vazhdoi gjykimi për vrasjen e dyfishtë të minorenes Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi. Në seancë, prokurorja Zhaklina Trajkovska në përmbajtjen e shkurtë para Gjykatës, elaboroi 180 nga gjithsej 197 dëshmi, që kanë të bëjnë me lokacionet ku janë gjetur viktimat, gjetjet nga ekspertiza e organeve hetuese, gjurmët e gjetura, rezultatet nga autopsia, si dhe raportet nga ekspertiza psikiatrike.

Gostivar - Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, në pyetjen e gazetarëve rreth rastit "Alfa" dhe thirrjen nga Agim Islami se ka frikë nga Hristijan Mickoski dhe nuk ka reaguar në lidhje me refuzimin e rigjykimit të rastit "Alfa", tha se në këtë rast ka pasur parregullsi, disa persona kanë pasur dobi, me ç'rast e kanë keqpërdorur për zgjedhjet, ndërsa zgjidhja do të shkojë përmes institucioneve. "Ne nuk jemi si të tjerët, që abuzuan me rastin dhe nuk lëvizën asnjë milimetër dhe prej kësaj të bëjmë temë. Ne e bëjmë punën tonë. Fjalën kryesore e ka gjyqësori, në këtë rast Prokuroria. Jemi të bindur se në atë rast ka parregullsi dhe punojmë, por jo përmes mediave, punojmë aty ku duhet", tha Mexhiti.

Tiranë – Autoriteti kombëtar i ushqimit i Shqipërisë shkatërroi mbi 60 tonë mandarina të kthyera nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, për shkak të nivelit të lartë të pesticideve, të rrezikshme për shëndetin. Javët e fundit Kroacia, Çekia, Italia dhe Lituania, të cilat importojnë sasi të mëdha frutash nga Shqipëria, pas analizave të bëra nga kufiri kanë kthyer kamionët e ngarkuar me këtë frut.

Romë - Kryeministrja e Italisë, Xhorxha Meloni sot ka biseduar me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen për rritjen e konkurrencës së BE-së në botë, si dhe për zgjidhje për problemin me emigrimin, njoftoi Kabineti i kryeministres. Siç thuhet, Meloni dhe Fon der Lajen biseduan për ndikimin e politikave të gjelbra në industrinë e automobilave dhe shqetësimet e fermerëve italianë për shkak të marrëveshjes BE-Merkosur, me të cilën rritet importi i mishit të viçit, shpendëve dhe sheqerit nga vendet e Amerikës Latine në Evropë.

Romë - Më shumë se 40 milionë njerëz në këtë moment po ballafaqohen me furnizim të pasigurtë me ushqim në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, e ky numër do të rritet në 52 milionë deri nga mesi i vitit të ardhshëm, kumtoi sot Programi botëror për ushqim. Sipas raportit të fundit, 3,4 milionë njerëz në këtë moment po ballafaqohen me "uri të niveleve të jashtëzakonshme" në rajon, që paraqet rritje prej 70 për qind të rasteve të tilla nga vera.

Kiev - Në sulmin e sotëm rus ndaj Kievit, janë dëmtuar ambasadat e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Argjentinës, Palestinës, Portugalisë dhe të Malit të Zi, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë ukrainase të Punëve të Jashtme, Georgij Tihi. "Sot granatimi dëmtoi disa ambasada në Kiev. Të gjitha këto ambasada janë vendosur në një ndërtesë, e cila ka pësuar dëm të konsiderueshëm nga sulmi raketor. Janë thyer xhama, dyer dhe elemente nga tavani", tha Tihi. Ai e dënoi sulmin e Rusisë ndaj institucioneve diplomatike, si sulm absolutisht barbar.

QËNDRONI TË LIDHUR